Rihapja e Rafahut ndodhi pasi Hamasi liroi tre pengje meshkuj izraelitë, gjë që shkaktoi gjithashtu lirimin e 183 palestinezëve nga burgjet izraelite, duke përfshirë individë të dënuar në gjykatat izraelite dhe të burgosur. Marrëveshja e nisur dy javë më parë, ka mundësuar edhe hyrjen e ndihmave në Gazë, si dhe kthimin e palestinezëve në vendbanimet e tyre në veri të Gazës
Dhjetëra palestinezë të sëmurë dhe të plagosur, në mesin e tyre edhe anëtarë të Hamasit, janë lejuar të kalojnë në Egjipt meqë pikëkalimi kyç kufitar i Rafahut u rihap pas lirimit të tre pengjeve izraelite.
Hapja e pikës kufitare Rafah, e cila u mbyll nga forcat izraelite nëntë muaj më parë, ndodhi si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë.
Televizioni egjiptian ka shfaqur pamje të një ambulance palestineze të Kryqit të Kuq gjatë kalimit dhe disa fëmijë që u nxorën jashtë me barela dhe u transferuan në ambulancat në anën egjiptiane.
Hapja e Rafahut për kalimet e tilla shënon moment shumë domethënës në marrëveshjen komplekse të armëpushimit pas reagimeve ndërkombëtare për mbylljen e pikëkalimit për shumicën e rasteve mjekësore për nëntë muajt e fundit.
Në fund të javës së kaluar, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje që 2.500 fëmijë të evakuohen menjëherë nga Gaza për trajtim mjekësor pas takimit me mjekët amerikanë të cilët thanë se fëmijët ishin në rrezik për jetën.
Rihapja e Rafahut ndodhi pasi Hamasi liroi tre pengje meshkuj izraelitë, gjë që shkaktoi gjithashtu lirimin e 183 palestinezëve nga burgjet izraelite, duke përfshirë individë të dënuar në gjykatat izraelite dhe të burgosur.
Midis tre izraelitëve të liruar ishin Yarden Bibas, gruaja dhe fëmijët e të cilit u raportua se u vranë në Gazë gjatë bombardimeve izraelite.
Dorëzimi i tre pengjeve izraelite, Bibas 35 vjeç, shtetasit izraelito-amerikan, Keith Siegel, 65 vjeç dhe shtetasit izraelito-francez Ofer Kalederon, 54 vjeç, shkaktoi lirimin e 183 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë nga Gaza, të mbajtur në burgjet izraelite.
Më vonë tre autobusë me të burgosur palestinezë mbërritën në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.
Dorëzimi i pengjeve izraelite në dy vende – Khan Younis dhe në portin e qytetit të Gazës – ishte shumë më i rregullt se lirimi kaotik në fillim të kësaj jave që kërcënoi shkurtimisht të prishte kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Pikëkalimi i Rafahut, një rrugë shpëtimi për palestinezët, qe mbyllur që kur forcat izraelite morën kontrollin e zonës përreth në maj të 2024-tës.
Marrëveshja e nisur dy javë më parë, ka mundësuar edhe hyrjen e ndihmave në Gazë, si dhe kthimin e palestinezëve në vendbanimet e tyre në veri të Gazës.
Marrëveshja e brishtë ka qëndruar për gati dy javë, duke ndalur luftimet dhe duke lejuar rritjen e ndihmës në territorin e vogël bregdetar.
Lufta rrezikon të rinisë në mars, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje për vazhdim të armëpushimit.
Izraeli deklaron se është i vendosur ta shkatërrojë Hamasin, edhe pse grupi militant e ka rikthyer kontrollin në Gazë pas nisjes së armëpushimit.