Botë

Presidenti i rraskapitur e i zhgënjyer me aleatët perëndimorë, por i fiksuar me fitoren

Dy artikuj të botuar këtë javë japin një vlerësim të ashpër të perspektivës së Ukrainës në luftën e saj me Rusinë. Njëri – nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase – pranon se fusha e betejës ka arritur në një ngërç dhe një luftë e gjatë zhgënjyese nga e cila përfiton Moska. Tjetri e portretizon presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si të rraskapitur nga përpjekja e vazhdueshme për të bindur aleatët që ta mbajnë besimin.

Komandanti Valery Zaluzhny ka thënë në një intervistë të gjatë me “Economist” se “si në Luftën e Parë Botërore kemi arritur nivelin e teknologjisë që na fut në ngërç”.

Ai pranon: “Me shumë gjasa nuk do të ketë përparim të thellë dhe të bukur”, por në vend të kësaj një ekuilibër humbjesh dhe shkatërrimesh të mëdha.

Image

Në të njëjtën kohë, në një intervistë për “Time”, Zelensky ka thënë se “askush nuk beson në fitoren tonë ashtu si besojmë ne. Askush”. Por, ai ka shtuar se rrënjosja e këtyre besimeve tek aleatët e Ukrainës “ta merr të gjithë fuqinë dhe energjinë”.

Gazetari i “TIME”, Simon Shuster, e përshkruan Zelenskyn si të lodhur dhe nganjëherë nervoz e në ankth se përkushtimi i aleatëve po venitet.

Por, Zelensky është i fiksuar me fitoren dhe nuk do të pranojë armëpushim apo negociata. “Për ne, kjo do të nënkuptonte të lëmë këtë plagë të hapur për gjeneratat e ardhshme”.

Image

Pesë muaj pasi Ukraina nisi kundërofensivën e shumëpritur, frika e Zelenskyt dhe vlerësimi i Zaluzhnyt vijnë ndërsa fokusi i botës është zhvendosur në Lindjen e Mesme dhe rreziku se lufta e Izraelit me Hamasin mund të përhapet në një konflikt më të gjerë rajonal.

Vetë Zelensky e pranon këtë për “Time”: “Sigurisht se ne humbim nga ngjarjet në Lindjen e Mesme. Njerëzit po vdesin, dhe ndihma e botës nevojitet atje për të shpëtuar jetë...”

Image

Ngërçi në front

Forcat ukrainase kanë marrë vetëm një pjesë toke që nga vera; Rusia ende zë gati 1/5 e vendit. Në disa zona, si përreth Avdviikas dhe Vuhledarit në Donetsk, e afër Kupyanskut në Kharkiv, ukrainasit janë në mbrojtje teksa Rusia derdh municion dhe burra në betejë, shkroi CNN.

Zaluzhny ka thënë se Kremlini është i vetëdijshëm për humbjet e mëdha nga ushtria ruse – mbi 100,000 burra sipas shumë të dhënave.

Zaluzhny duket i habitur që arsenali i dërguar Ukrainës nga aleatët perëndimorë, dhe mobilizimi i më shumë brigadave, kanë bërë shumë pak diferencë. Ndërrimi i komandantëve dhe lëvizja e divizioneve nuk kanë pasur asnjë ndikim, ka thënë ai.

“Katër muaj duhej të ishin të mjaftueshëm për ne të arrinim në Krime, të luftonim në Krime, të riktheheshim nga Krimea dhe të shkonim e të ktheheshim sërish”, ka shtuar ai.

Megjithatë, mbrojtja ruse ka qenë e pamundur të shtypet.

Inferioriteti i Ukrainës në ajër ka penguar përparimet në terren dhe Zaluzhny ka paralajmëruar se në fund të këtij viti Rusia mund të vendosë skuadra të reja sulmi.

Ai ka treguar se i është rikthyer analizave të vjetra sovjetike të Luftës së Parë Botërore për të parë ku dallonin a ngjasonin me situatën sot.

“E kuptova se jemi ekzakt në të njëjtin vend sepse sikur atëherë, niveli ynë i zhvillimit teknologjik sot na ka vendosur ne dhe armiqtë tanë në huti”.

“Fakti i thjeshtë është se ne shohim gjithçka që po bën armiku, dhe ata shohin gjithçka që ne bëjmë”.

Në të njëjtën kohë, ai pranon se ushtria ruse ka mësuar dhe është adaptuar. Zaluzhny pohon se Rusia “do ta ruajë avantazhin në armatim, pajisje, raketa dhe municione për një kohë”.

Image