Popullisti Peter Pellegrini është zgjedhur president i ri i Sllovakisë, duke e trashëguar në post liberalen Zuzana Caputova, raporton “BBC”.
Pellegrini 48-vjeçar ka mposhtur në balotazh pro-perëndimorin Ivan Korcok. Pellegrini mori 53 për qind të votave.
Pellegrini ishte më herët kryeministër i Sllovakisë, ndërsa ai është aleat me kryeministrin e tashëm Robert Fico, që njihet për qëndrime pro-ruse.
Fico dhe aleatët e tij tash kontrollojnë Parlamentin, Qeverinë dhe Presidencën në Sllovaki.
Sllovakia ishte një prej aleateve më të vendosura të Ukrainës përpara se Fico të vinte në pushtet në tetor. Ai erdhi me zotimin për të ndalur furnizimet e Kievit me pajisje ushtarake sllovake.
Fico ka bërë thirrje për të ndaluar përkrahjen ushtarake të Ukrainës nga Perëndimi, të arrihet një armëpushim dhe të nisin bisedimet për paqe me Moskën. Fico së fundi tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është “demonizuar padrejtësisht” dhe tha se nëse Ukraina pranohet në NATO atëherë do të ishte fillimi i luftës së tretë botërore.