Pesë shtetas kinezë kanë mbetur të vrarë pasi një sulmues vetëvrasës në veriperëndim të Pakistanit, ka përplasur makinën e tij të mbushur me eksploziv në automjetin e viktimave, raporton agjencia e lajmeve AP.
Sipas autoriteteve të policisë pesë të vrarët ishin punëtorë ndërtimi dhe inxhinierë që po shkonin drejt digës Dasu, projekti më i madh hidroenergjetik në Pakistan, ku ata punonin.
Ata kanë bërë të ditur se sulmi ka ndodhur në Shangla, një distrikt në provincën Khyber Pakhtunkhwa, e cila kufizohet me Afganistanin. Talebanët pakistanezë kanë shtuar sulmet atje vitet e fundit.
Sulmi i së martës erdhi më pak se një javë pasi forcat pakistaneze të sigurisë vranë tetë militantë të Ushtrisë Çlirimtare të Baluchistanit, të cilët hapën zjarr ndaj një autokolone që transportonte shtetas kinezë jashtë portit Gwadar të financuar nga Kina në provincën jugperëndimore të Baluchistanit.
Ushtria Çlirimtare e Baluchistanit dëshiron pavarësinë nga qeveria qendrore në Islamabad.
Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Mohsin Naqvi ka dënuar sulmin dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. Naqvi vizitoi gjithashtu Ambasadën e Kinës në kryeqytet, Islamabad, ku informoi ambasadorin kinez, Jiang Zaidong, për sulmin, duke premtuar një hetim të plotë, sipas ministrisë së Brendshme.
Mijëra shtetas kinezë punojnë në Shangla në projekte që lidhen me Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan, i cili përfshin një mori mega projektesh si ndërtimi i rrugëve, termocentraleve dhe bujqësinë.
Projekti që njihet si CPEC është pjesë e Iniciativës së Kinës “Një brez dhe një rrugë”, një përpjekje globale që synon rindërtimin e Rrugës së Mëndafshtë dhe lidhjen e Kinës me të gjithë cepat e Azisë.
Punëtorët kinezë që punojnë në projekte të lidhura me CPEC-un në Pakistan janë sulmuar vitet e fundit.
Në korrik të 2021-s, të paktën 13 persona, përfshirë nëntë shtetas kinezë, mbetën të vrarë në një sulm të ngjashëm vetëvrasës. Që atëherë, Pakistani ka forcuar sigurinë në projektet e lidhura me CPEC-un.