Botë

Planet top-sekrete të Trumpit për sulmet në Jemen u dërgohen “aksidentalisht” gazetarëve amerikanë

Donald Trump dhe Marco Rubio

Donald Trump dhe Marco Rubio

Foto: Associated Press

Jeffrey Goldberg, kryeredaktor i revistës “The Atlantic”, bëri zbulimin befasues të hënën kur ekipi i sigurisë kombëtare të presidentit Donald Trump, e shtoi atë në një bisedë top-sekrete mbi sulmet ushtarake në Jemen.

Dailymail ka shkruar se këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, e inkuadroi Goldbergun në aplikacionin Signal, që shfrytëzohet për mesazhe të koduara. Aty ishin edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard. Kryeredaktori i revistës amerikane tha se nuk e kupton si e gjeti veten në atë grup.

“Duhet të jetë e vetëkuptueshme, por gjithsesi do ta them, se kurrë s’kam qenë i ftuar në një takim të komitetit të drejtorëve të Shtëpisë së Bardhë dhe gjatë raportimit tim shumëvjeçar për çështje të sigurisë kombëtare, nuk kisha dëgjuar kurrë që një i tillë mblidhet në një aplikacion komercial”, ka shkruar ai në “The Atlantic”.

Historia tronditëse tregon se detaje operacionale u zbuluan padashur. Sekretari i Mbrojtjes, Hegseth, ish-prezantues i Fox Neës, tash po hetohet për këtë dështim.

“Pete Hegseth, sekretari i Mbrojtjes, më kishte dërguar një mesazh mbi planin e luftës në orën 11:44 të mëngjesit. Bombat filluan të binin në Jemen, në orën 14:00.

Goldberg ka shkruar se në fillim s'mund ta besonte që këshilltari i presidentit Trump për siguri kombëtare do të ishte aq i pamatur sa të përfshinte kryeredaktorin në diskutime të tilla, e edhe duke e përfshirë edhe zëvendëspresidentin.

Ai shtoi se s'do t'i zbulojë të gjitha informacionet që u zhvilluan në grup për shkak të sigurisë kombëtare, por tha se informacionet që jepeshin aty ishin zyrtare.

Presidenti Donald Trump kishte urdhëruar sulme kundër rebelëve të mbështetur nga Irani në Jemen, si një paralajmërim për Teheranin. Rebelët Houthi synonin anijet në Detin e Kuq nga vendet me lidhje me Izraelin, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.

Trumpi thotë se s’di gjë për rrjedhjen e bisedave, Shtëpia e Bardhë konfirmon “incidentin”

3 j. më parë / 24 mar 2025 21:27
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk di asgjë për prezencën e kryeredaktorit amerikan në grupin Signal ku rrodhën biseda mbi sigurinë kombëtare.

“Nuk di asgjë për këtë. Ju po më tregoni për herë të parë këtë”, është shprehur ai të hënën, raportoi BBC-ja.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar se një gazetar pa dashje u shtua në grupin me zyrtarë shtetërorë ku u diskutua sulmi ndaj rebelëve Houthi.