Botë

Presidenti kroat zemëron Bosnjën me fjalimin në OKB

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka shkaktuar zemërim në Bosnjë-Hercegovinë, pas fjalimit që ka mbajtur sot në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së.

Milanoviqi në OKB ka thënë se ai është përfaqësues i të gjithë kroatëve kudo që jetojnë dhe ka pyetur kryesuesin e Presidencës së Bosnjës, Zheljko Komshiq, po ashtu kroat, se pse i është dashur të marrë pjesë në asamble.

“Ai (Komshiq) nuk di se me çfarë mandati dhe në emër të kujt po flet. Edhe nëse është përfaqësues i kroatëve, pasi Presidenca e Bosnjës funksionon me tre anëtarë, i kam thënë se unë jam president i qytetarëve kroatë, edhe të atyre që jetojnë në Bosnjë. Ky është obligim imi”, ka thënë Milanoviq, përcjell AlJazeera.

Në pyetjet-kritikat e gazetarëve për këtë, Milanoviq ka thënë se e ka obligim të mbrojë e të përfaqësojë kroatët me Kushtetutë, kudo jetojnë.

Kjo ka shkaktuar shumë reagime në Bosnjë, që është parë si përzierje në punë  të brendshme të këtij vendi.

Në fakt, gjendja në Bosnjë është tejet e rëndë. Në Presidencë përfaqësohen tri kombësitë që përbëjnë këtë vend: boshnjakët, serbët dhe kroatët. Aktualisht kryesues i Presidencës është Komshiqi, kroat.

Anëtari serb i Presidencës, Milorad Dodik, ka kohë që bën përpjekje për të ndarë Republika Srpskan nga Bosnja. Vizitën e Komshiqit në selinë e OKB-së e ka quajtur private, pasi sipas tij, për politika të jashtme duhet konsensusi i tre anëtareve.