Botë

Plenkoviqi emërohet edhe zyrtarisht kryeministër i Kroacisë

Andrej Plenkoviq dhe Zoran Milanoviq

Andrej Plenkoviq dhe Zoran Milanoviq

Foto: Associated Press

Lideri konservator kroat dhe dy herë kryeministër, Andrej Plenkoviq, u takua me presidentin e vendit të premten. Takimi u zhvillua pasi ai u emërua zyrtarisht kryeministër, pasi lidhi një aleancë me një parti ekstreme, raportoi AP.

Bashkimi Demokratik Kroat në pushtet i Plenkoviqit fitoi shumicën e votave në votimin parlamentar të muajit të kaluar në shtetin anëtar të Bashkimit Evropian, por jo aq sa për të qëndruar në pushtet më vete.

Partia këtë javë ra dakord të formonte një koalicion me Lëvizjen e Atdheut të ekstremit të djathtë për një shumicë parlamentare.

Ligjvënësit do të miratojnë javën e ardhshme qeverinë e re të Plenkoviqit dhe mandatin e tij të tretë radhazi në detyrë.

Qeveria do të ketë një shumicë të vogël prej 78 ligjvënësish në asamblenë prej 151 anëtarësh, gjë që mund të çojë në pasiguri politike.

"Ne do të vazhdojmë në mandatin tonë të tretë të punojmë për përparim”, ka shkruar Plenkoviq në rrjetin X, pas emërimit të tij zyrtar nga presidenti, Zoran Milanoviq.

Lëvizja për Atdheun, ose PD, është një parti politike relativisht e re në Kroaci, e përbërë kryesisht nga nacionalistë radikalë dhe konservatorë socialë që ishin larguar nga HDZ e qendrës së djathtë.

Për herë të parë në vite, qeveria e Kroacisë nuk do të përfshijë një parti që përfaqëson minoritetin serb, sepse PD kundërshtoi përfshirjen e tyre, gjë që ka nxitur disa shqetësime rreth tensioneve etnike që rrjedhin nga konflikti në vitet 1990.