Me rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, erëra të reja po fryjnë në drejtimin e ish-aleatëve evropianë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është fillimi i fundit për evropianët që të reagojnë kundrejt asaj që po definohet si rendi i ri botëror. “Duhet marrë si e mirëqenë që garancitë e sigurisë amerikane për Evropën kanë mbaruar. Është një botë e re. Francezët kanë pasur absolutisht të drejtë rreth autonomisë strategjike, dhe shprehja britanike se Amerika ‘do të jetë përgjithmonë lideri i NATO-s’ është dëshmuar plotësisht e gabuar”, ka deklaruar Richard Shirreff, ish-zëvendëskomandant i lartë i NATO-s në Evropë.
Në çdo ndalesë të udhëtimit 1,600-kilometërsh, evropianët po përballen me realitetin e ri dhe shqetësues, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripërcaktojnë aleancat.
Përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, flet për “oqeanin e madh e të bukur” që ndan SHBA-në nga lufta në Ukrainë, në anën tjetër 1,600 kilometra hekurudhë lidhin stacionin Pancras në Londër me qytetin e Lvivit në Ukrainën perëndimore.
Udhëtimi 19-orësh përfshin Brukselin, Frankfurtin, dhe kryeqytetin austriak, Vjenën, para se treni të kalojë në qytetin juglindor të Krakowit në Poloni dhe pastaj në qytezën kufitare të Przemysl, ku edhe takohen hekurudhat e Evropës Perëndimore me ato të Ukrainës dhe Rusisë në lindje.
Në çdo ndalesë, evropianët po përballen në mënyra të ndryshme me realitetin e ri dhe të trazuar, si pasojë e paralajmërimit të presidentit amerikan në javët e fundit për fundin e së ashtuquajturës “Pax Americana” (përkthyer nga latinishtja: Paqja Amerikane).
Në Londër, me të drejtë ose jo, dhe ndoshta thjesht nga nevoja, ideja e marrëdhënies së veçantë mbetet ngushëllim. Në Bruksel ka një vendosmëri të fortë, por prirja për të shtyrë vendimet vazhdon të ekzistojë.
Një politikan gjerman e ka përshkruar qeverinë e ardhshme në Berlin si “plumbi i fundit i demokracisë”, por disa të tjerë shqetësohen se ata do ta “plagosin veten në këmbë”. Tradicionalisht, austriakët kapen për statusin e tyre neutral, duke menduar se kjo do t’i mbajë të sigurt. Në Poloni, është, ndoshta, qartësia më e madhe se si duhet vepruar. Megjithatë, klasa e saj politike e polarizuar, tradicionalisht me një qasje atlantiste dhe e çoroditur nga kthesa në Washington, debaton se si të gjejë fondet për ta bërë këtë, gjersa opinioni publik lëkundet për pranimin e 1 milion refugjatëve ukrainas. Mendimtari neo-marksist, Antonio Gramsci, citohet të ketë thënë në vitin 1929 se “bota e vjetër po vdes dhe se bota e re ka vështirësi të lindë; tani është koha e përbindëshave”.

Londër, Britani e Madhe: “Ende duke u përpjekur të jetë urë lidhëse”
Kishte një ndjenjë të përmbushjes në ndërtesën kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, kur gjatë prononcimeve të tij të paparashikueshme para mediave në Zyrën Ovale javën e kaluar, presidenti Donald Trump pati thënë se ishte i kënaqur me vendimet e fundit të NATO-s. Është frazë e cila po përsëritet nga sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, si pjesë e përpjekjes së Britanisë për të mbajtur Washingtonin të zënë. Tani ajo po jehon në Shtëpinë e Bardhë.
Personi i parë që Healey telefonoi pas vendimit të Britanisë së Madhe për të rritur shpenzimet e saj të mbrojtjes në 2.5% të Bruto Produktit Vendor (BPV) deri në prill të vitit 2027 ishte homologu i tij amerikan, Pete Hegseth. Në gjashtë javët sa Hegseth është në detyrë, Healey ka biseduar me të katër herë, dy herë sy më sy. Ndërkohë, çdo të martë, nga ora 18:00, sekretari britanik i Mbrojtjes telefonon e komunikon po ashtu me homologun e tij ukrainas, Rustem Umerov.
“Është shumë e qartë se një parakusht që SHBA-ja ta marrë seriozisht sigurinë evropiane është që Evropa të tregojë se po e merr seriozisht sigurinë e saj”, ka thënë një burim i afërt i Ministrisë së Mbrojtjes, për “The Guardian”.
Pakkush do të kontestonte se kryeministri britanik, Keir Starmer dhe Healey kanë aktivizuar të gjitha mjetet diplomatike në dispozicionin e tyre. Richard Shirreff, ish-gjeneral britanik dhe ish-zëvendëskomandant i lartë i NATO-s në Evropë, ka vlerësuar se “kryeministri ende po përpiqet të jetë urë lidhëse midis Trumpit dhe NATO-s” dhe nëse SHBA-ja është e gatshme për këtë, “atëherë fantastike”.
“Nga një këndvështrim i sigurisë, unë mendoj se ne duhet të pranojmë që Evropa dhe Kanadaja duhet të fuqizohen edhe pa Amerikën. Duhet të jemi të sinqertë. Amerika jo vetëm që është larguar gradualisht. Ajo e ka shkëputur veten. Cilido që mendon se Amerika është e përkushtuar njëmendtë në NATO është ... Nuk e di se çfarë po tymosin”, ka thënë ai.
“Duhet marrë si e mirëqenë që garancitë e sigurisë amerikane për Evropën kanë mbaruar. Është një botë e re. Francezët kanë pasur absolutisht të drejtë rreth autonomisë strategjike, dhe shprehja britanike se Amerika ‘do të jetë përgjithmonë lideri i NATO-s’ është dëshmuar plotësisht e gabuar”, ka vazhduar Shirreff.
Ai ka shtuar se “mënyra e vetme se si ne do të shmangim katastrofën në Evropë është përmes parandalimit efektiv, dhe parandalimi efektiv nënkupton se duhet të jemi gati për rastin më të keq”.
Sipas Shirreff, “rasti më i keq është lufta me Rusinë, dhe kjo nënkupton se ne duhet jo vetëm që të rrisim madhësinë dhe kapacitetin e forcave tona ushtarake, neve na duhet mbi të gjitha të ndërtojmë rezistencë ndërshoqërore”.
“Ne duhet të shikojmë sigurinë e brendshme. Ne duhet të shikojmë mbrojtjen civile, dhe neve na duhet të mobilizojmë industritë, të përgatisim ekonominë për luftë”, ka thënë ai.

Bruksel, Belgjikë: “Këshillat e luftës”
Orari i shërbimeve të ‘Eurostar’ nga stacioni i trenit Pancras në Londër deri në Bruksel, dikur përcaktonte kufijtë e ditës së punës për Georg Riekeles, si një zyrtar i BE-së që merrej me negociatorët britanikë të Brexitit.
Riekeles, me kombësi norvegjeze, ka punuar për institucionet e Brukselit rreth 15 vjet, kohëve të fundit si këshilltar diplomatik i Michel Barnier. Sot, duke pirë një birrë të vogël në barin “Le Coin du Diable” nën hijen e ndërtesës së Komisionit Evropian, ai po shijonte pushimin nga puna për think tankun, “Qendra për Politika Evropiane”.
“Nuk është ekzagjerim të thuhet se vendet evropiane po ballafaqohen me situatën më të vështirë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë ai.
Disa nga barrikadat që përforcuan ndërtesën e BE-së gjatë samitit të liderëve evropianë, të mbajtur më datë 6 mars në Bruksel, ende nuk janë hequr. Liderët e BE-së patën rënë dakord të “bëhen më të përgjegjshëm për mbrojtjen e tyre”. Ata miratuan një vendim për të alokuar 150 miliardë euro (125 miliardë paund) si formë e huadhënies në shpenzimet e mbrojtjes evropiane dhe për të lehtësuar rregullat mbi shpenzimet dhe borxhin, duke lejuar Evropën të mbledhë edhe 650 miliardë euro gjatë katër vjetëve të ardhshëm për armatim.
Pas viteve të tëra që Franca bënte thirrje të vazhdueshme për autonomi strategjike nga SHBA-ja, liderët evropianë përfundimisht reaguan pas vendimeve të njëpasnjëshme të Trumpit për të pezulluar përkohësisht ndihmat ushtarake dhe inteligjente ndaj Ukrainës, fillimit të bisedimeve dypalëshe me presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe sulmit ndaj bizneseve evropiane me tarifa të importit.
“Samiti duhet të shihet si ndër episodet e para të ‘këshillave të luftës evropiane’”, ka thënë Riekeles. Ai parashikon se ndihma financiare dhe ushtarake për Ukrainën do të rritet ndërkohë që po punohet për marrëveshje të sigurisë që janë më pak të varura nga SHBA-ja. Por, sipas Riekeles, ky “nuk është sistem ku mund të shtypësh një buton”.
“Realiteti është se duhet të kalojë pak kohë që t’i përgjigjesh ‘botës së re’”, ka thënë ai.
“Merreni si shembull Gjermaninë, ata vendosën të vareshin nga Rusia për energji, nga Kina për tregti dhe nga Amerika për siguri. Që të tria këto janë zhdukur”, ka thënë Riekeles.
Frankfurt, Gjermani: “Vend jofunksional”
Ndërsa treni me shpejtësi të lartë nga Brukseli për në Frankfurt hyn në stacionin e Ahenit, në kufirin midis Belgjikës dhe Gjermanisë, dy oficerë gjermanë me uniformë të zezë vërejnë diçka dhe nisin të vrapojnë përgjatë platformës. Ata hipin në tren dhe drejtohen menjëherë te një burrë me ngjyrë, i ulur në mes të vagonit 23.
“Ku është karta juaj e identitetit?”, i kërkojnë atij në anglisht, pasi ai nuk e kupton gjermanishten e tyre. Ai ua jep pasaportën. Dokumentet e tij janë në rregull. Më pastaj ata largohen.
“Gjithmonë e njëjta gjë. Është ndjenjë shumë e pakëndshme. Po fillon të kthehet në sistem racist”, ka thënë Oliver Gnad, drejtor i institutit kërkimor “Bureau of Current Affairs” në Frankfurt.
Në vitin 2022, Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore ka gjetur se më shumë njerëz me prejardhje nga Afrika Sub-Sahariane po ndalohen prej policisë në Gjermani (33%) se në çdo vend tjetër në Evropë, përveç Austrisë (40%), në pesë vjetët e fundit.
Imigrantët dhe azilkërkuesit janë shndërruar në shënjestër për politikanët që kërkojnë të menaxhojnë me zemërimin e atyre gjermanëve të rëndomtë që vuajnë pasojat e ekonomisë së dobësuar dhe infrastrukturës së dështuar të Gjermanisë, e cila ilustrohet më së miri nga rrjeti hekurudhor shpeshherë i kritikuar.
Pas zgjedhjeve të fundit, kancelari gjerman në ardhje, Friedrich Merz, njëkohësisht lideri i partisë së qendrës së djathtë “Unioni Kristian-Demokrat” (CDU), e ka bërë publik planin e tij sa u përket ndryshimeve të reja kushtetuese, prej të cilave parashihen shpenzime deri në 1 trilion euro, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe atë të infrastrukturës.
“Gjermania është kthyer”, ka thënë ai.
Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman (Bundestagu), ka miratuar të martën ndryshimet kushtetuese që e lejojnë qeverinë e ardhshme federale t’i tejkalojë kufizimet buxhetore.
Një total prej 513 deputetëve votuan në favor të ndryshimeve, ndërsa 207 deputetë votuan kundër. Sipas ligjeve në fuqi, dy të tretat e votave (489 sosh) janë të nevojshme për të shtyrë përpara ndryshimet kushtetuese.
Ndryshimet u realizuan përmes votave të partive CDU/CSU, SPD dhe Partisë së Gjelbërt, që ishin pajtuar në parim mbi propozimet javën e kaluar.
Profesori Matthias Moosdorf, violonçelist me profesion dhe me model flokësh që të kujton yllin e popit Leo Sayer në kulmin e tij, është zëdhënësi i politikës së jashtme të AfD-së në Bundestag.
Ky deputet ka thënë se iu bashkua AfD-së, pasi u përjashtua për bindjen e tij se Gjermania kishte problem me “kulturat e tjera që nuk lidhen me kulturën tonë”. “Kolegët e mi nga bota e muzikës më thanë, ‘OK, tani je i angazhuar me këtë parti naziste dhe nuk të lejojmë më të mbash asnjë koncert’”, ka thënë ai.
Moosdorf beson se Vladimir Putin nuk paraqet kërcënim për Gjermaninë dhe se nxitimi për të ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që të rriten shpenzimet është akt “antidemokratik”.
“Ne jemi vend jofunksional”, ka thënë ai.
“Kemi të gjitha problemet me migracionin. Kemi të gjitha problemet me deindustrializimin. Nuk ka asnjë kuptim që një vend i madh si Rusia të rrezikojë një luftë kundër NATO-s, kundër Gjermanisë. Kjo është tërësisht absurde”, ka shtuar ai.
AfD-ja doli partia e dytë më e madhe në Gjermani, pasi fitoi 20.8% të votave në zgjedhje dhe është betonuar si forca politike dominuese në Gjermaninë lindore.
“Nëse ata (qeveria) nuk përmirësojnë standardin tim të jetesës, nëse ata nuk ndërhyjnë për të ndaluar imigracionin masiv, atëherë unë mendoj se AfD-ja do të rritet në partinë më të madhe në zgjedhjet e radhës”, ka thënë Gnad, i cili u detyrua të punojë prej shtëpisë për shkak të grevës në shërbimet e transportit.
Njëri nga miqtë e tij është Ben Hodges, që ishte gjenerali komandues i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë deri në pensionimin e tij në vitin 2018. Ai jeton në Frankfurt me gruan e tij gjermano-amerikane.
“Kjo është gjithçka tjetër përveçse plan i paqes, është dorëzim”, ka thënë Hodges, 66 vjeç, në lidhje me ndërhyrjen e fundit të Trumpit.
“Mendoj se është patetike që Evropës iu deshtë kaq kohë e gjatë që të bashkohet dhe të kombinojë ekonomitë e saj kundër Rusisë. Mund të bllokosh Rusinë ekonomikisht, nëse ke qenë serioz rreth kësaj pune. Por, kam frikë se ka ende shumë vende të Evropës që përfitojnë nga krimi rus”, ka shtuar ai.
Lviv, Ukrainë: “Ose je me Ukrainën, ose me Rusinë”
Është fillimi i pranverës në Evropën Perëndimore, por teksa treni kalon përmes Medykas, fshatit kufitar në mes të Polonisë dhe Ukrainës, qielli është ngjyrë gri dhe ka reshje të mëdha të dëborës.
Në vagonin e dytë të trenit, Anastasia Krapyva po kthehet në Kiev për t’u takuar me familjen e saj. Ajo u largua nga Ukraina në drejtim të Gjermanisë në vitin 2023, ku punon në një pastrim kimik, dhe pranon se ka ndjenja të përziera për rikthimin e saj në shtëpi. E frikëson sadopak.
“S’është mirë. Çfarë Donald Trumpi po bën nuk është mirë për Ukrainën. Mund të jetë e mirë për Rusinë, por jo për Ukrainën”, ka thënë ajo.
Serhiy Kiral, nënkryetari i bashkisë së qytetit, i cili bart përgjegjësi po ashtu për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kishte vizituar Washingtonin në atë cilësi pak ditë para inaugurimit të presidentit, nuk është më pak i dëshpëruar me qasjen e Amerikës.
“Të jesh armik i Amerikës është e rrezikshme, por të jesh mik i saj është fatale”, e ka filluar ai bashkëbisedimin me citatin e famshëm të Henry Kissingerit.
“Çfarë do të vendosin amerikanët? A do të rreshtohen ata me Putinin?. Unë mendoj se deri me një pikë, nëse kjo vazhdon, ne duhet të themi ‘mjaft është mjaft’. Siç e dini, ose jeni me Ukrainën ose me Rusinë”, ka thënë Kiral.
Ai beson se Evropa mund ta mbushë boshllëkun e lënë pas nga Amerika. “Cila është alternativa?”, ka pyetur ai.
Illia Dmytryshyn, 26-vjeç, është parashutist ushtarak, i cili u plagos nga një plumb në kofshë gjatë luftimeve në Bakhmut, të Ukrainës lindore. Ai ka rrëfyer teksa ka parë me sytë e tij se si miku që u mundua ta shpëtojë atë, u bë copa-copa nga një dron.
“Ne tashmë kemi humbur shumë”, ka thënë Illia.
“Nëse evropianët vendosin të na ndihmojnë, kjo natyrisht se është e mirëseardhur. Por edhe nëse ata nuk na ndihmojnë, ne do të vazhdojmë sërish të luftojmë dhe të mbrojmë atdheun tonë deri në metrin e fundit”, ka shtuar ai.