Botë

80 shtete e mbështesin “integritetin territorial” të Ukrainës në samitin për paqe në Zvicër

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.

Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.

Pjesëmarrësit, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ishin në mesin e atyre që nuk e nënshkruan dokumentin final, i cili përqendrohej në çështjet si, siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve.

“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirjen dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratën përfundimtare, sipas AFP-së.

Në prag të samitit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shpalosi kushte të ashpra për një armëpushim, përfshirë duke kërkuar që Ukraina t’ia dorëzojë katër rajone jo vetëm në pjesët e okupuara nga forcat pushtuese ruse, por edhe rajonet e kontrolluara nga Ukraina. Këto kërkesa u hodhën poshtë menjëherë nga Kievi dhe nga mbështetësit e tij perëndimorë.
Mbështetja nga liderët perëndimorë dhe liderë të tjerë në këtë samit për paqe për Ukrainën dëshmon se mund të rivendoset rendi dhe ligji ndërkombëtar, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas samitit dyditor në Burgenstok.

“Shpresoj se mund të arrijmë rezultate sa më parë”, tha ai gjatë tubimit. “Ne do t’ua dëshmojmë të gjithëve në botë se karta e OKB-së mund të rivendoset me efekt të plotë”.

Me këtë samit, Zelensky kërkoi që sa më shumë vende të botës ta mbështesin kauzën e Ukrainës, posaçërisht vendet nga i ashtuquajturi Jugu Global, si dhe ta mbajë vëmendjen e botës në pushtimin brutal të Ukrainës nga Moska.

Samiti i 15-16 qershorit ishte kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Zvicra ishte pajtuar të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.

Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.
 

Përpjekje për konsensus në samitin e Ukrainës, rruga përpara e pasigurt

 

E përditësuar (14:34): Fuqitë perëndimore dhe vendet e tjera punuan që të arrihet një konsensus për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë në një samit zviceran të dielën, por disa vende mund të refuzojnë të mbështesin konkluzionet e tij përfundimtare.

Po ashtu, nuk kishte qartësi nëse bisedimet e ardhshme do të përfshinin Rusinë, raporton Reuters.

Më shumë se 90 vende morën pjesë në bisedimet dy-ditore në një vendpushim alpin zviceran me ftesë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Por Moska zyrtare, e cila nuk ishte e ftuar dhe e kishte bërë të qartë se nuk dëshironte të merrte pjesë, e cilësoi samitin një humbje kohe dhe në vend të kësaj parashtroi propozime rivale nga larg.

Kina ishte një tjetër shtet që mungonte.

Megjithatë, konferenca nënvizoi mbështetjen e gjerë që Ukraina gëzon ende nga aleatët e saj, por edhe sfidat për çdo armëpushim të qëndrueshëm, me forcat ukrainase në këmbë pas ndryshimeve të fundit ushtarake dhe vonesave për ndihmën perëndimore. 

Rusia aktualisht kontrollon rreth 20% të Ukrainës.

Një draft i deklaratës përfundimtare të parë nga Reuters i referohet pushtimit rus si një "luftë" - një emërtim që Moska e refuzon, dhe bën thirrje që të rivendoset kontrolli i Ukrainës mbi uzinën bërthamore të Zaporizhzhias dhe portet e saj të Detit Azov.

Drafti, i datës 13 qershor, bëri thirrje që të respektohet integriteti territorial i Ukrainës.

Por në konferencë nuk u diskutuan çështjet si: si mund të dukej një zgjidhje e pasluftës për Ukrainën, nëse Ukraina mund të bashkohej me aleancën e NATO-s ose si mund të funksiononte tërheqja e trupave nga të dyja palët.

Kancelari austriak, Karl Nehamer ka thënë se deklarata mund të dështojë të arrijë një mbështetje unanime.

“Për mendimin tim, deklarata nuk do të nënshkruhet nga të gjithë, sepse përsëri bëhet fjalë për zgjedhjen specifike të fjalëve, por edhe ata që nuk do ta nënshkruajnë, të gjithë e kanë bërë të qartë se qëndrimi i tyre është i njëjtë, se lufta duhet të marrë fund”, ka deklaruar ai.

Samiti kishte shpresuar gjithashtu të emëronte nikoqirin e një takimi tjetër të tillë - ndoshta Arabinë Saudite, por Nehammer ka thënë se ishte shumë herët për të thënë se çfarë formati mund të merrte një samit i tillë dhe nëse Rusia do të ishte atje. 


Samiti i paqes në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës

Udhëheqësit botërorë në samitin e paqes në Ukrainë që po mbahet në Zvicër, pritet të miratojnë një deklaratë që riafirmon integritetin territorial të Kievit.

Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare po marrin pjesë në samitin, që synon krijimin e mbështetjes më të gjerë të mundshme për një proces që mund të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë, raporton BBC.

Rusia nuk është ftuar dhe as mbështetësi i saj më i madh Kina nuk është e pranishme, gjë që ka ndikuar që disa të hedhin dyshime mbi efektivitetin e samitit.

Por të pranishmit, jo të gjithë nga të cilët janë mbështetësit më të afërt të Ukrainës, shpresojnë të arrijnë marrëveshje për çështje të tilla si siguria bërthamore dhe eksportet e ushqimit.

Ato përfshijnë Arabinë Saudite, ministri i Jashtëm i së cilës ka paralajmëruar se Ukrainës do t'i duhet të bëjë kompromise të vështira, dhe Kenia, e cila u shpreh kundër sanksioneve të fundit ndaj Rusisë.

Megjithatë, të gjitha delegacionet pritet të miratojnë një deklaratë përfundimtare që dënon pushtimin e Rusisë.

Draft dokumenti, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters, bën thirrje që kontrolli ukrainas të rivendoset mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhzhisa dhe po ashtu mbi portet e vendit në Detin Azov, të gjitha të pushtuara aktualisht nga Rusia.

Ai gjithashtu i referohet pushtimit të Rusisë si një "luftë", një etiketë të cilën Moska tashmë e ka hedhur poshtë.

Po diskutohen edhe çështje humanitare si kthimi i të burgosurve dhe fëmijëve të rrëmbyer.

Organizatorët e samitit shpresojnë të shpallin një konferencë të dytë, ndoshta në Arabinë Saudite, për të diskutuar mbi atë që është arritur.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të shtunën se rezultatet e samitit zviceran do t'i komunikohen Moskës "në mënyrë që në samitin e dytë të paqes të mund ta rregullojmë fundin e vërtetë të luftës".

Rusia e ka përshkruar ngjarjen zvicerane si humbje kohe dhe të premten presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se do të pajtohej me një armëpushim nëse Ukraina tërheq trupat nga katër rajone për të cilat Rusia pretendon se i ka aneksuar. 

Por një ditë më vonë, udhëheqësit perëndimorë që morën pjesë në samit e kundërshtuan me forcë propozimin e Putinit.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshkroi atë si "propagandë", derisa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak e akuzoi Putinin se "po përcillte një tregim të rremë rreth gatishmërisë së tij për të negociuar".