Drejtori ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg, u ka kërkuar falje familjeve të cilat thonë se fëmijët e tyre janë dëmtuar nga rrjetet sociale.
Në një seancë të Senatit të SHBA-së, Zuckerberg u kthye nga ato dhe tha se “askush nuk duhet të kalojë nëpërmjet” asaj që ato familje kanë kaluar.
Ai dhe drejtorët e TikTokut, Snapit, X-it dhe Discordit u morën në pyetje për gati katër orë nga senatorët.
Senatorët kërkuan të dinë se çfarë po bëjnë ata për të mbrojtur fëmijët në internet, raportoi BBC.
Ishte një mundësi e rrallë që senatorët amerikanë të pyesin krerët e gjigantëve teknologjikë.
Zuckerberg dhe drejtori i TikTokut, Shou Zi Chew, vullnetarisht u pajtuan të dëshmonin, por ata të Snapit, X-it e Discordit fillimisht refuzuan.
Prapa pesë krerëve ishin ulur familjes që thanë se fëmijët e tyre e kishin lënduar ose vrarë veten si rezultat i përmbajtjeve në rrjetet sociale.
Ndërsa seanca kryesisht fokusohej në mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në internet, pyetjet variuan pasi senatorët përfituan nga mundësia që të kishin pesë drejtorë të fuqishëm para vetes.
Chew i TikTokut u pyet nëse kompania e tij shpërndante të dhënat e përdoruesve amerikane me qeverinë kineze, e ai e mohoi.
Por, Zuckerbergu ishte ai më në qendër, ndërsa dëshmoi para Kongresit për të tetën herë.
Në një pikë, senatori republikan Ted Cruz e pyeti, “Z. Zuckerberg, çfarë dreqin po mendoje?” kur ia tregoi një njoftim në Instagram që i paralajmëron përdoruesit se mund t’u shfaqet një material i abuzimit seksual të fëmijëve, por prapë se prapë në paralajmërim është opsioni nëse doni “të shikoni rezultatet gjithsesi”.
Zuckerberg premtoi se personalisht do ta shikonte këtë çështje.
Senatori Josh Hawley e ftoi tu kërkonte falje familjeve prapa tij.
Zuckerberg u ngrit, u kthye dhe tha: “Më vjen keq për gjithçka nëpër të cilën keni kaluar, është e tmerrshme. Askush nuk duhet të kalojë nëpërmjet gjërave që familjet tuaja kanë kaluar”.
Edhe pse Senati rrallë pajtohet rreth ligjeve, ata ishin të bashkuar në synimin për një ligj që ndihmon në mbrojtjen e të rinjve në internet.