Botë

Piratët e Somalisë

Farah

Farah

Foto: BBC

Qyteti i vogël bregdetar i Somalisë, Eyl, konsiderohet pikë strategjike. Dhe si shkak, kur pirateria kishte arritur kulmin e saj, piratët kishin vendosur ta bënin lokacionin si seli të tyre. Nga këtu ata shënjestrojnë anijet me kontejnerë që transportojnë materiale nëpër botë dhe madje edhe cisterna të naftës, duke i detyruar kompanitë e dërgesave t’i ndryshojnë rrugët e tyre detare. Por çfarë i detyroi peshkatarët e thjeshtë të bëhen piratë famëkëqij

Dy peshkatarë somalezë, që po mbajnë veshur shalle të mëdha mbi kokat e tyre për ta fshehur fytyrën, shikojnë rrotull fshehurazi, teksa futen në një dhomë për të mbajtur një takim sekret me gazetarët e BBC-së. 

Takimi do të mbahet për t’iu treguar gazetarëve se pse kanë vendosur të bëhen piratë të armatosur – në kërkim të shpërblimeve milionadollarëshe.

“Ju jeni të lirë të incizoni – ne pranojmë”, thotë një prej tyre, teksa rrinë të ulur plot ankth, duke pritur intervistën, për të cilën u deshën muaj për t’u organizuar në një qytet të vogël bregdetar të Eylit.
Kjo sjellje është në kontrast të madh me trimërinë e piratëve, që dikur silleshin rreth këtij porti simpatik e të lashtë, të vendosur midis maleve të thata në bregun e Oqeanit Indian të Somalisë.
Gjithmonë është konsideruar pikë strategjike, jo vetëm për shkak të vendndodhjes, por gjithashtu se ka burim të ujit të freskët – dhe gjatë shpërthimit të piraterisë në fillim deri në mes të viteve 2000, piratët e kanë bërë lokacionin si bazë të tyre.

Është bërë e njohur si “Harunta Burcadda” – kryeqyteti i Piratëve. Nga këtu, ata kanë shënjestruar anijet me kontejnerë që transportojnë materiale rreth botës dhe madje edhe disa cisterna të naftës, duke i detyruar kompanitë e dërgesave t’i ndryshojnë rrugët e tyre detare.

Forcat Detare të Policisë së Puntlandit Foto: BBC

Autoritetet regjionale nuk kishin ndikim – dhe forcat e policisë lokale ishin shumë të frikësuara të futen në qytet.

Piratët i kanë mbajtur anijet e grabitura në bregdet dhe bizneset në qytet dhe rajon kanë përfituar nga pagesat që bëheshin për lirimin e tyre. Mes viteve 2005 dhe 2012, Banka Botërore ka vlerësuar se grupet pirate kanë fituar mes 339 milionë deri në 413 milionë dollarë.

Por, piratët kanë pësuar përmbysje të fatit, kur marinat ndërkombëtare kanë filluar t’i patrullojnë detet jashtë Somalisë dhe këto ditë Forcat Detare të Policisë së Puntlandit kanë ngre një bazë në Eyl.

Shumica e njerëzve në qytet e kanë mirëpritur këtë, meqë piratët kanë sjellë me vete edhe inflacionin, drogat, alkoolin dhe famën, të cilave u janë shmangur pleqtë myslimanë vendës.

Por pakënaqësia e kahershme e ndier ndaj anijeve të huaja, veçanërisht peshkatarëve, nuk është zhdukur kurrë në qytetin plot me peshkatarë, që varen te deti për mbijetesë. Edhe sot e kësaj dite ata i akuzojnë këto anije peshkimi se ua kanë vjedhur jetesën - shpesh me dhunë.

“Anijet erdhën dhe na morën pajisjet dhe gjërat personale”, ka thënë Fraha, një nga peshkatarët e kthyer në piratë, me shikimin plot vetëmbrojtje.

Si emri i tij ashtu edhe i shokut të tij Diiriye, i cili është i mbështjellë me shall të bardhë, janë ndryshuar – një nga kushtet e caktuara për ta dhënë intervistën për BBC-në.

Ai dhe disa të tjerë kanë investuar rreth 10 mijë dollarë në një sipërmarrje peshkimi për një varkë, motor dhe rrjeta peshkimi. Por Farah thotë se vitin e kaluar, një grup me peshkatarë të huaj kanë ardhur dhe ua kanë vjedhur rrjetat, së bashku me peshkun e kapur, dhe pastaj kanë qëlluar me armë motorin – duke e shkatërruar.

Dyshja jep edhe një shembull tjetër. Disa nga të afërmit e tyre kanë shkuar për t’i kontrolluar rrjetat një mëngjes dhe nuk janë kthyer më kurrë. Zakonisht peshkatarët dalin në agim dhe rikthehen para se të godasë i nxehti i mesditës.

Diiriye Foto: BBC

Tri ditë më vonë i kanë gjetur, duke ndenjur pezull në ujë në plazh.

“Ata kishin plumba në trupat e tyre”, thotë Diiriye. “Ata nuk kishin armë; kishin shkuar në det me rrjeta për ta siguruar jetesën”.

“Ne punojmë dhe jetojmë afër detit. Deti është biznesi ynë”, shton Farahu. “Kur dikush të ngacmon dhe të grabit, është e detyrueshme të luftosh. Ata i kanë shkaktuar luftimet. Nëse nuk do të na merrnin pronën, ne nuk do ta nisnim piraterinë”.

Këta burra – të moshave 30-vjeçare – nuk janë të vetmit që kanë marrë vendimin për t’u bërë piratë gjatë vitit të fundit.

Sipas forcave të marinës të Bashkimit Evropian “Operation Atalanta”, e cila patrullon aty afër, ka pasur rreth 26 sulme të piratëve mes viteve 2013 dhe 2019 – dhe pastaj asnjë nga viti 2020 deri në 2022. Por ata janë rikthyer në vitin 2023, me gjashtë sulme që janë bërë dhe 22 këtë vit, sipas të dhënave të 5 dhjetorit.

Shumica e këtyre përleshjeve nuk përfundojnë me grabitje të suksesshme – por kur ndodh, “ia vlen”. Piratët thonë se kanë marrë shpërblim prej 5 milionë dollarësh për ta liruar anijen e Bangladeshit, MV Abdullah, të grabitur në mars të vitit 2024. Pronari i anijes nuk e ka konfirmuar këtë, por ka thënë se është liruar pas negociatave.

Burimet në shtetin gjysmë autonom Puntland, ku ndodhet Eyli, kanë thënë se vlerësojnë të ketë rreth 10 banda, secila me nga 12 anëtarë, që operojnë në zonë.

Ata shkojnë në det për 15 deri në 30 ditë, duke i furnizuar varkat e vogla me kallashnikovë, granata me raketa (RPG), ushqim dhe karburant.

Farahu dhe Diiriye thonë se synimi i tyre është grabitja e një anijeje me madhësi mesatare në Oqeanin Indian dhe pastaj të rikthehen në anijen mëmë, që ta përdorin sistemin e gjurmimit GPS për të gjetur anije më të mëdha për t’i shënjestruar.

“Mund të sulmosh anijet duke përdorur varka të shpejta e të vogla”, thotë Farahu.

Lëshuesi i raketës “Bazooka” është gjithashtu pjesë e rëndësishme e strategjisë së tyre.

“Ne përdorim RPG-në për ta ndaluar anijen. Kur anija nuk dëshiron të ndalet, ne qëllojmë në drejtim të saj. Ne nuk vrasim. Synimi është të marrim diçka, e jo të vrasim. Qëllimi është t’i frikësojmë”, thotë Diiriye.

Të gjitha këto armë nuk janë të lira – kështu që bandat në thelb kërkojnë fonde nga investitorët e interesuar. Peshkatarët e pakënaqur shpërndajnë propozime dhe formohet një sindikatë që shpesh përfshin biznesmenë të ndryshëm nga qytetet Garowe dhe Bosaso.

Dikush mund t’i financojë barkat, dikush armët dhe dikush thelbësoret si karburantin. Këta biznesmenë ndonjëherë mund të investojnë në disa grupe, me shpresën se një prej tyre do të godasë në shenjë kur grabitet një anije, në mënyrë që ta ndajnë shpërblimin.

Dhe është e lehtë të gjesh armë në Somali – edhe në Eyl mund të gjesh një kallashnikov për rreth 1200 dollarë, si shkak i luftës dyvjeçare civile dhe viteve të paligjshmërisë.

Farahu dhe Diiriye thonë se nuk ishin të përshirë në epokën e artë të piraterisë dhe nuk kanë marrë ndonjë këshillë nga piratët e dalë në pension, disa prej të cilëve e kanë filluar këtë punë meqë ishin peshkatarë të pakënaqur.

Shumica e këtyre piratëve të vjetër janë larguar nga zona – shpesh kanë dalë jashtë shtetit ose janë penduar.

Në një rast të famshëm, një ish-pirat - Abdirahman Bakeyle – e ka dhuruar pasurinë e tij. Në vitin 2020, ai ia ka dhuruar shtëpitë dhe hotelet që i ka blerë në Garowe bamirësive myslimane dhe tani ai është bërë predikues udhëtues, që shkon nga qyteti në qytet në Puntland, duke i nxitur njerëzit të kenë një jetë të rreptë dhe moralisht të drejtë.

Adado, qytet në qendër të Somalisë ku piratët kanë investuar një kohë, e ka marrë nofkën “Qyteti i Kaltër”, sepse pallatet e tyre të sapondërtuara shpesh kishin çati të hekurit të lyera me ngjyrë të kaltër.
Shumica e këtyre shtëpive janë tani të thata – ose në dispozicion për t’u marrë me qira për vetëm 100 dollarë në muaj.

Në Eyl, të moshuarit e qytetit thonë se trashëgimia kryesore e piraterisë është prania e alkoolit, shpesh i kontrabanduar nga Etiopia dhe drogat e tilla si opiumi – me shqetësimet se disa të rinj, që tashmë përtypin stimuluesin e gjetheve khat, lloj droge dhe argëtim popullor i pasdites, po bëhen të varur.

Burrat, që mblidhen jashtë çajtoreve në pasdite për të luajtur me domino dhe për t’i diskutuar lajmet, thonë se nuk e aprovojnë piraterinë – edhe pse e kuptojnë armiqësinë ndaj anijeve të huaja.
Incidenti i fundit i tre peshkatarëve që janë qëlluar dhe vrarë, duket qartë se është në mendjen e shumë prej tyre.

Ali Mursal Muse, i cili ka peshkuar për karavidhe dhe peshkaqenë në Eyl për 40 vjet për ta mbështetur gruan dhe 12 fëmijët, beson se peshkatarët mund të jenë ngatërruar për piratë – siç i kishte ndodhur atij disa vjet më parë.

“Ne jemi larguar nga këtu me varka të ndryshme të peshimin dhe jemi nisur drejt detit. Në të njëjtën kohë piratët janë përpjekur ta grabisin një anije. Erdhi një avion. Varka ime u afrua në breg; varka tjetër e peshkimit u sulmua”, përkujton ai.

Vejusha Hawa Mohamed Zubery (40) beson se burri i saj ka takuar të njëjtin fat 14 vjet më parë, kur është zhdukur.

Kjo kishte ndodhur në një kohë kur pirateria kishte arritur kulmin dhe Zubery sapo kishte lindur një djalë, të cilin kanë dashur ta bëjnë synet. 

“Burri im mendonte se nëse kapte një peshkaqen, atëherë ne mund ta paguanim synetinë e foshnjës”, thotë ajo, qartas akoma e prekur nga vdekja e tij. Ajo thotë se tani has në probleme për t’i paguar faturat e shkollës për fëmijët e saj, duke shitur samosas (brumë me mbushje të shijshme, kryesisht perime, patate me erëza, qepë dhe bizele, por edhe mish ose peshk).

Muse thotë se problemi kryesor për të këto ditë janë sjelljet joetike të flotave peshkuese nga vendet si Irani dhe Jemeni, të cilët shpesh ia vjedhin pajisjet.

Ai beson se atyre u janë dhënë licenca false somaleze të peshkimit nga mbështetës të fuqishëm, të cilët iu sigurojnë edhe armë për mbrojtje. Ai i akuzon ata për vjedhje të peshkut dhe shkelje të zonës së tyre peshkuese.

“Ata kanë një zonë ku punojnë dhe madje vinë edhe në plazh. Kur shkojmë t’ua kërkojmë pajisjet e peshkimit, ata na qëllojnë. Kohëve të fundit ata kanë lënduar disa njerëz. Ata kanë qëlluar një djalë, duke ia lënduar këmbën dhe krahun”, tregon ai.

Hawa Mohamed Zubery Foto: BBC

Peshkatari thotë se është ankuar te autoritetet lokale në disa raste, por se kurrë nuk është ndërmarrë asgjë.

Ministri i Informacionit i Puntlandit, Caydiid Dirir, e pranon praninë e disa anijeve të paligjshme dhe thotë se disa anijeve të huaja mund t’u jepen licenca dhe se mund “t’i keqpërdorin ato”.
“Peshkimi ilegal ekziston në të gjitha detet dhe pirateria mund të ndodhë gjithandej. Por, ka progres gradualisht”, thotë ai.

Peshkimi ilegal ka qenë problem i diskutueshëm në Somali për shumë vjet.

Shumë anije peshkimi operojnë pa licenca ose me licenca të lëshuara nga organet e paautorizuara për ta bërë këtë, sipas organizatës joqeveritare, Global Initiative against Transnational Organised Crime. 
Organizata citon prova, duke përfshirë të dhëna satelitore të navigacionit, për të treguar se shumë nga anijet kanë origjinë nga Kina, Irani, Jemeni dhe Azia juglindore. Një raport nga Ambasada amerikane në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, sugjeron se vendi humb 300 milionë dollarë çdo vit si rezultat i kësaj.

Admirali i “Operation Atalanta”, Manuel Alvargonzález Méndez, thotë se forcat e tij shënjestrojnë vetëm anijet pirate dhe tani duhet t’i mbrojnë anijet edhe nga rebelët Houthi të Jemenit.
Por ai këmbëngul se zona është më e sigurt dhe se somalezët tani mund t’i “hedhin rrjetat e tyre të peshkimit pa u frikësuar” – siç thonë edhe Forca e Policisë Detare e Puntlandit, e cila punon ngushtë me misionin detar të BE-së.

Komandanti i tyre, Farhan Awil Hashi, është i sigurt se gjërat nuk do të kthehen në “ditët e vjetra e të këqija” të piraterisë. Ai beson se përgjigjja afatgjatë është “krijimi i punëve”.

“Të rinjtë duhet të gjejnë punë, gjithmonë. Nëse personi është i zënë duke bërë diçka, ai nuk do të mendojë të nisen drejt detit dhe të grabisë anije”, thotë ai.

Farahu dhe Diiriye kanë të njëjtin argument – thonë kështu, meqë peshkimi nuk paguan më dhe meqë grabitja e anijeve për shpërblim është mënyra e vetme me të cilën mund t’i mbështesin fëmijët e tyre.
Ata e dinë që pirateria është e gabuar – dhe Diiriye e pranon se është shumë i frikësuar t’i tregojë mamasë së tij.

“Nëse ajo do ta merrte vesh, do të ishte shumë e zhgënjyer. Në fakt, ajo do t’i informonte autoritetet”, thotë ai.