Botë

Përtej kufijve e sanksioneve

Përtej kufijve e sanksioneve

Me gjithë ndalesat e kufizimet e shumta që janë vendosur ndaj shtetasve rusë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, mënyrat për t’u qasur në Evropë përmes rrugëve alternative janë bërë gjithmonë e më të shpeshta. 565,069 viza të Shengenit u janë lëshuar shtetasve rusë në vitin 2024, 90% për arsye turistike. Është rënie masive kur llogariten nivelet parapandemike prej 4 milionë rusëve, mirëpo është rritje prej 25% krahasuar me vitin 2023. Sipas një raporti të Bashkimit Evropian, shkalla e refuzimit të vizave për rusët dallon nga vendet anëtare – prej 1% deri në 65% në gjysmën e parë të vitit 2024.

Që nga fillimi i vitit 2022, influenceri rus, Egor Melo, ka udhëtuar nëpër Evropë. Vitin e kaluar, ai shkoi në Zurich për të marrë pjesë në koncertin e këngëtares, Taylor Swift, e festoi natën e Vitit të Ri në Paris, dhe i shijoi monumentet historike në Nuremberg të Gjermanisë.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, fluturimet direkte midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian ishin pezulluar. Në shtatorin e po atij viti, BE-ja pati pezulluar marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Rusinë, duke i detyruar qytetarët rusë të ballafaqoheshin me procese më të zgjatura dhe të shtrenjta për të hyrë në BE.

Tarifat për vizat Shengen – që i lejojnë qytetarët e vendeve joanëtare të BE-së të udhëtojnë në 29 vendet e zonës Shengen – janë rritur si pasojë e pezullimit të marrëveshjes për lëvizje pa viza. Disa vende të BE-së, shumë prej të cilave kanë në kufi Rusinë, po ofrojnë më pak takime konsullore për rusët dhe BE-ja ka këshilluar shtetet anëtare që të shqyrtojnë me kujdes aplikimet ruse.

Rregullat e reja nuk i ndalojnë turistët rusë të vizitojnë Evropën – e madje nuk ka ndonjë gjë jashtëligjore për udhëtimet e tyre. Por e bën procesin më të vështirë dhe të shtrenjtë.

Letonia, Norvegjia, Polonia, Finlanda, Estonia, Lituania dhe Republika e Çekisë kanë shkuar edhe më tutje – duke lëshuar ndalesa të plota për gati secilën vizë turistike për qytetarët rusë.

Por, në profilin e tij të Instagramit, i dedikuar për “të treguar që udhëtimi në Evropë është i qasshëm për të gjithë”, Melo pretendon se “ka qenë me vizë turistike në dy prej shteteve të lartcekura vitin e kaluar dhe nuk ka pasur telashe”. 

Këshilla e tij? Merrni vizën nga ndonjë vend tjetër i Shengenit. 

“Për shembull, fluturoni në Itali dhe prej atje udhëtoni nëpër këto vende”, ka thënë ai.

Melos ka refuzuar kërkesën e CNN-it për të biseduar rreth pretendimeve të tij. 

Ndalimi i shteteve baltike vlen vetëm për shtetasit rusë që kalojnë kufirin e jashtëm të Shengenit - jo hyrjen nga vendet e tjera të Shengenit.

“Në momentin që jeni në zonën e Shengenit, ju mund të udhëtoni brenda zonës së Shengenit kudo, për shkak se, në parim, nuk ka kontroll të brendshëm...Kjo nuk është e ligjshme. Ky është sistemi i Shengenit”, ka thënë Sarah Ganty, bashkautore e një artikulli të vitit 2022 në “Yale Journal of Law International” që kundërshtonte ndalimin e vizave.

Të sigurosh leje “nuk është aq e vështirë”

Melo nuk është i vetëm në vazhdimin e udhëtimit. Ministri i Punëve të Brendshme i Letonisë i ka prezantuar disa të dhëna gjatë një takimi të BE-së, tek ka njoftuar se 565,069 viza të Shengenit u janë lëshuar qytetarëve rusë në vitin 2024, 90% për arsye turistike. Është rënie masive kur llogariten nivelet parapandemike prej 4 milionë rusëve, mirëpo është rritje prej 25% krahasuar me vitin 2023. Shkalla e refuzimit të vizave për rusët dallon nga vendet anëtare – prej 1% deri në 65% në gjysmën e parë të vitit 2024, sipas një raporti të BE-së.

“Stabilizimi i dhënies së vizave Shengen”, ka kontribuar në rritjen e kërkesës për të udhëtuar drejt Evropës, ka pretenduar zëvendëspresidenti i Unionit Rus të Industrisë së Udhëtimit (ATOR), Dmitry Gorin, gjatë një interviste për gazetën ruse “Vedomosti”.

Një bloger i mirënjohur nga Rusia, i cili kërkoi që emri i tij të mos përmendej prej frikës se aplikimet e ardhshme të vizave mund t’i refuzohen, pajtohet me ATOR-in. Ata kishin vizituar Norvegjinë rishtazi – një vend që ka ndaluar lëshimin e vizave për turistët rusë në maj të vitit 2024.

“Deri më tani, sigurimi i vizës kërkon dokumente shtesë, të cilat nuk janë nevojitur më përpara, sikurse blerja e biletave të fluturimit, rezervimi i hotelit apo edhe certifikatat e taksave”, kanë thënë ata. 
“Shakatë në lidhje me nevojën e shënimit të doktorit për të udhëtuar, së shpejti do të bëhen më të zakonshme”. 

Prapëseprapë, ata e shohin udhëtimin si të qasshëm.

“Le të jemi të sinqertë - marrja e një lejeqëndrimi në BE, sikurse viza nomade digjitale spanjolle, nuk është aq e vështirë tani. Disa njerëz po zgjedhin lejeqëndrimi trevjeçare në BE në vend të vizës, e cila është bërë gjithashtu praktikë e zakonshme”, ka thënë blogeri. 

“Për shembull, nëse ke fëmijë që jetojnë në vendet baltike, rruga më e lehtë për të shkuar aty është nëpërmjet Italisë, Francës apo Spanjës. Skema është e thjeshtë: fluturon për në Romë, kalon pak kohë aty, dhe pastaj udhëton nëpërmjet kufirit Estoni-Rusi, pasi paraprakisht të keni fluturuar te të afërmit tuaj”.

Asnjë fluturim direkt nënkupton se “Turqia, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia” ishin kthyer në vendet transite për ata që jetojnë në perëndim të Rusisë, teksa “nëse jeton në lindjen e largët të Rusisë, si për shembull, në Vladivostok, mund të jetë më e lehtë të fluturosh nëpërmjet Kinës”, sipas tyre. Mirëpo ka mënyra të ndryshme për të shmangur kostot shtesë kur kthehesh në Rusi.

“Asnjë pyetje nuk u bë”

Edhe pa lejen e qëndrimit në BE, është e mundur të hysh në Rusi nëpërmjet Estonisë, Letonisë, Lituanisë e Polonisë, ka thënë blogeri. 

Për shkak të kësaj, gjatë verës, ka pritje të gjata në kufirin Narva-Ivangorod, sepse të fluturosh për në Tallinn është e lirë, dhe shumë njerëz me viza turistike preferojnë të kthehen përmes kufirit Estoni-Rusi më shumë sesa, le të themi, Stambollit apo Ankarasë.

Agjencitë turistike ruse po vazhdojnë të ofrojnë turne në vendet që supozohet se kanë bllokuar vizat për turistët rusë. Për shembull, një kompani, “YouTravel” është aktualisht duke ofruar udhëtime 15-ditore nëpërmjet Finlandës, Suedisë, Norvegjisë dhe Letonisë në qershor. Të gjitha këto vende, përveç Suedisë, kanë ndaluar turistët rusë. Agjencia ka thënë se do të ndihmojë marrjen e një vize pa pagesë.

Pra, shtrohet pyetja sa e lehtë është të marrësh vizën? I pyetur rreth procedurave për të siguruar vizë në drejtim të Letonisë, shtet i cili ka ndaluar plotësisht lëshimin e vizave për turistët rusë, një ndihmës i shitjeve në agjencinë “Visateka”, me seli në St. Petersburg, ka thënë se ata mund të ndihmojnë në sigurimin e hyrjes “përmes një vendi të tretë”. Ata kanë këshilluar se destinacioni më i lehtë në kuptimin e dokumentacionit për një udhëtim në muajin qershor do të ishte Franca.

Për çmimin e 300 dollarëve, ndihmësi i shitjeve ka thënë se “Visateka” mund të rezervojë fluturime dhe një hotel, si dhe të përgatisë dokumente që pastaj mund t’i merrni me vete në Ambasadën e Francës.  

“Visateka” ka pretenduar se në vendet si Franca, Italia e Spanja, gjasa që viza të aprovohet është rreth 93%. Në faqen e tyre të internetit thuhet se në dy javët e para të muajit prill, ata kanë siguruar 20 viza që u mundësojnë qytetarëve rusë të hyjnë në Letoni, krahas 93 vizave për Lituani e 20 të tjerave për Poloni.

“Vitin e kaluar, ne vizituam Rigën për të parë tregjet e Krishtlindjes”, ka thënë Daria prej St. Petërsburgut, për CNN-in. Ajo ka kërkuar që mbiemri i saj të fshihet për shkak se kishte frikë se aplikimi i radhës për vizën e Shengenit mund t’i refuzohej. Me një vizë spanjolle, ajo ka fluturuar në Stamboll, pastaj në Madrid, përpara se të hipte në një fluturim për në kryeqytetin e Letonisë po të njëjtën ditë.

“Asnjë pyetje nuk u bë në aeroport. Është praktikë e zakonshme”, ka thënë Daria në lidhje me përdorimin e vizës spanjolle për të vizituar kryeqytetin e Letonisë. 

“Nuk jam pjesë e kësaj lufte, nuk e përkrahi Vladimir Putinin. Nuk e kuptoj pse duhet të diskriminohem dhe të trajtohem thuajse jam rrezik”, ka shtuar ajo.

Frustrimi në rritje

Forumi elektronik i Vinskyt përmban histori të ngjashme. Një person që posedon vizën e Francës ka ndarë përvojën e tij, tek ka udhëtuar përmes Vjenës, e më pas duke marrë një aeroplan në drejtim të Rigës gjatë mbrëmjes. 

“Isha i shqetësuar se çfarë do të thosha, por në fund  - në Aeroportin e Vjenës - ata nuk më bënë asnjë pyetje”, ka thënë ai.

Një tjetër, të cilit i kishin lëshuar vizë turistike italiane, ka thënë se ka fluturuar së pari në Romë e pastaj në Riga. Një udhëtar prej Moskës ka pyetur, “nëse hyn në Itali me vizë italiane dhe fluturon prej Milanos në Amsterdam disa ditë më vonë, cilat janë rreziqet?”. Dikush në forum iu përgjigj, “pasi ta marrësh vizën, do të jesh në gjendje të udhëtosh përgjatë rrugës së planifikuar pa stres”. 

Sa i përket rritjes së vizave të lëshuara në vitin 2024, Komisioni i BE-së ka thënë për CNN-in se “po e monitoron për së afërmi zbatimin e kornizave përmes rrjetit të ‘Blueprint’”. Rrjeti “Blueprint” është korniza e BE-së, e cila ka përgjegjësi në mbikëqyrjen e migracionit. 

“Komisioni po punon me vendet anëtare për të promovuar zbatimin e vazhdueshëm të direktivave”.

Vitin e kaluar, Hungaria zgjati përjashtimet e vizave për rusët dhe bjellorusët, dhe sipas statistikave të Komisionit Evropian për Udhëtime (KEU), fluksi i qytetarëve rusë në Hungari pësoi rritje. Në prill të vitit 2024, Rumania rifilloi me lëshimin e vizave për qëndrim afatshkurtër për turistët rusë, pasi kishte përjetuar rënie në të ardhurat nga turizmi, sipas një raporti tjetër të KEU-s. Në fillim të muajit dhjetor, qendrat për vizat italiane në Moskë e reduktuan kohën e procedurave.

Teksa lufta ka hyrë në vitin e katërt, frustrimi është në rritje e sipër. Ministri i Punëve të Brendshme i Letonisë, Rihards Kozlovskis, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i ndalojnë vizat turistike të Shengenit për qytetarët rusë. Tek ka folur në një mbledhje të Këshillit të BE-së për Drejtësi dhe Çështje të Brendshme në Bruksel, ai ka thënë se vendet anëtare “kanë detyrë morale për ta mohuar këtë lloj shërbimi”.

“Ne po ballafaqohemi si me kalime ilegale të kufirit ashtu dhe me akte të sabotazhit, siç janë djegia e Muzeut të Okupimit, dronët që kalojnë kufirin, përpjekje propagandistike për të ndikuar opinionin publik, etj.”, ka thënë Kozlovskis. 

“Prandaj u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta marrin këtë kërcënim seriozisht”, ka shtuar ai.

Një bloger rus, me të cilin bisedoi CNN-i, ka thënë se do të ishte shumë i “zhgënjyer” nëse këto sanksione hyjnë në fuqi. 

“Rusia i ka kufizimet e saj rreth udhëtimeve ndaj të ashtuquajturave vende ‘jomiqësore’. Oficerët policorë, gjyqtarët dhe punëtorët qeveritarë janë të ndaluar të udhëtojnë, rrjedhimisht ata që kanë lidhje me shtetin nuk do të shkojnë asgjëkundi”, ka thënë ai. 

“Nuk mendoj se turistët e rëndomtë rusë paraqesin ndonjë lloj të kërcënimit për ministrin leton”, ka shtuar ai.

Ndalesa e “paligjshme”

Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se organizata ka “adoptuar udhëzime të qarta për të mbështetur vendet anëtare për të hequr përparësitë e vizave për rusët dhe për t’u fokusuar në sigurinë dhe kontrollin kufitar. Një kontroll i ashpër duhet të kryhet në një mënyrë që ruan të drejtën për të kërkuar azil dhe parandalon rreziqet e moskthimit”.

Sarah Ganty, studiuesja ligjore, ka argumentuar se këto ndalesa nuk kanë qenë kurrë të ligjshme. Ajo i ka përshkruar ndalesat de-facto në nivelin shtetëror për qytetarët rusë – të paraqitura në Poloni, Finlandë dhe në shtetet Baltike – si shkelje e ligjeve evropiane.

“Këta rusë që po aplikojnë për viza Shengen janë përshkruar kryesisht si turistë që po zbaviten në Evropë, por ka shumë njerëz që kanë anëtarë të familjes në anën tjetër të kufirit, ka njerëz që e kundërshtojnë, ka arsye shëndetësore se pse dikujt mund t’i duhet viza disaditore”, ka thënë ajo.

“Mendoj se ne duhet ta vazhdojmë dialogun me qytetarët rusë, veçanërisht me ata që duan të largohen nga kthetrat e regjimit dhe ta kundërshtojnë regjimin. Mendoj se është shumë e rëndësishme të jemi mikpritës ndaj tyre”, ka vazhduar Ganty.

Kur Mark Temynsky, qytetar ukrainas-amerikan dhe bashkëpunëtor në Qendrën Eurasia të Këshillit Atlantik, vizitoi Malin e Zi në vitin 2023 me kushërinjtë e tij, ai u befasua me numrin e rusëve që ishin gjithashtu atje - dhe reagimin që ata morën nga rusët ndërsa pozonin me një flamur ukrainas pranë Kalasë së Shën Gjonit, një qytet historik me pamje nga Kotori.

“Ne morëm disa shikime nga folësit rusë që bënin komente (…) ne thjesht po bëjmë foto me flamurin”, ka thënë ai.

“Në Greqi, si dhe në Qipro, kur isha aty në gushtin e vitit 2023, ishte e vizituar në masë të madhe nga rusë etnikë dhe rusofolës, të cilët ishin në pushime aty dhe prapë – nga një këndvështrim moral – nuk mund ta pranoja që këta njerëz po e mbështesnin luftën e vendit të tyre e pastaj shkojnë në pushime”, tha Temynsky.

“Kam shumë familjarë dhe miq në Ukrainë që nuk kanë qenë në pushime prej vitesh, sepse nuk e dinë se ku të shkojnë, shumë prej tyre nuk lejohen të largohen nga vendi dhe frikësohen për sigurinë personale. Është shumë e pazakontë”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka thënë se dëshiron që BE-ja t’i ashpërsojë ndalesat në vizat turistike. 

“Do të argumentoja se vendet evropiane nuk janë duke e bërë këtë për të ndëshkuar rusët, vetëm për hir të ndëshkimit të rusëve. Më shumë është vend. Është për të eksploruar rrugë të tjera për të vënë presione shtesë mbi Rusinë. Mendoj se në këtë pikë duhet të tregohesh kreativ, e nëse kjo është një mënyrë për ta bërë këtë, atëherë mendoj se nuk ka asnjë të keqe të përpiqesh të shohësh se çfarë do të ndodhë”.