Botë

Polonia nis hetimin e ndikimit rus dhe bjellorus brenda shtetit

Donald Tusk

Donald Tusk

Foto: Associated Press

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar se një komision special i ngarkuar me hetimin e ndikimit rus dhe bjellorus në Poloni ka filluar punën të mërkurën.

Në një konferencë për media në Varshavë, Tusku dhe zyrtarë të tjerë e kanë përshkruar komisionin si një trup jopartiak i përbërë nga ekspertë, qëllimi i së cilit është të mbrojë sigurinë kombëtare, raporton AP.

Puna e komisionit nis në kohën e shqetësimeve të sigurisë në të gjithë rajonin, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka hyrë në vitin e tretë.

Tusku ka lëshuar një urdhër në maj për themelimin e një komisioni për të hetuar ndikim rus dhe bjellorus në vitet 2004-2024. 

Ai dhe zyrtarët e tjerë polakë thonë se shteti është duke u përballur me sulme të intensifikuara hibride nga Rusia dhe fqinji e aleati i saj, Bjellorusia, që përfshin akte të supozuara të sabotimit, sulme kibernetike dhe rritje të presionit në kufirin Poloni-Bjellorusi. 

Numri i përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Bjellorusia në shtetin anëtar të BE-së, Poloninë, ka arritur muajve të fundit në deri 400 brenda ditës, sipas autoriteteve polake. 

Rojet kufitare polake kanë bërë të ditur edhe për rritje të sjelljes agresive nga disa imigrantë në anën bjelloruse të kufirit, të cilët në disa raste i kanë sulmuar ata me gurë dhe objekte të tjera. 

Komisioni do të përbëhet nga 12 anëtarë dhe do të udhëhiqet nga kreu i Shërbimit Ushtarak të Kundërzbulimit, gjenerali Jarosław Stróżyk.