Botë

Peskov: Koncesionet territoriale nuk janë opsion

Dmitry Peskov

Dmitry Peskov (Foto: AP)

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të enjten se territoret ukrainase që janë nën okupimin e Rusisë janë të “panegociueshme” në tryezën e bisedimeve, duke përjashtuar kategorikisht mundësinë për koncesione territoriale, ka raportuar BBC.

“Territoret që janë bërë pjesë e Rusisë, të cilat janë përfshirë në Kushtetutën e vendit tonë, janë pjesë e pandashme. Ky është një fakt që absolutisht nuk mund të mohohet ose diskutohet”, ka thënë Peskov.

Kjo mund të sugjerojë po ashtu se Rusia ka për qëllim t’i vazhdojë luftimet derisa t’i pushtojë të katër rajonet e Ukrainës, që Rusia i pretendon si të vetat. Në bazë të Kushtetutës së Rusisë, Donetsku, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhzhia janë pjesë e Rusisë, pavarësisht se Rusia nuk i kontrollon plotësisht.

Deklaratat e Peskovit janë në linjë me ato të ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, që ngjashëm kishte sugjeruar se Rusia po synon të kontrolloj plotësisht të katër rajonet ukrainase.