Botë

Planet e Gjermanisë për shpenzim të miliardave në forcimin e ushtrisë

ushtria gjermane

Ndryshimet e mëdha në politikën ndërkombëtare, me pikënisje luftën e Rusisë në Ukrainë, e kanë vendosur fuqinë më të madhe ekonomike të kontinentit evropian, Gjermaninë, para një udhëkryqi. Kancelari në ardhje i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka thënë se tani është momenti i duhur për vendin e tij që të investojë dhe t’i përforcojë kapacitetet ushtarake. E sa i përket kësaj, një raport shtetëror nënvizon se Ushtria gjermane vazhdon të përballet me mangësi evidente, siç janë mosha e lartë mesatare, mungesa e kazermave, si dhe e infrastrukturës bazike. Pavarësisht dobësive, gjenerali gjerman, Ralf Hammerstein, reflekton optimizëm se e ardhmja e forcave ushtarake është e ndritur

“A mendoni se mund t’i besoni Putinit?” - e ka pyetur CNN-in, gjenerali gjerman, Ralf Hammerstein, me buzëqeshje të hidhur.

Është pyetje retorike, të cilës shumica e vendeve evropiane do t’i përgjigjeshin në mënyrën e njëjtë me një “jo”.

Teksa administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vazhdon të kërkojë marrëveshje që i jep fund luftës në Ukrainë – një marrëveshje që mund të rezultojë më e favorshme për Moskën sesa për Kievin – Evropianët, për herën e parë ndër dekada, po përqendrohen në forcimin e kapaciteteve ushtarake.

Askund tjetër nuk është më evident ky ndryshim i qasjes sesa në Gjermani. Forca e saj e armatosur, e njohur si “Bundeswehr”, ka qenë viktimë e mungesës së investimeve për një kohë të gjatë – por kjo siç duket po ndryshon.

Kancelari në ardhje, Friedrich Merz, ka vendosur se tani është momenti i duhur për Gjermaninë të investojë në ushtri, në nivele që nuk janë parë që nga Lufta e Ftohtë.

Gjermania sapo ka miratuar reforma të mëdha sa u përket “frenave të borxhit”, duke pjekur kushtet për lëshimin e miliarda eurove në financim. Një model, i ndarë me CNN-in, sugjeron se nëse Gjermania shpenzon 3.5% të Bruto Produktit Vendor për ushtri, atëherë kjo mund të akumulohet në 600 miliardë euro gjatë një periudhe 10-vjeçare.

CNN-i e ka kaluar ditën me ushtarakët gjermanë te një vend i pazbuluar në Gjermaninë qendrore, teksa pesë aleatë të NATO-s morën pjesë në stërvitjet ushtarake. Simulimi kishte të bënte me sulmin e një “armiku të jashtëm” kundër vendeve anëtare të aleancës.

Duke folur në selinë e përkohshme rreth simulimit, Hammerstein, ka thënë për CNN-in se “Gjermania është komb i aftë në Evropë, dhe duhet të jetë partnere për vendet e tjera. Ne jemi partner i përgjegjshëm në Evropë dhe një komb i madh. Ne duhet të bëjmë më shumë, dhe ne do ta bëjmë këtë”.

Pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, ishte moment vendimtar për kontinentin. Lufta ishte kthyer dhe periudha e paqes relative, që kishte ekzistuar që prej rënies së “perdes së hekurt”, kishte mbaruar.

Në Berlin, ishte pikënisja e periudhës që njihet në gjuhën gjermane si “zeitenwende” – ose “pika e kthesës”. Në thelb, ishte fillimi i përpjekjes për t’i rritur shpenzimet ushtarake përsëri.

Kancelari në largim, Olaf Scholz, ka thënë se vendit i nevojiten politika të reja në mbrojtje dhe siguri – dhe se ushtrisë gjermane i duhet kushtuar vëmendje e posaçme.

Ai krijoi një fond prej 100 miliardë eurosh për “investime të gjithanshme” në Bundeswehr (Ushtri gjermane). Për ta bërë këtë, Scholz duhej të ndryshonte Kushtetutën e vendit.

Ndonëse fondi i krijuar ishte mirëpritur, zbatimi i politikës ka lënë shumë për të dëshiruar, dhe si rezultat i çarjeve brenda qeverisë, Scholzi e humbi përfundimisht pozitën e tij.

“Pika e kthesës”

Merz tani po e konsideron seriozisht ta konsolidojë “zeitenwenden” (pikën e kthesës).

Sudha David-Wilp, hulumtuese e lartë në think-tankun “Fondi Gjerman Marshall” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka thënë CNN-it se “Merzi dhe koalicioni i tij  duhet ta shpejtojë këtë...Aktualisht ka garë brenda fuqive të mëdha dhe fuqia e fortë është valuta e politikës ndërkombëtare”.

Përderisa simulimi ushtarak ishte në zhvillim e sipër, nga ana tjetër Merzi po shpaloste vizionin e ri për forcat e armatosura në Berlin. 

“Ne kemi besuar te një siguri mashtruese në shoqërinë tonë për të paktën një dekadë, ndoshta edhe më gjatë...Ky tani është ndryshimi i paradigmës në politikën e mbrojtjes e cila po qëndron para neve”. 

Që nga periudha e Luftës së Ftohtë, shpenzimet ushtarake të Gjermanisë në përqindje të Bruto Produktit Vendor kanë rënë në mënyrë drastike. Kulmi ishte në 4.9% në vitin 1963 dhe ra në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave në vitin 2005, vetëm në 1.1%.

Pikërisht në vitin 2024, Gjermania arriti kufirin e NATO-s prej 2% të BPV-së në shpenzimet për mbrojtje — hera e parë në më shumë se 30 vjet.

Hammerstein ka bërë të ditur se “çdo ushtri në botë, në histori dhe gjithashtu në të ardhmen, do të thotë gjithmonë se nuk ka mjaftueshëm”. Por, ai barazon situatën aktuale të Gjermanisë me varësinë ndaj “dividendit të paqes” të viteve ‘90, që “ishte ulje e investimeve për të gjitha ushtritë në botë, veçanërisht në Evropë”.

Ai mendon se Gjermania është në rrugën e duhur. Vitin e kaluar, për “herën e parë, ne ishim në gjendje të shpenzonim 2% të BPV-së në ushtri, konform me kriteret e NATO-s, dhe ne do të shpenzojmë para të tjera, sikurse 100 miliardë eurot në vitin 2022, dhe kjo do të vazhdojë, me kancelarin e ri që është absolutisht i përkushtuar në këtë drejtim”.

Merz mund të jetë i përkushtuar për forcimin e fuqisë ushtarake të Gjermanisë dhe për vendosjen e mbrojtjes së saj në terren më të sigurt, mirëpo raporti nga Komisionerja Parlamentare për Forcat e Armatosura, Eva Hogl, sugjeron se ka shumë punë të rëndësishme përpara.

Ushtria “e plakur”

I publikuar javën e kaluar, raporti nënvizon se Ushtria gjermane nuk i ka përmbushur kriteret, me një forcë luftarake të moshuar, si dhe me mungesa në kazerma dhe infrastrukturë bazë. Tek iu adresua gazetarëve, ajo ka thënë se “ushtria vazhdon të ketë pak nga gjithçka”.

Në vitin 2018, Gjermania u përkushtua të shtojë numrin e forcës luftarake në 203,000 deri më 2025 – e ky cak u ndryshua më vonë për vitin 2031. Siç thekson raporti, “ushtria përsëri dështoi në arritjen e synimeve origjinale”. Hogl ka thënë se aktualisht forca luftarake e “Bundeswehr” është akoma në 181,174. 

I pyetur se si kjo shifër mund të arrihet, Hammerstein, i cili ishte thirrur për shërbim ushtarak në vitin 1992, ndër të tjera ka kërkuar që të zbatohet një periudhë e shërbimit ushtarak. Gjermania e pezulloi shërbimin ushtarak obligativ në vitin 2011.

“Unë u binda nga ligji për t’iu bashkuar ushtrisë. Andaj, mendoj se ndonjë formë e shërbimit të detyrueshëm duhet të zbatohet me qëllimin për të rritur numrat e trupave”, ka thënë Hammerstein. 
“Nuk ndodh brenda natës – por rritja mbetet të shihet...duke filluar nga ky vit”, ka shtuar ai.

Raporti i Hoglit gjithashtu nënvizoi moshën e shërbimit në ushtri, duke thënë se ushtarët dhe ushtaret po bëhen gjithnjë e më të vjetër. Mosha mesatare në vitin 2019 ishte 32.4, ndërsa tani është rritur në 34.

Ndoshta pjesa më dënuese e raportit erdhi me një faturë të bashkangjitur. Në raport shkruan se nevojiten 67 miliardë euro për projektet e infrastrukturës, ndërkaq përshkroi kazermat dhe pronat se janë “ende në gjendje katastrofale”.

Sipas Hammersteinit, nuk ka të bëjë gjithmonë me paratë. Ai insiston se Gjermania ka bazë të fortë për t’u nisur. 

“Ka të bëjë me cilësinë dhe çfarë shoh unë gjatë stërvitjeve është se ne kemi një substancë të mirë. Ne kemi me të vërtetë ushtarë të motivuar...kjo më mban shumë optimist se substanca është mirë, dhe tani ne duhet të ta rrisim”, ka thënë Hammerstein.

Ka gjithashtu një ndryshim në mentalitetin kombëtar sa i përket “Bundeswehrit”. Ndërkohë që gjermanët zakonisht janë shumë të ndërgjegjshëm për imazhin e ushtrisë së tyre, veçanërisht kur merret parasysh historia e vendit, sondazhet tregojnë se pjesa më e madhe kanë mendim më pozitiv sesa në të kaluarën.

Një sondazh i realizuar nga transmetuesi publik gjerman ARD në muajin mars, ka treguar se 66% e të anketuarve besojnë se është e drejtë të rriten shpenzimet në mbrojtje dhe për ushtri, teksa 31% e të anketuarve kanë thënë se shpenzimet duhet të qëndrojnë njësoj ose të ulen gradualisht.

Sondazhi po ashtu ka zbuluar se 59% e të anketuarve ishin dakord që Gjermania duhet ta rrisë ndjeshëm borxhin e saj për të “përballuar detyrat që vijnë, veçanërisht në mbrojtje dhe infrastrukturë”.
Ndërsa Merz është në mision për të kthyer nga e para gjigantin gjerman, ai është i sigurt se po e vendos Gjermaninë në rrugën e duhur drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të pasur.

“Gjermania është kthyer. Gjermania po jep kontribut të rëndësishëm sa i përket mbrojtjes së lirisë dhe paqes në Evropë”, pati deklaruar Merz javën e kaluar në Berlin.