Botë

Presidenti jugkorean pritet t’i shpëtojë shkarkimit

parlamenti - Koreja e Jugut

Ligjvënësit e Koresë së Jugut të shtunën kanë nisur mbledhjen për të votuar për nisjen e procedurave të shkarkimit të presidentit Yoon Suk Yeol pas përpjekjes së tij për ta futur në fuqi ligjin ushtarak, ndërsa protesta mbarëkombëtare kanë thirrur për largimin e tij. 

Ata janë mbledhur në Parlament disa orë pasi Yoon lëshoi një kërkimfalje publike për lëvizjen e tij. 

Disa anëtarë të partisë në pushtet kanë dalë nga salla duke lënë të kuptohet se do ta bojkotojnë votimin. E, disa deputetë opozitarë i kanë quajtur “tradhtarë”. 

Udhëheqësit e opozitës kanë thënë se nëse mocioni dështon, ata planifikojnë ta rishikojnë atë sërish të mërkurën.

Protestuesit kërkojnë shkarkimin e presidentit jugkorean

Për ta shkarkuar presidentin Yoon nevojiten dy të tretat e votave në Parlament, apo votat e 200 nga 300 anëtarët e tij. Partia Demokratike dhe partitë e tjera të vogla opozitare së bashku kanë 192 ulëse. Por, kur Parlamenti e rrëzoi shpalljen e ligjit ushtarak nga Yoon, me një votim 190-0, 18 deputetë nga partia e Yoon, Fuqia e Popullit, votuan për ta rrëzuar ligjin ushtarak, sipas zyrtarëve të Asamblesë Kombëtare.

Sapo të miratohet, nis gjykimi para Gjykatës Kushtetuese – këshill nëntë-anëtarësh. Nëse gjashtë prej tyre e miratojnë akuzën, presidenti shkarkohet. Kryeministri Han Duck-soo, njeriu numër dy në Qeverinë e Koresë së Jugut, do t’i marrë përsipër përgjegjësitë presidenciale. 

Ndërkohë në Kore kanë nisur edhe protesta qysh pas njoftimit për ligjin ushtarak. E stafi i presidentit tashmë ka dhënë dorëheqje. 

Nuk është hera e parë që një president i Koresë së Jugut përballet me procesin e njohur si “impeachment”. Para më pak se dhjetë vjetësh presidenti Park Geun-hye u akuzua për ndihmë të një miku në kryerjen e zhvatjes më 2016.

Më 2016, procesi ishte i suksesshëm. 234 deputetë kishin votuar pro për largim të presidentit Park. Më 2004, në një tjetër rast, Roh Moo-hyun u akuzua dhe u suspendua për dy muaj. Më pas Kushtetuesja e riktheu në detyrë.

Dështon mocioni për shkarkimin e presidentit jugkorean

4 muaj më parë / 7 dhj 2024 14:18
presidentit i Koresë së Jugut

Ka dështuar mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, pasi deputetët e tij bojkotuan votimin në Parlament.

Dështimi i mocionit pritet të nxisë protesta më të mëdha në Korenë e Jugut prej të cilave është bërë thirrje për shkarkimin e presidentit që kur ai tentoi të fuste në fuqi ligjin ushtarak.

Mocioni ishte iniciuar nga partitë opozitare. 195 deputetë votuan nga 200 sa kërkohet që mocioni të jetë i suksesshëm.

"Me një total prej 195 votash, numri i anëtarëve që votuan nuk arriti shumicën e kërkuar prej dy të tretave të gjithsej anëtarëve. Prandaj, deklaroj se votimi për këtë çështje nuk është i vlefshëm", ka thënë kryetari i Parlamentit, Woo Won-shik. 

Para votimit, presidenti Yeon ka kërkuar falje publike për vendimin e tij për shpallen e gjendjes së luftës, ndërsa mijëra protestues ishin përpara Parlamentit.