Botë

Policia australiane vrau një 16-vjeçar pasi goditi një burrë me thikë

Australi

Një djalë 16-vjeçar u qëllua për vdekje nga policia pasi goditi me thikë një burrë në qytetin e Perthit në bregun perëndimor australian, thanë zyrtarët të dielën, raporton Associated Press.

Incidenti ndodhi në parkingun e një dyqani  në periferi të Willettonit mbrëmjen e së shtunës.

Adoleshenti e sulmoi burrin dhe më pas nxitoi në drejtim të policisë para se të qëllohej, u tha gazetarëve të dielën kryeministri i Australisë Perëndimore,  Roger Cook.

“Ka indikacione se ai ishte radikalizuar në internet”,  tha Cook në një konferencë për media. “Por unë dua të siguroj komunitetin, se në këtë fazë duket se ai veproi i vetëm”, shtoi Cook.

Një burrë rreth të 30-ave është gjetur në vendngjarje me një plagë thike në shpinë. Ai u dërgua në spital në gjendje të rëndë, tha një deklaratë e policisë.

Policia dhe agjentët e Organizatës së Inteligjencës Australiane të Sigurisë kanë kryer një hetim kundër terrorizmit në qytetin lindor të Sidneit që kur një djalë tjetër 16-vjeçar goditi me thikë një peshkop dhe prift ortodoks asirian në një kishë më 15 prill.