Policia në Belgjikë ka arrestuar katër persona të dyshuar se po planifikonin një sulm në sallën e koncerteve në Bruksel, ka njoftuar zyra e prokurorit federal të hënën, raporton agjencia “AP”.
I rrituri i arrestuar është akuzuar për “pjesëmarrje në aktivitete të një grupi terrorist” me synim për të kryer një sulm, është thënë nga prokuroria.
Tre individë të mitur po ashtu janë arrestuar.
“Sipas hetimeve fillestare, duket se salla e koncerteve në Bruksel ishte shënjestra specifike, ndërsa po planifikohej sulmi brenda pak javëve”, është thënë nga zyra.
Belgjika është tronditur nga sulmet ekstremiste në vitet e fundit. Sulmi i fundit ndodhi në tetor, kur u vranë dy tifozë suedezë të futbollit në Bruksel.
Një gjykatë vitin e kaluar shpalli fajtorë gjashtë persona për vrasje terroriste për sulmet në aeroportin e Brukselit dhe në metro, ku u vranë 32 persona në vitin 2016.
Në mesin e të dënuarve për rolin në sulmin e vitit 2016 ishte edhe Salah Abdeslam, që po vuan dënim me burgim të përjetshëm në Francë për rolin e tij në sulmet që goditën kafenetë në Paris, sallën e koncerteve Bataclan e po ashtu edhe stadiumin kombëtar të futbollit në vitin 2015.
Sulmet në Paris dhe Bruksel ishin të ndërlidhura me rrjetin e njëjtë të IS-it.