Në një reportazh tronditës, transmetuesi britanik Sky News ka shpërfaqur pikëllimin, tronditjen dhe zemërimin e të mbijetuarve të tërmetit në Kahramanmaras, epiqendrën e tërmetit. Atje, të mbijetuarit janë shprehur të zhgënjyer me shtetin që ka bërë shumë pak për t’i shpëtuar të gjallë njerëzit
Pikëllimi, tronditja, por edhe zemërimi janë të dukshme në Kahramanmarash, epiqendrës së tërmetit apokaliptik që goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë.
Ekipet e shpëtimit janë ngutur për të nxjerrë nga rrënojat të mbijetuar, teksa numri i të vdekurve ka kaluar në më shumë se 26 mijë. Mirëpo mungesa e pajisjeve dhe përkrahjes së Qeverisë ka lënë qindra prej tyre që të përdorin duart për të gërmuar në rrënojat e ndërtesave të shembura nga fuqia e tërmetit.
Trupi i vajzës Juma Aktop është nxjerrë nga rrënojat e shumëkatëshes në qytetin Abrar. Aktop dhe familja e tij ishin në banesë në katin e 11-të të ndërtesës në momentin kur ndodhi tërmeti.
Gazetari i transmetuesit britanik Sky New e ka pyetur se si ndihet sepse kishte ditë të tëra që po kërkonte të bijën e tij.
“Bota më është përmbysur. Kaq mund të them”, ka thënë babai i Juma Aktop
Teksa shumë banorë mbanin frymën dhe prisnin lajmet për më të dashurit e tyre nën rrënoja, kishte të tjerë që ishin të pakënaqur me shtetin.
Kritikat ndaj Erdoganit
Tërmeti më shkatërrimtar në Turqi që prej vitit 1939 ka ngritur dyshime nëse një tragjedi e tillë ka mundur të shmanget ose nëse Qeveria e presidentit Erdogan ka mundur të bëjë më shumë për të shpëtuar jetë.
Me zgjedhjet në horizont, e ardhmja e tij është në rrezik pas 20 vjetësh në pushtet dhe lutjet e tij për unitet kombëtar nuk kanë shkuar në veshin e askujt.
Recep Tayyip Erdogan e ka pranuar reagimin e vonshëm, por fajin ia ka hedhur fatit gjatë vizitës së tij në zonën e katastrofës. “Gjëra të tilla gjithmonë ndodhin. Është plan i fatit”, ka thënë ai.
Turqia shtrihet mes dy pllakave tektonike dhe ka kode ndërtimi për tërmetet që datojnë më shumë se 80 vjet më parë. Mirëpo tërmeti i dyfishtë i së hënës së kaluar ishte shumë më intensiv se ndonjë tjetër që nga viti 1939. Tërmeti i parë regjistroi magnitudë 7.8 në orën 04:17, i përcjell nga tjetri prej 7.5 shkallësh dhjetëra kilometra më larg.
Shkaku i shkallës së lartë të shkatërrimit, nisi operacioni i madh që është zgjeruar në 10 nga 81 provincat e Turqisë.
Por u desh kohë që reagimi të merrte formë dhe disa fshatra nuk mund të arriheshin për ditë të tëra. Më shumë se 30,000 njerëz nga sektori profesional dhe vullnetar nisën operacionin e kërkim-shpëtimit. Ato orë fillestare ishin kritike, por rrugët u dëmtuan dhe ekipet e kërkim-shpëtimit u përpoqën të kalonin deri në ditën e dytë ose të tretë.
Turqia ka më shumë përvojë tërmetesh se pothuajse çdo vend tjetër, por themeluesi i grupit kryesor të shpëtimit vullnetar beson se këtë herë politika ka penguar.
Pas tërmetit të fundit të madh në gusht 1999, ishte ushtria që drejtoi operacionin, por Qeveria e Erdoganit ka kërkuar të frenojë fuqinë e ushtrisë në shoqërinë turke.
Numri i të vdekurve të shtunën ka kaluar shifrën e 26 mijë personave të shtunën. Zyra e presidentit turk ka njoftuar se në Turqi kanë humbur jetën më shumë se 21 mijë persona, ndërkaq më shumë se 3 mijë e 500 të tjerë janë raportuar të vdekur në Siri.
Një burrë që sapo ishte nxjerrë nga rrënojat nuk mund t’i ndalte lotët pasi fëmijët i kishin mbetur nën rrënoja.
“Nuk e di se çfarë të bëjë. Fëmijët i kam në ndërtesë. Fëmijët janë në ndërtesë”, ka thënë i mbijetuari Mustafa Yoksul. “Shumë njerëz ishin të gjallë, po bërtisnin. Godisnin muret për të komunikuar, por askush nuk po na kërkonte. Tani, asnjëri nuk do të jetë i gjallë”, ka shtuar Joksul.
Ani pse ekspertët kanë thënë se njerëzit mund të mbijetojnë për më shumë se një javë, shanset për të gjetur të mbijetuar në temperaturat e ulëta janë shumë të pakta.
Punëtorët kanë vazhduar kërkimin në Kahramanmarash edhe të shtunën, por ishte e qartë se po bëhej vonë për shumë banorë të ngujuar në ndërtesat e rrënuara.
Ndërkaq, numri i të vdekurve nga tërmeti ka mundësi të jetë “më shumë se dyfishi” i shifrave të së shtunës, ka paralajmëruar koordinatori i ndihmës emergjente të Kombeve të Bashkuara. Duke folur në SkyNews në Adana të Turqisë, Martin Griffiths tha se ai pret që do të regjistrohen dhjetëra mijëra vdekje të tjera.
Të paktën 24,596 njerëz janë konfirmuar të vdekur pas tërmetit 7.8 ballë, që goditi të hënën, me pasgoditje të shumta që kanë rrënuar qytete në Turqi dhe Siri.
“Unë mendoj se është e vështirë të vlerësohet saktësisht pasi duhet të futemi nën rrënoja, por jam i sigurt se do të dyfishohet ose më shumë”, ka thënë Griffiths.
“Kjo është e frikshme. Kjo është natyra që godet mbrapsht në një mënyrë vërtet të ashpër. Është thellësisht tronditëse… ideja që këto male me rrënoja ende mbajnë njerëz, disa prej tyre ende gjallë”, ka shtuar ai. Sipas tij, një periudhë 72-orëshe pas një katastrofe ishte zakonisht “periudha e artë” për shpëtimin, e cila që atëherë ka skaduar, por që të mbijetuarit ende po nxirren nga rrënojat.
“Duhet të jetë tepër e vështirë të vendosësh se kur të ndalet kjo fazë e shpëtimit”, ka thënë ai.
Hetimet turke
Policia turke ka arrestuar 12 persona lidhur me shembjen e ndërtesave në provincat juglindore të Gaziantepit dhe Sanliurfes, raportuan mediat lokale, pas tërmeteve të fuqishme që goditën Turqinë dhe Sirinë.
Sipas agjencisë së lajmeve, DHA, në mesin e të arrestuarve ka edhe kontraktorë.
Të paktën 6.000 ndërtesa janë shembur pas tërmetit 7.8 ballësh që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt. Tërmeti ka nxitur zemërimin e publikut lidhur me kualitetin e dobët të ndërtimit.
Pritet që të ketë edhe arrestime të tjera, pasi prokurori publik në Dijarbakr – një prej dhjetë provincave që u goditën nga tërmetet – lëshoi urdhër arreste për 29 persona, kanë raportuar të shtunën mediat turke.
Një prej të arrestuarve të shtunën ishte një kontraktor i një ndërtese në Gaziantep, raportoi media shtetërore, duke shtuar se ai u gjet nga Policia në Stamboll.
Ka pasur një valë të hetimeve të nisura nga prokurorët në provincat e goditura nga tërmeti. Ministria e Drejtësisë e Turqisë ka urdhëruar prokurorët në dhjetë provincat turke që të themelojnë “zyra hetuese për krime sa u përket tërmeteve”.
Të premten, Policia turke ka arrestuar një kontraktor të një banese luksoze, që u shemb në provincën Hataj. Ai u arrestua në Aeroportin e Stambollit, teksa u raportua se po tentonte që të largohej nga shteti.
Përgatiti: Gent Mehmeti