Botë

Policia pati 90 sekonda ta ndalonte qarkullimin e automjeteve para shembjes së urës në Baltimore

Anija në Baltimore

Foto: Associated Press

Ishte mesi i natës kur një paralajmërim në radio njoftoi për anijen e madhe të mallrave që kishte humbur aftësinë drejtuese dhe po shkonte drejt urën Francis Scott Key.

Brenda 90 sekondash, policët që ndodheshin pranë u përgjigjën se ia arritën ta ndalonin qarkullimin e automjeteve mbi urën në Baltimore nga të dyja drejtimet.

Një veturë policie planifikoi të shkonte mbi urë për të njoftuar një ekip ndërtimi. Por, nuk e pati mundësinë. E pafuqishme dhe e ngarkuar me kontejnerë të mëdhenj, anija u përplas me një shtyllë mbështetëse të urës, raportoi AP.

“E gjithë ura ra”, tha njëri prej policëve.

Të paktën tetë persona ranë në ujë. Dy u shpëtuan, por gjashtë të tjerët, pjesë e ekipit të ndërtimit, nuk janë gjetur ende.