Botë

Përkrahësit e rrenave të Trumpit synojnë t’i kontrollojnë zgjedhjet e ardhshme

Të tre kandidatët kryesorë për drejtimin e zyrave zgjedhore në pesë shtete amerikane, sipas një raporti ekskluziv të agjencisë së lajmeve Reuters, janë pjesë e një grupi të gjerë republikanësh që kishin përqafuar pretendimet e pavërteta të ish-presidentit Donald Trump, se fitorja zgjedhore e 2020-s i ishte vjedhur. “Kandidimet e tyre kanë alarmuar demokratët dhe grupet e së drejtës për votë, të cilët druajnë se politikanët që u munduan më së tepërmi për ta minuar besimin e amerikanëve në zgjedhje mund së shpejti të jenë personat që do t’i udhëheqin ato në votimet e ardhshme”, ka shkruar Reuters

Kandidati që synon të bëhet zyrtari kryesor i zgjedhjeve në Georgia të SHBA-së, republikani Jody Hice, është njëri prej kongresistëve që kishte votuar për ta zmbrapsur fitoren presidenciale të Joe Bidenit më 2020, pak orë pas trazirave të 6 janarit në ndërtesën e Kongresit në Washington.

Më herët, gjatë asaj dite, Hice kishte shkruar në mediat sociale: “Ky është momenti ynë i 1776-s”, duke iu referuar revolucionit amerikan.

Në Arizona pretendues për postin e shefit të zyrës së zgjedhjeve është ligjvënësi republikan Mark Finchem, i cili mori pjesë në tubimin masiv të para kryengritjes së përgjakshme. E në Nevada, njëri prej kandidatëve të fuqishëm republikan për zyrën zgjedhore është Jim Marchant.

Që të tre kandidatët, sipas një raporti ekskluziv të agjencisë së lajmeve Reuters, janë pjesë e një grupi të gjerë republikanësh që kishin përqafuar pretendimet e rreme të ish-presidentit Donald Trump, se fitorja zgjedhore i ishte vjedhur.

“Kandidimi i tyre ka alarmuar demokratët dhe grupet e së drejtës për votë, të cilët druajnë se politikanët që u munduan më së tepërmi për ta minuar besimin e amerikanëve në zgjedhje mund së shpejti të jenë personat që do t’i udhëheqin ato në votimet e ardhshme”, ka shkruar Reuters.

Jena Griswold, shefe e Asociacionit demokratik të Sekretarive Shtetërore dhe zyrtare kryesore për zgjedhje në Colorado, ka thënë se gara e reflekton eksploatimin shumë më të gjerë të pretendimeve të paqëndrueshme për mashtrime zgjedhore nga republikanët që i synojnë të gjitha nivelet e zyrave zgjedhore.

“Ky është ‘kodi i kuq’ për demokracinë”, ka thënë ajo në një intervistë për agjencinë.

Kandidatët për zyrat zgjedhore përballen me zgjedhje paraprake pranverën dhe verën e ardhshme, ndërkaq më pas edhe me zgjedhjet e përgjithshme më 8 nëntor 2022.

Reutersi ka intervistuar nëntë prej 15 kandidatëve republikanë për sekretaritë shtetërore në 5 shtete – Arizona, Georgia, Wisconsin, Michigan, Nevada – dhe ka vrojtuar deklaratat publike të të gjithë atyre. 10 prej 15 syresh ose kanë deklaruar se zgjedhjet e 2020-s janë vjedhur, ose i kanë pretenduar se rezultatet në shtetet e tyre janë manipuluar.

Vetëm dy prej kandidatëve të intervistuar nga Reutersi kanë thënë se Bideni ishte fitues i drejtë i zgjedhjeve të nëntorit të shkuar.

Shumicën e këtyre kandidatëve i ka mbështetur tanimë ish-presidenti, ani pse një gjë e tillë nuk është fort e zakontë.

“Presidenti Trump ndihet krenar që t’i mbështesë kandidatët që luftojnë për integritetin e zgjedhjeve”, ka thënë Liz Harrington, një zëdhënëse e Trumpit, duke folur për agjencinë.

Demokratët dhe ekspertët apartiakë të zgjedhjeve pretendojnë se duket që aleatët e Trumpit – meqë kanë dështuar në përpjekjet e mëhershme për ta zmbrapsur fitoren e Bidenit – tani po përpiqen ta lehtësojnë shtegun e rrëzimit të rezultateve në të ardhmen.

Me mbështetjen e Trumpit, Hice konsiderohet si favorit në garën për Georgian. Ai ka qenë njëri prej mbështetësve më të zëshëm të ish-presidentit në pretendimet e tij për zgjedhjet. Pak orë para 6 janarit, Reuters kujton se Hice ishte në mesin e 147 anëtarëve republikanë të Kongresit që votuan kundër certifikimit të fitores zgjedhore të Bidenit.

Por kandidimi i tij nuk është pa rreziqe për republikanët. Mbështetja e tij e vrullshme për pretendimet e Trumpit mund t’i zmbrapsë disa prej votuesve të moderuar dhe të pavarur në zgjedhjet e përgjithshme, kanë bërë të ditur këshilltarët politikë të intervistuar nga Reutersi.

Një kandidat tjetër në Georgia është David Belle Isle, i cili kishte thënë se beson që Bideni nuk do të duhej shpallur fitues.

Pretendimet e pambështetura të Trumpit për vjedhjen e zgjedhjeve kanë nxitur me qindra kërcënime për varje, bombardime dhe forma të tjera të dhunës kundër zyrtarëve elektoralë dhe familjarëve të tyre, ka raportuar Reutersi gjatë vitit.

Sekretarët e shteteve rëndom i mbikëqyrin zgjedhjet në shumicën e shteteve amerikane dhe kanë kompetenca për të vendosur rreth mënyrës së dhënies së votës, numërimit dhe certifikimit të zgjedhjeve.