Botë

Polonia akuzon një ukrainas për spiunazh për Rusinë

Polonia

Gjykata Supreme në Poloni

Prokurorët në Poloni të martën kanë akuzuar një burrë ukrainas të lindur në Rusi, për pjesëmarrje në aktivitete të lidhura me inteligjencën ruse, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme në Poloni e ka arrestuar burrin në fillim të marsit, dhe gjykata e qarkut në Varshavë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 3 muajsh.

“Aktivitetet e të dyshuarit ishin rreth vëzhgimit të aseteve ushtarake në Poloni në emër të inteligjencës”, kanë deklaruar prokurorët, duke shtuar se bëhet fjalë për krim të dënueshëm me burgim nga pesë deri në 30 vjet.

“I dyshuari ka pranuar se e ka kryer aktin që ai akuzohej dhe ka dhënë shpjegim në atë që ai i përshkroi motive ideologjike për aktivitetet e tij si rezultat i lidhjeve të tij me Rusinë”, kanë deklaruar prokurorët.

Mbështetja e Varshavës për Kievin në mbrojtjen kundër pushtimit rus e ka bërë Poloninë cak për sabotimet dhe spiunazhin rus. Prokurorët gjatë nëntorit të kaluar kanë akuzuar dy burra në një çështje lidhur me bashkëpunimin me shërbimet e inteligjencës së Bjellorusisë.