Kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, ka bërë thirrje për hetim nga BE-ja lidhur me ndërprerjen masive të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali të hënën.
“Kemi nevojë për përgjigje urgjente”, ka thënë Montenegro të martën në një konferencë për media, raporton AP.
“Nga ana jonë, ne nuk do të kufizojmë përpjekjet për të kërkuar sqarime për portugezët përballë një çështjeje serioze që nuk e ka origjinën në Portugali”, ka deklaruar ai duke pohuar se shkaku i ndërprerjes nuk ishte për shkak të “mungesës së aftësisë së prodhimit dhe furnizimit me energji” të vendit të tij, por më tepër me lidhjen me Spanjën.
Qeveria portugeze ka thënë të martën në mëngjes se energjia elektrike është rikthyer për të gjithë 6.4 milionë konsumatorët.
Distributori portugez i energjisë REN ka thënë se nënstacionet elektrike nëpër të gjithë vendit janë duke punuar përsëri.
Ai e ka quajtur ndërprerjen “absolutisht të jashtëzakonshme”.
Trenat periferikë thuhet se po funksionojnë normalisht dhe metroja e Lisbonës ka njoftuar se po rifillonte gradualisht shërbimet.
Energjia është kthyer pothuajse plotësisht edhe në Spanjë gjithashtu herët në mëngjesin e së martës, por shumë pyetje mbetën rreth asaj se çka e shkaktoi një nga ndërprerjet më të rënda të energjisë elektrike në Evropë.