Botë

Presidenti më i famshëm meksikan po pensionohet, trashëgimia e tij në pikëpyetje

Andres Manuel Lopez Obrador duke përshëndetur përkrahësit pas fitores. Shtator 2018

Andres Manuel Lopez Obrador duke përshëndetur përkrahësit pas fitores. Shtator 2018

Në gjashtë vjetët e tij në zyrë, ai ka pasur rreth 1400 deklarime televizive në mëngjes që zgjatin mesatarisht dy orë e gjysmë secila. Ai aty bën shaka, flet për ushqimin e preferuar, përballet me kritikat e gazetarëve, tallet me opozitën dhe nganjëherë lëshon edhe këngët e preferuara. Shumica e deklarimeve të gjata përfundojnë me thënien “hajde ikim të hamë mëngjes”. Shpesh thotë edhe gjëra që nuk janë të vërteta

Shumë meksikanë do të ndihen të mërzitur, kur presidenti popullor, karizmatik e nacionalist, Andres Manuel Lopez Obrador do të largohet nga zyra e tij më 30 shtator – dhe kjo s’mund të konsiderohet befasi.

Lopez Obrador vetë e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës duke folur për trashëgiminë e tij dhe vendin e tij në histori gjatë mandatit gjashtëvjeçar. Këtë e përmend pothuajse në secilën prej konferencave maratonike të përditshme në medie në 7 të mëngjesit.

Por, çfarë trashëgimie do të lërë pas Lopez Obrador? Ndoshta kjo është pyetja kryesore për një burrë që është i pasionuar me historinë dhe një gjë që duket qartë është se ai e ka ndryshuar mënyrën se si bëhet politikë në Meksikë – ndoshta përgjithmonë.

Për dallim nga dekada të liderëve të mbyllur e të ftohtë, Lopez Obrador ka arritur të krijojë lidhje personale me shumë meksikanë. Ai ka larguar nga zyra e tij mijëra roje presidenciale, limuzinat e muret e larta që e karakterizonin dikur, duke thënë se “s’mund të kesh qeveri të pasur me popull të varfër”.

“Ai është politikan që ngjall familjaritetin, u ngjan njerëzve në një baba, axhë, gjysh”, ka thënë Carlos Perez Ricart, analist politik në Qendrën për Kërkime Ekonomike në Meksikë. Nuk është koincidencë. Lopez Obrador në vazhdimësi lavdëron familjen tradicionale dhe thotë se kjo e ka ruajtur shtetin.

“Ai ndien nostalgji për disa prej strukturave sociale të viteve të ‘70 në Meksikë dhe nostalgji për familjen”, ka thënë Perez Ricart.

A do të jetë trashëgimia e tij sikur ajo e presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt, që pati krijuar institucione si “Siguria Sociale” dhe programet e kredive për shtëpi që patën rezultuar në klasë mesatare masive e të qëndrueshme të shoqërisë?

Udhëheqësi meksikan nëpërmjet programeve sociale ‘cash’, pëlqen ta lavdërojë veten me Rooseveltin dhe shumë meksikanë e mendojnë të njëjtën.

“Mendoj se ai do të mbahet mend si një president që nisi ndryshimet e mëdha, që ka menduar për popullin”, ka thënë Armando Lopez, një 60-vjeçar që punon si mirëmbajtës i rrugëve.

Marina Fiesco, një punëtore zyre që po e shfrytëzonte pauzën në një park në Mexico City me djalin e saj 11-vjeçar, kishte të njëjtat përshtypje.

“Ndiej sikur ai mendon për popullin”, ka thënë Fiesco. “Nuk është për të majtën apo të djathtën, është president që mendon për popullin”.

Pjesë e kësaj lidhjeje është se ai flet shumë dhe shtron pikëpyetje të ndryshme, e ndoshta më shumë se cilido lider tjetër në botë.

Në gjashtë vjetët e tij në zyrë, ai ka pasur rreth 1400 deklarime televizive në mëngjes që zgjatin mesatarisht dy orë e gjysmë secila. Ai aty bën shaka, flet për ushqimin e preferuar, përballet me kritikat e gazetarëve, tallet me opozitën dhe nganjëherë lëshon edhe këngët e preferuara. Shumica e deklarimeve të gjata përfundojnë me thënien “hajde ikim të hamë mëngjes”.

Shpesh thotë edhe gjëra që nuk janë të vërteta. Ai ka pretenduar se Meksika nuk e prodhon fentanilin – opiodin sintetik që ua merr jetën rreth 70 mijë amerikanëve çdo vit – edhe pse vetë zyrtarët e tij e kanë thënë të kundërtën. Kur vrasjet shënuan rritje sivjet – pavarësisht se presidenti u shpreh se ka pasur ulje prej 18 për qind – ai thjesht i injoroi shifrat.

Shumë meksikanë duket se i tolerojnë gënjeshtrat, në veçanti sepse Lopez Obradori 70-vjeçar ka përsosur një thënie të famshme meksikane që thotë: “Ai që nervozohet, humb”. Fakteve reale që e vënë në kontradiktë dhe shfaqjen e problemeve ai u kthehet me një të qeshur të lehtë, refuzim për t’i diskutuar apo edhe thënien e famshme të tij “Unë kam të dhëna të tjera”.

Ai ndoshta është politikani më i shkathët që ndonjëherë e ka udhëhequr Meksikën dhe duket se e gëzon një forcë motivuese të pandalshme: Në të gjitha mijëra orët e bisedave, ai nuk qëndron ulur asnjëherë, nuk pi ujë e as nuk shkon në banjë.

I ndikuar nga presidentët meksikanë të shekullit të 20-të, Lopez Obrador, do të donte të lërë gjurmë me projektet e mëdha të infrastrukturës – ai është i dhënë pas hekurudhave dhe rafinerive të naftës – dhe kompanitë e mëdha shtetërore sikur ato që dominuan ekonominë e Meksikës në të ’70-at.

Por, projektet e tij të ndërtimit shpesh kanë qenë dobët të planifikuara e do të vihen përballë trendeve të transicionit ekonomik e të energjisë. Ndryshe nga heronjtë e tij nga e kaluara, ai nuk ka qenë në gjendje të shtetëzojë asnjë industri dhe është marrë vetëm me mbrojtjen e kompanive shtetërore të naftës dhe energjisë elektrike.

Ai as nuk ka qenë në gjendje të lërë gjurmë as në politikën e jashtme, përveç disa mosmarrëveshjeve të pakuptimta me Spanjën, Vatikanin, Ekuadorin dhe Perunë. Përballë presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai ka përdorur gardën kombëtare prej 120 mijë pjesëtarëve, të cilën e krijoi jo për t’u përballur me kartelet e drogës, por për të ndalur njerëzit që të emigrojnë drejt SHBA-së.

Dhe programet e tij sociale – sikur pagesat e përmuajshme prej 150 dollarësh në muaj për njerëzit mbi 65-vjeçarë – mund të zbehen ose të mos kenë fare vlerë për shkak të inflacionit.

Por a mundet Lopez Obrador të bëhet figurë sikur presidenti i Argjentinës në të ’40-at dhe të ’50-at, Juan Peron, që la prapa trashëgiminë, e cila u kundërshtua nga krahët e lëvizjes së tij për disa dekada?

“Mendoj se tani ajo që do të shohim është një ‘ballkanizim’ të Obradorizmit”, ka thënë Perez Ricart. “Një betejë mes të majtës dhe të djathtës mbi këtë, sikur ajo që ka ndodhur me Perosnimin në Argjentinë”.

Ose ai mund të hyjë në histori si personi që, edhe pse shkurt, ringjalli traditën meksikane gati shekullore të “partisë shtet” sikur PRI-ja e vjetër, ku Lopez Obrador nisi karrierën e tij politike. PRI udhëhoqi Meksikën për 70 vjet, para se korrupsioni, përplasjet e brendshme dhe kriza ekonomike ta rrëzonin.

Disa nga ndjekësit më të devotshëm të Lopez Obradorit duket se janë të gatshëm të përjetojnë një tjetër PRI.

“Nëse pas 70 vjetësh kemi gjetur se kemi bërë një gabim, atëherë kjo është jeta”, ka thënë Fiesco.

Lopez Obrador mund të jetë pjesë e një ringjalljeje më të gjerë rajonale të modeleve populiste parti-shtet, si në krahun e majtë ashtu edhe në të djathtin.

Për shembull, presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka thënë se administrata e tij – që ka marrë përqindje edhe më të theksuar në zgjedhje në krahasim me rizgjedhjen e partisë “Morena” të Lopez Obradorit – “është parti hegjemonike dhe jo parti-shtet”.

Pikërisht kështu e përshkruajnë “Morenën” përkrahësit e lëvizjes, por sapo cilado parti nis të shfrytëzojë pushtetin e qeverisjes për ta mbajtur veten në pushtet, ky dallim zhduket.

Shumica e njerëzve mendojnë se s’ka gjasa që “Morena” të qëndrojë për shtatë dekada në pushtet sikur që ka bërë PRI-ja.

“Kohërat kanë ndryshuar, kjo s’është e mundshme më”, ka thënë Armando Lopez, mirëmbajtësi i rrugëve. “Njerëzit do ta përkrahin deri sa të kenë diçka në këmbim. Nuk do ta ndjekin gjithmonë verbërisht”.

Partia “Morena” ishte formuar nga Lopez Obradori dhe anëtarët e vjetër të PRI-së, sikur ai, dhe të tjerë me prejardhje majtiste. Lopez Obradori është ylli i “Morenas”, shtylla kyçe e partisë dhe autoriteti moral. Sapo të largohet, tensionet brenda partisë – tashmë të dukshme – me gjasë do të shtohen.

Lopez Obrador është në dijeni të kësaj dhe që nga fillimi ai ka ndërtuar struktura për ta ruajtur trashëgiminë e tij, që në pikëpamjen e vet, nuk është e partisë. Ai u ka dhënë forcave të armatosura më shumë pushtet ekonomik dhe ligjzbatues se çdo president tjetër meksikan, sepse ushtria i bindet pa diskutim dhe ai u beson atyre.

Trashëgimia e tij më jetëgjatë mund të ngelë pikërisht kjo: militarizimi i zbatimit të ligjit dhe çështjeve ekonomike, eliminimi i të gjitha agjencive të pavarura dhe mbikëqyrëse, sulmet e shpeshta ndaj medias dhe lëvizjet gjyqësore që kritikët thonë se do ta dobësojnë demokracinë.

Forcat e armatosura tani udhëheqin aeroportet, trenat, doganën – e edhe një linjë ajrore.

“E vërteta është se ekziston një trashëgimi vërtet e rëndësishme dhe kjo është trashëgimia e militarizimit”, ka thënë Guadalupe Correa-Cabrera, profesoreshë në Universitetin “George Mason”.