Policia holandeze ka arrestuar një çift që ka ikur nga hoteli ku po qëndronte në karantinë shkaku i COVID-19, raporton BBC.
Arrestimet janë bërë në aeroplan në aeroportin Schiphol në Amsterdam, para se aeroplani të nisej për në Spanjë të dielën.
Një burrë spanjoll dhe një grua portugeze i janë dorëzuar autoriteteve shëndetësore të Holandës.
Ky aksion vjen pasi 13 persona që arritën në Amsterdam në dy fluturime nga Afrika e Jugut rezultuan pozitiv me variantin e ri të koronavirusit, të njohur si Omicron.
Ata ishin në mesin e 61 pasagjerëve që rezultuan pozitivë me COVID-19.
Nuk është bërë e ditur nëse çifti i arrestuar është në mesin e atyre pasagjerëve.
Mediumet lokale kanë raportuar se ata arritën të iknin nga hoteli ku ishin karantinuar në rajonin veri-perëndimor Kennemerland, ku udhëtarët që kanë ardhur nga Afrika e Jugut aktualisht po mbahen të izoluar.
Në Holandë janë shtrënguar masat pas numrit rekord të rasteve dhe shqetësimit për variantin e ri.
Baret, restorantet dhe shitoret, duhet mbyllur më herët se më parë dhe ka numër të kufizuar të mysafirëve që lejohen nëpër shtëpi.
Njerëzit po ashtu janë inkurajuar të punojnë nga shtëpia, por çerdhet, shkollat dhe universitetet mbesin të hapura.
Mijëra persona kanë protestuar pas njoftimit për masat e reja më herët këtë muaj.
Holanda ka afro 20 mijë të vdekur nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Varianti i ri Omicron së pari është raportuar te Organizata Botërore e Shëndetësisë nga Afrika e Jugut. Dhe dëshmitë fillestare sugjerojnë se ka rrezik më të lartë të infektimit. OBSH-ja e ka vendosur këtë si variant shqetësues.