Përplasja për eksportin e grurit ukrainas ka shtyrë Poloninë që të ndalë furnizimin me armatim për Ukrainën. Kryeministri polak ka thënë se nuk mund ta rrezikojë tregun duke lejuar importin e grurit nga Ukraina, teksa presidenti Zelensky ka thënë se disa shtete evropiane po bëjnë dramë me grurin e saj
Një prej aleateve më të vendosura të Ukrainës, Polonia, ka vendosur që të mos e furnizojë me armatim fqinjën e saj, për shkak të përplasjes diplomatike në lidhje me grurin.
Kryeministri Mateusz Morawiecki ka deklaruar se fokusi i Polonisë është vetëmbrojtja me armë edhe më moderne.
“Më nuk do të transferojmë armë në Ukrainë, sepse po armatosim Poloninë me armë moderne”, ka thënë kryeministri Morawiecki.
Polonia kishte furnizuar Ukrainën me 320 tanke të periudhës sovjetike dhe 14 aeroplanë luftarakë MiG-29. Mirëpo në javën e fundit dy shtetet janë përplasur për eksportin e grurit të Ukrainës.
Polonia të martën ka thirrur ambasadorin e Ukrainës në lidhje me komentet që ka bërë presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Polonia, Hungaria dhe Sllovakia zgjatën bllokadën ndaj grurit ukrainas.
Zelensky kishte thënë se është alarmante se si miqtë e Ukrainës në Evropë po luajnë me solidaritetin në teatrin politik duke bërë dramë me grurin.
Polonia ka kundërshtuar fjalimin e tij teksa ka thënë se ka qenë përkrahëse e Ukrainës që prej ditëve të para të luftës.
Kryeministri polak ka thënë se Polonia ishte duke e ndihmuar Ukrainën që të mposhtte barbarizmin rus, por nuk do të pajtohej që tregjet e Polonisë të destabilizoheshin me importin e grurit nga Ukraina.
Armët e periudhës sovjetike që Polonia ia ka dhuruar Ukrainës kanë nisur të zëvendësohen me armët moderne nga shtetet perëndimore.
Furnizimi me armë për Ukrainën do të ndalet sapo të përfundojë transporti i artilerisë në muajt e ardhshëm.
Partia në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” ka ashpërsuar retorikën e saj në javët e fundit për shkak të fushatës zgjedhore në Poloni, para zgjedhjeve të 15 tetorit. Pushteti u ka dalë në mbrojtje bujqve, të cilët kanë thënë se janë të kërcënuar nga gruri ukrainas.
Fillimi i pushtimit nga Rusia, detyroi Ukrainën që të kërkonte alternativa rrugore kur linjat detare në Detin e Zi u bllokuan nga forcat ruse. Kjo detyroi që sasi të mëdha të grurit ukrainas të përfundonin në Evropën Qendrore.
Për këtë arsye BE-ja përkohësisht ndaloi importin e grurit në pesë shtete: Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Sllovaki, me qëllim që të mbrohej bujqësia lokale, e cila frikësohej se gruri ukrainas po ulte çmimin.
Kur ndalesa përfundoi më 15 shtator, BE-ja vendosi që të mos e vazhdonte, por Hungaria, Sllovakia dhe Polonia e vazhduan ndalesën, ani pse Komisioni Evropian ka thënë se nuk varet nga shtetet anëtare që të vendosin për politikat e gjera të tregtisë.
Në fillim të javës, Ukraina ka dorëzuar padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër shteteve që ndaluan grurin e saj. Ukraina ka insistuar se është shkelje e obligimeve ndërkombëtare.