Botë

Policia belge ndalon tubimin e ekstremit të djathtë

Policia belge ndalon tubimin e ekstremit të djathtë

Policia në Bruksel ndërpreu dhe ndaloi konferencën e elitës politike të ekstremit të djathtë të Evropës, që do të mbahej për disa ditë me radhë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe politikani britanik Nigel Farage, i njohur për rolin në largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, ishin pjesëmarrës për të folur në dy ditët e ardhshme, por policia mbërriti dy orë pas hapjes dhe njoftoi organizatorët se takimi është i ndaluar, raporton Politico.

Në momentin që mbërriti policia, tubimi tashmë kishte filluar dhe Farage po mbante fjalimin hapës.

Policët u dhanë të pranishmëve 15 minuta kohë për t'u larguar nga salla, por në fund nuk arritën të ndalonin tubimin dhe fjalimet vazhduan. Më pas policia njoftoi se askush nuk do të mund të hynte në sallë dhe se ata që u larguan nuk do të mund të ktheheshin.

Pak më shumë se një orë pas herës së parë, policia u kthye dhe u dha organizatorëve urdhër zyrtar për ndalimin e tubimit.

Policia u tha organizatorëve se kundërshtarët e ekstremit të djathtë kishin paralajmëruar protesta dhe se ekzistonte rreziku që të shkaktoheshin trazira.

Organizatorët kanë bërë të ditur se vendimin i kryebashkiakut të Brukselit për ndalimin e takimit do ta kundërshtojnë në gjykatë.

Përveç Farages dhe Orbanit, pjesëmarrës ishin edhe ish-ministrja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman dhe Eric Zemmour, kandidati për president të Francës dy vjet më parë.