Botë

Polonia njofton “planin e trajnimit ushtarak” për të gjithë burrat

polonia

Kryeministri Donald Tusk ka njoftuar për planet që të gjithë burrat në Poloni t’i nënshtrohen trajnimit ushtarak.

Në një fjalim në parlamentin polak, Tusk ka thënë se qeveria synon të japë detaje të tjera në muajt e ardhshëm.

“Po bëhen përpjekje për të përgatitur trajnime ushtarake në shkallë të gjerë për çdo mashkull të rritur në Poloni. Ne do të përpiqemi të kemi një model gati deri në fund të këtij viti, në mënyrë që çdo mashkull i rritur në Poloni të trajnohet në rast lufte, në mënyrë që kjo rezervë të jetë e krahasueshme dhe adekuate me kërcënimet e mundshme”, ka thënë ai.

Tusk u shpreh se ushtria ukrainase ka 800 mijë ushtarë, ndërsa Rusia ka rreth 1.3 milionë dhe dëshiron të rrisë numrin e ushtrisë polake, duke përfshirë rezervistët, në 500 mijë nga rreth 200 mijë sa është tani.

“Ne po flasim për nevojën për të pasur një ushtri prej gjysmë milioni në Poloni, duke përfshirë edhe rezervistët. Duket se nëse i organizojmë gjërat me mençuri dhe po flas vazhdimisht me Ministrin e Mbrojtjes, do të ndërmarrim disa veprime. Kjo do të thotë rezervistët, por edhe stërvitje intensive për t'i bërë ata që nuk shkojnë në ushtri ushtarë të kompletuar dhe kompetent gjatë një luftë”, shtoi ai.

Tusku ka thënë se trajnimit ushtarak mund t’i nënshtrohen edhe gratë, por theksoi se në luftë vazhdojnë të dominojnë burrat.

Polonia ka marrë hapa për ta forcuar mbrojtjen veçanërisht pas luftës së Rusisë në Ukrainë.