Mendohet se Rusia ka humbur qindra tanke për dy muaj që nga pushtimi i Ukrainës. Ekspertët ushtarakë kanë thënë se kjo ndodh për shkak të armëve të avancuara anti-tanke, të cilat Perëndimi ia ka dhënë Ukrainës, dhe mënyrës së dobët që Rusia po i përdor tanket e veta.
Sa janë humbjet e Rusisë?
Ushtria ukrainase ka thënë se Rusia ka humbur më shumë se 680 tanke.
Ndërkaq, “Oryx”, uebfaqe që llogarit humbjet e ushtrisë ruse në Ukrainë, ka thënë se Rusia ka humbur më shumë se 460 tanke e mbi 2000 automjete tjera ushtarake.
Sipas “Rand Corporation” dhe Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, Rusia ka pasur mbi 2700 tanke në fillim të luftës.
Sa efektive kanë qenë armët anti-tank?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë furnizuar Ukrainën me 2000 raketa anti-tank “Javelin”, në fillim të luftës dhe deri tash i ka dërguar edhe 2000 të tjera.
“Javelinët” mund të gjuajnë ashtu që raketa të eksplodojë në majë të tankut, aty ku konsiderohet pjesa më e dobët e gjithë automjetit, sipas prodhuesit “Lockheed Martin”.
Shumë prej tankeve ruse janë të mbushura me mjete reaktive që absorbojnë ndikimin e raketave.
Gjithsesi, “Javelinët” janë të pajisur me dy koka luftarake. Njëra e hedhë poshtë mjetin reaktiv dhe e dyta shpon trupin e tankut.
Britania e Madhe po ashtu ka dërguar 3600 armë raketore anti-tank, që janë të krijuara për të shpërthyer sapo të kalojnë mbi kokën e tankeve.
SHBA-ja po ashtu pritet të furnizojë Ukrainën me 100 dronë anti-tank. Të njohur si “dronët kamikazë”, “Switchblade mund të fluturojnë deri mbi një kilometër larg nga operatori dhe më pas të shpërthejnë mbi tank, duke e shkatërruar.
Sa duhet fajësuar taktikat ruse?
Aktualisht forcat ruse po operojnë nëpërmjet njësive të caktuara luftarake të përbëra nga tanket, këmbësori dhe artileri.
Përbërja e çdo njësiti dallon, por në përgjithësi ka numër të madh të automjeteve luftarake, por relativisht pak trupa këmbësorie.
“Rusia ka relativisht pak trupa”, ka thënë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin St. Andrews, dhe këto njësite bashkë krijojnë një trup të vetëm luftarak që jep shumë goditje.
“Janë të dizajnuara ashtu që të godasin shpejt me shumë fuqi. Gjithsesi, kanë pak forca në këmbësori për t’i shoqëruar dhe për t’u hakmarrë nëse kolona ju sulmohet”, ka thënë ai.
“Prandaj ushtrua ruse është sikur boksier që ka të djathtë të fuqishme dhe me nofull të dobët”, ka përshkruar ai ushtrinë ruse.
O’Brien ka thënë se patrullimet e pakta ajrore ruse nënkuptojnë që trupat ukrainase e kanë më të lehtë për t’u pozicionuar që të shkatërrojnë kolonat e tankeve ruse.
Sa varet nga paaftësia ruse?
Sipas të dhënave të “Oryxit”, gjysma e tankeve që Rusia i ka humbur nuk janë shkatërruar apo dëmtuar nga rivalët, por janë kapur apo braktisur.
Ekspertët thonë se kjo është paaftësi e forcave ruse.
“I keni parë ato fotografitë e tankeve ruse që tërhiqen nga traktorët e ukrainasve. Disa prej këtyre tankeve janë braktisur pasi kanë mbetur pa karburant. Ky është dështim. Disa kanë ngecur në baltë, për shkak të kohës së gabuar të nisjes së luftës”, ka thënë O’Brien.
Qeveria ukrainase po ashtu u ka dhënë instruksione qytetarëve se si të veprojnë me automjetet e braktisura.