Botë

Pesë emigrantë humbin jetën në përpjekje për të kaluar kanalin anglez

emigrante

Të paktën pesë persona, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kanalin anglez nga Franca në Britani të Madhe përmes një varke të mbingarkuar, raporton Reuters.

Rreth 110 emigrantë ishin në varkën me të cilën tentuan të kalonin Kanalin.

“Numri i përkohshëm i vdekjeve është pesë persona, tre burra, një grua dhe një fëmijë”, ka bërë të ditur roja bregdetare e vendit.

Operacionet e kërkim shpëtimit në det janë duke vazhduar ende.

Incidenti ndodhi pak orë pasi parlamenti britanik miratoi projektligjin për dëbimin e emigrantëve në Ruandë.

Ndalimi i fluksit të emigrantëve është prioritet i qeverisë së kryeministrit britanik, Rishi Sunak, i cili thotë se plani i Ruandës do të veprojë si një pengesë.

Dhjetëra mijëra emigrantë, shumë prej të cilëve ikin nga luftërat dhe varfëria në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, kanë arritur në Britani të Madhe vitet e fundit duke kaluar kanalin anglez me varka të vogla, të mbingarkuara, të organizuara nga kontrabandistët.