Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se Evropa nuk duhet ta rikthejë më kurrë furnizimin me gaz të Rusisë, madje edhe nëse Rusia dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje paqeje.
Duda i ka thënë BBC-së se tubacionet e gazit "Nord Stream", të cilat nuk janë përdorur që nga viti 2022, "duhet të çmontohen".
Kjo, ka thënë ai, do të nënkuptonte se Gjermania nuk do të tundohej të rikthente furnizimet ruse për të ndihmuar ekonominë e saj e cila ndodhet në vështirësi.
"Mund të shpresoj vetëm se liderët evropianë do të marrin mësime nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe se ata do të marrin një vendim për të mos rivendosur kurrë pompimin e gazit përmes këtij tubacioni”, është shprehur ai.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Duda ka këmbëngulur se sanksionet ekonomike kundër Rusisë po funksionojnë dhe se vendet evropiane duhet t'i rezistojnë presionit nga kompanitë për të rikthyer lidhjet e biznesit.
Tubacionet e gazit “Nord Stream” janë ndërtuar nga gjiganti rus i gazit “Gazprom” dhe qarkullonin midis Rusisë dhe Gjermanisë veriore.
Nord Stream 1 është mbyllur në vitin 2022 teksa Nord Stream 2 nuk është përdorur kurrë, pas pushtimit të Ukrainës. Të dyja janë dëmtuar nga shpërthimet në vitin 2022.
Çmimet e gazit në Evropë janë rritur pas mbylljes dhe, muajt e fundit, politikanët nga partia e djathtë gjermane, AfD kanë sugjeruar që tubat e gazit “Nord Stream” të rifillojnë funksionimin.
Gjermania do të mbajë zgjedhjet federale më 23 shkurt.
"Unë besoj se tubacionet Nord Stream duhet të çmontohen. Ky gazsjellës shkakton një kërcënim shumë të madh për Ukrainën, Poloninë, Sllovakinë por edhe për vendet e tjera të Evropës Qendrore. Është një kërcënim nga pikëpamja e energjisë, nga pikëpamja e ushtrisë, por gjithashtu është një kërcënim i madh ekonomik, sepse do të thotë një dominim i Rusisë mbi Evropën në kuptimin ekonomik”, është shprehur ai.