Botë

Përmbytje në Serbi dhe Kroaci, në Slloveni dëme deri në 500 milionë euro

Serbia dhe Kroacia të shtunën janë përballur me stuhi të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje në disa zona. Në Kroaci lumi Sava ka arritur në pikën kritike ndërkaq autoritetet në Slloveni kanë njoftuar se përmbytjet janë më të rëndat në histori të shtetit dhe kanë shkaktuar dëme deri në 500 milionë euro

Shiu i madh ka shkaktuar përmbytjen e disa zonave në Serbi dhe Kroaci, ndërkaq gjendje e rëndë vazhdon të mbetet në Slloveni.

Në periferi të Beogradit janë përmbytur disa shtëpi të shtunën dhe të dielën, si pasojë e stuhisë së fuqishme.

Në Kroaci, niveli i lumit Sava në afërsi të Zagrebit ka arritur pikun të shtunën.

Në komunën kroate të Brdovecit shtëpitë janë përmbytur dhe banorët janë evakuuar nga zona.

Sllovenia është shteti më i dëmtuar nga shiu dhe përmbytjet të ditëve të fundit.

Së paku tre persona kanë vdekur nga përmbytjet në kufi me Austrinë. Autoritetet sllovene kanë bërë të ditur se rrugët dhe disa ura janë shkatërruar në rajonin e Carinthias, në kufi me Austrinë.

Ndërkaq, qyteti Crno është bllokuar tërësisht, por ushtria dhe policia sllovene ka arritur t’u dalë në ndihmë banorëve të këtij fshati.

Të shtunën lumi Mura ka dalë nga shtrati dhe autoritetet kanë vendosur bllokada rëre për të parandaluar përmbytjet e mundshme.

Policia sllovene ka njoftuar se 300 banorë të fshatit të përmbytur Kraljevi Hrib janë evakuuar. Ekipet emergjente kanë përdorur helikopterët për të shpëtuar një numër të madh të njerëzve.

Kryeministri slloven, Robert Golob, ka thënë se përmbytjet janë “katastrofa më e rëndë natyrore” në histori të Sllovenisë.

Ai ka deklaruar se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet kanë arritur në 500 milionë euro.

Dy e treta e shtetit slloven është goditur nga përmbytjet, ka njoftuar kryeministri.

Shërbimi i motit në Slloveni ka njoftuar se shiu sa për një muaj ka rënë brenda një dite.