Nëse nuk ndërmerret asgjë për të frenuar presidentin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për ndarjen e entitetit të Republika Srpskas, boshnjakët druajnë se një tjetër cikël dhune mund të shpërthejë në rajon, shkruan televizioni nga Katari
Ahmed Hrustanoviq, imam dhe mësues në qytetin e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë ka frikë për veten dhe familjen, derisa vendi po përballet me krizën e tij më të keqe politike dhe të sigurisë që nga lufta në vitet 1990.
Në korrik 1995, forcat serbe ia vranë 35-vjeçarit babain, të dy gjyshërit, katër xhaxhallarët dhe të afërmit e tjerë gjatë gjenocidit në Srebrenicë, e cila ishte shpallur "zonë e sigurt" e Kombeve të Bashkuara.
Marrëveshja e Paqes së ftohtë
Nga viti 1992 deri në vitin 1995 Bosnja u sulmua nga forcat serbe dhe kroate, që synonin të ndanin vendin, përkatësisht në një Serbi të Madhe dhe në një Kroaci të Madhe. Rreth 100,000 njerëz u vranë dhe gati dy milionë njerëz u dëbuan.
Konflikti përfundoi në dhjetor 1995, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila themeloi Bosnjë-Hercegovinën si një shtet të përbërë nga dy entitete: Entiteti i Federatës me dominim boshnjako-kroat dhe ai i Republika Srpskas, të drejtuar nga serbët, shkruan “Al-Jazeera”.
Milorad Dodik, anëtar serb i presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës, e cila ndahet me rotacion çdo tetë muaj midis një anëtari boshnjak, një serb dhe një kroat, ka kërcënuar për 15 vjet me radhë se Republika Srpska do të shkëputet.
“Por në muajin e kaluar, ai ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt një lëvizjeje të tillë, duke njoftuar se Republika Srpska do të tërhiqet nga institucionet kryesore shtetërore për të jetësuar autonominë e plotë brenda vendit, në kundërshtim me marrëveshjet e paqes së 1995”, kujton mediumi nga Katari.
“Kriza filloi në korrik kur Valentin Inzko, atëherë përfaqësuesi i lartë që mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes së paqes, ndaloi me ligj mohimin e gjenocidit dhe krimet e luftës, si dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Përfaqësuesit serbë u kundërpërgjigjën duke bojkotuar institucionet qendrore të shtetit”.
Dora e zgjatur e Rusisë
Republika Srpska, së bashku me aleatët, Kinën dhe Rusinë, nuk e njeh Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë dhe prej kohësh ka kërkuar mbylljen e saj.
Javën e kaluar, Dodiku njoftoi se Republika Srpska do të lëvizte drejt formimit të ushtrisë së saj serbe të Bosnjës, pas tërheqjes nga forcat e përbashkëta të armatosura të Bosnjës. Njoftimi ka alarmuar shumë boshnjakë si Hrustanoviq, të cilët kanë frikë nga një rikthim i mundshëm i dhunës së viteve 1990.
“Nuk mund të them se nuk kam frikë dhe nuk mund ta besoj se pas kaq shumë vitesh dhe pasi i keni mbijetuar gjenocidit, ju ende keni frikë për veten tuaj, familjen tuaj, jetën tuaj”, tha Hrustanoviq, për “Al Jazeera”.
“Njerëzit në Srebrenicë janë të frikësuar. Sot, takova një nga ‘Nënat e Srebrenicës’ (një grup aktivistësh që përfaqësonte të afërmit e viktimave të gjenocidit) dhe ajo më pyeti, 'Biri im, çfarë po ndodh? A do të duhet të ikim përsëri?”
Ishte ushtria serbe e Bosnjës së bashku me policinë, inteligjencën dhe sigurinë serbe që kryen dhunë sistematike kundër joserbëve në luftën e mëparshme.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 e shpalli ushtrinë serbe të Bosnjës si përgjegjëse për gjenocidin në Srebrenicë, të shtrirë në entitetin e Republika Srpskas pranë kufirit me Serbinë.
Hrustanoviq u kthye në Srebrenicë në vitin 2014, dy vjet pasi ai dhe familja e tij varrosën mbetjet e paplota skeletore të babait dhe të dy xhaxhallarëve.
Ushtria e gjenocidit
Baba i katër fëmijëve, Hrustanoviq tha për “Al-Jazeeran” se shpresonte se familja e tij nuk do të duhej të ikte, por nuk e përjashtoi këtë.
“Situata politike nuk ka qenë kurrë kaq e keqe (që nga lufta), deri në pikën ku ata haptazi po shkojnë drejt formimit të ushtrisë së Republika Srpskas që kreu gjenocid”, tha Hrustanoviç. "Çfarë humbje e njerëzimit është kjo të lejosh dikë të formojë një ushtri që kreu gjenocid”.
Në Zepa, e shtrirë në Republika Srpska afër Srebrenicës, familjet e të kthyerve boshnjakë ishin gjithashtu të shqetësuar.
“Ata janë të mbijetuar të gjenocidit, nëna apo të moshuar që jetojnë vetëm”, tha për “Al-Jazeeran” Munira Subasiq, presidente e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, e cila vizitoi komunitetin të enjten. “Më thirrën për t'u takuar me ta dhe për të biseduar, por nuk kam fjalë ngushëllimi sepse unë vetë nuk mund ta përballoj atë që po ndodh në Bosnjë”, tha Subashiq.
“Bashkësia ndërkombëtare po na tradhton përsëri”
“Kjo është një situatë e vështirë. Ka shumë biseda, pëshpëritje dhe histori që qarkullojnë, ashtu siç ishte në vitet 1990 para se të shpërthente lufta. Dodik po bën punën e tij, ai nuk do të tërhiqet, por komuniteti ndërkombëtar, që na tradhtoi në 1995, po përpiqet të na tradhtojë përsëri”, shtoi ajo.
"Ata duhet të kishin bërë diçka shumë kohë më parë ... Ata të gjithë thonë: 'Po shikojmë, po vëzhgojmë, po ndjekim' ... por në realitet, ata e kanë ndarë Bosnjën", vazhdoi Subashiq, duke shtuar se nënat do duhet të përdorin pasaportat e tyre për të vizituar varret e të dashurve të tyre, të varrosur në Republika Srpska nëse entiteti shkëputet.
Të mërkurën, Përfaqësuesi i Lartë aktual, Christian Schmidt, paraqiti një raport për misionet e huaja në Kombet e Bashkuara, duke paralajmëruar se marrëveshja e paqes rrezikohet të prishet dhe se "perspektivat e ndarjes dhe konfliktit të mëtejshëm janë shumë reale" nëse Dodik krijonte një ushtri të veçantë serbe.
Veprimet e Dodik janë "të barabarta me shkëputjen pa e shpallur atë", tha ai, duke shtuar se Bosnja përballet me kërcënimin e saj më të madh ekzistencial që nga fundi i luftës, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn për të frenuar kërcënimet secesioniste.
Reagim kundërthënës i Perëndimit
Nga ana e tyre, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar deklarata duke i bërë thirrje "të gjithë aktorëve politikë" dhe "të gjitha palët" të braktisin retorikën përçarëse dhe shkëputëse dhe të respektojnë institucionet shtetërore, duke zemëruar kritikët, që këmbëngulin se vetëm njëra palë ka shkelur marrëveshjet, shkruajnë “Al-Jazeera”.
Megjithatë, komandanti i forcës paqeruajtëse të BE-së (EUFOR) në Bosnjë, Aleksander Placer, tha se ai nuk shihte ndonjë kërcënim ushtarak pas lëvizjeve të Dodikut për të krijuar një ushtri serbe, duke shtuar se forcat e përbashkëta të armatosura të Bosnjës nuk janë përfshirë në Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.
"Situata e sigurisë në Bosnjë është e qëndrueshme", tha ai, në komentet e botuara të mërkurën në të përditshmen austriake “Standard”, duke habitur shumë boshnjakë.
Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, një institut me qendër në Berlin, i tha “Al-Jazeeras” se kriza do të përkeqësohej nëse komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta trajtojë atë vetëm në mënyrë diplomatike.
Schmidt në raportin e tij e bëri të qartë se ka një krizë sigurie, jo vetëm politike, vuri në dukje ai.
"Kërkon një kundërpërgjigje sigurie”, tha Bassuener, siç është përforcimi i EUFOR-it, i cili është vendosur për të siguruar një mjedis të sigurt, por është tkurrur dhe nën aftësinë parandaluese për më shumë se një dekadë.
Hesape të gabuara
"Ka më shumë se mjaftueshëm armatim dhe më shumë se mjaft njerëz të cenueshëm për të lejuar të ndodhë diçka shumë e keqe ", tha Bassuener. “Potenciali për llogaritje të gabuara midis aktorëve që kanë fuqi shtrënguese në Bosnjë është shumë, shumë i lartë. Unë mendoj se është një frikë shumë legjitime që nëse kjo nuk trajtohet seriozisht me mjetet e sigurisë në afatin e menjëhershëm, brenda ditëve, javëve, jo muajve, ka gjithnjë e më shumë gjasa që të ndodhë diçka e keqe që nuk mund të planifikohet, por do të çojë në diçka që do të zhvillojë një dinamikë të vetën”, tha Bassuener, për “Al-Jazeeran”.
Ndërkohë, në qytetin qendror të Bosnjës, Jajce, Samir Behariq tha se po ndihet nervoz për të ardhmen për herë të parë në jetën e tij.
30-vjeçari tha se ishte i zhgënjyer me komunitetin ndërkombëtar dhe nuk priste që "diplomatët e huaj të paaftë" të siguronin paqen pasi "zgjidhjet e tyre të shpejta" nuk funksionojnë.
Kohët e fundit, tha ai, nëna e tij e kishte pyetur nëse do t'u duhej të iknin përsëri nga Jajce, ashtu si në vitin 1992 pasi Ushtria e Republika Srpska pushtoi qytetin.
“Ajo tha se më parë do të preferonte të vdiste, sesa të përjetonte përsëri një luftë. Dhe ajo nuk është e vetmja”, tha ai.
Përgatiti: Rexhep Maloku