Botë

Pikëpyetjet e Putinit për marrëveshjen e paqes

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Në një konferencë për shtyp javën e kaluar, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ideja e armëpushimit 30-ditor në Ukrainë është “e drejtë dhe ne e përkrahim...por ka nuanca”, shkruan BBC.

Disa nga pyetjet e liderit rus në lidhje me propozimin për armëpushim, kanë të bëjnë me mënyrën se si do të zbatohet armëpushimi dhe se kush do t’i jap fund luftimeve.

Putin ka pyetur se “si do të shfrytëzohen ato 30 ditë? Për Ukrainën që të mobilizohet? Riarmatosje? Trajnime ushtarake? Apo asnjëra nga këto? Më pastaj shtrohet pyetja se si do të kontrollohet armëpushimi?”

Kremlini zyrtar ka deklaruar se ndan “optimizmin e kujdesshëm” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të paqes, pas takimit që Putin pati me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff në Moskë javën e kaluar.

Megjithatë, Zelensky e ka cilësuar përgjigjen e Putinit si “manipulative”, dhe ka bërë thirrje për më shumë sanksione mbi Rusinë.

“Putini nuk të thotë jo drejtpërdrejtë, por në praktikë, ai po përgatitet për të refuzuar armëpushimin”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.