Policia belge është vënë në kërkim të dy personave të armatosur pas të shtënave të raportuara jashtë një stacioni metroje në qendër të Brukselit.
Pamjet e kamerave të sigurisë të publikuara tregojnë të paktën dy burra të maskuar dhe duke mbajtur armë kallashnikov në hyrje të stacionit “Clémenceau” në kryeqytetin belg herët të mërkurën, raporton BBC.
Video nga vendi i ngjarjes tregon një shkëmbim zjarri rreth orës 06:15 me kohën lokale.
Sarah Frederickx, zëdhënëse e policisë së Brukselit, ka thënë se të dyshuarit kanë ikur në stacionin e metrosë dhe mund të jenë ende në tunelet e metrosë.
Zëdhënësja ka thënë se nuk ka pasur të lënduar nga të shtënat. Si policia lokale ashtu edhe policia federale hekurudhore po kontrollojnë zonën.
Stacioni “Clémenceau” është mbyllur e po ashtu edhe stacioni aty pranë "Bruksel-Midi", i cili gjithashtu shërben si terminal për trenat e "Eurostar".
Dy linjat e metrosë që shërbejnë në qendër të Brukselit janë pezulluar gjithashtu, nga Gare de l'Ouest në Trône, që është afër Parlamentit Evropian.