Pesë australiane po padisin linjën ajrore “Qatar Airways” në gjykatën Supreme të New South Wales për një incident të vitit 2020, në të cilin ato u larguan me forcë nga aeroplanët nën kërcënimin e armëve në Doha, dhe disa u ekzaminuan në formë intime pa shpjegim ose pëlqimin e tyre.
Gratë po kërkojnë dëmshpërblim si nga Qatar Airways ashtu edhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Katarit – në pronësi të qeverisë së Katarit – për “kontaktin e paligjshëm fizik” dhe ndikimet në shëndetin mendor, duke përfshirë depresionin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik, raportoi The Guardian.
Më 2 tetor 2020, gratë në aeroplanët në tokë në Doha, iu nënshtruan ekzaminimeve ndërsa autoritetet kërkuan për nënën e një foshnjeje të porsalindur të gjetur të braktisur në një qese plastike në sallën e nisjeve në aeroportin ndërkombëtar Hamad.
Disa u udhëzuan të hiqnin të brendshmet dhe disa u detyruan t'i nënshtroheshin ekzaminimeve të thella gjinekologjike për prova nëse kishin lindur së fundmi.
Gratë që u ekzaminuan thanë se nuk u ishte dhënë asnjë informacion nga zyrtarët se pse po ekzaminoheshin me forcë dhe nuk kishin mundësi të jepnin pëlqimin.