Botë

Polonia konfirmon rikthimin e furnizimeve amerikane në Ukrainë përmes saj

ATACMS

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm polak, Radoslaë Sikorski, ka thënë se furnizimet ushtarake amerikane në Ukrainë përmes Polonisë kanë rifilluar dhe se sistemi satelitor Starlink i përdorur nga ushtria ukrainase po funksionon.

Duke folur pas një takimi me homologun e tij ukrainas, Andrii Sybiha, në Varshavë, Sikorski ka thënë se furnizimet ushtarake nga qendra ndërkombëtare për ndihmë ushtarake dhe humanitare në aeroportin Rzeszoë-Jasionka në Poloninë juglindore pranë kufirit ukrainas kanë rifilluar, raporton BBC.

"Konfirmoj se furnizimet me armë përmes Jasionka janë kthyer në nivelet e mëparshme. E kuptoj që Starlink po punon gjithashtu”, u ka thënë Sikorski gazetarëve jashtë ministrisë së Jashtme.

Ministri polak ka konfirmuar se Varshava dhe Kievi janë të kënaqura me propozimet e reja për t'i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Ukrainës thotë se rezultatet e bisedimeve në Arabinë Saudite me SHBA-në janë "shumë të rëndësishme, pothuajse historike".

"Ukraina është vendi që dëshiron më shumë t'i japë fund kësaj lufte dhe të përfundojë një paqe të drejtë dhe të përhershme”, ka thënë Sybiha.