Botë

Përjashtimi “i turpshëm” i vajzave afgane nga shkollat

“Përjashtimi i vazhdueshëm i vajzave nga shkolla e mesme nuk ka asnjë justifikim të besueshëm dhe nuk ka asnjë paralele askund në botë. Është thellësisht e dëmshme për një brez vajzash dhe për të ardhmen e vetë Afganistanit”, tha Potzel, i cili është gjithashtu zëvendëspërfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje sundimtarëve talebanë të Afganistanit që t’i rihapin shkollat ​​për vajzat e klasave 7-12, duke e quajtur njëvjetorin e përjashtimit të tyre nga shkolla e mesme “të turpshëm”.

OKB-ja tha se është gjithnjë e më e shqetësuar se politika, së bashku me kufizimet e tjera për liritë themelore, do të kontribuojnë në një thellim të krizës ekonomike të vendit në formën e pasigurisë, varfërisë dhe izolimit më të madh.

“Ky është një përvjetor tragjik, i turpshëm dhe krejtësisht i shmangshëm”, tha Markus Potzel, ushtrues detyre i kreut të misionit të OKB-së në Afganistan.

Një vit pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan, linjat e ashpra duket se kanë ndikim në qeverinë e udhëhequr nga talebanët. Vajzat adoleshente janë ende të ndaluara nga shkolla dhe grave u kërkohet të mbulohen nga koka te këmbët në publik, përveç syve të tyre. Grupi fetar ka dështuar t’i përmbushë premtimet e ndryshme për të mundësuar kthimin e vajzave në klasë. Ndalimi synon klasat 7-12, duke prekur kryesisht vajzat e moshës 12 deri në 18 vjeç.

Talebanët rihapën shkollat ​​e mesme për djemtë, ndërsa i udhëzuan vajzat të qëndronin në shtëpi. OKB-ja vlerëson se më shumë se një milion vajza janë ndaluar të ndjekin shkollën e mesme gjatë vitit të kaluar.

“Përjashtimi i vazhdueshëm i vajzave nga shkolla e mesme nuk ka asnjë justifikim të besueshëm dhe nuk ka asnjë paralele askund në botë. Është thellësisht e dëmshme për një brez vajzash dhe për të ardhmen e vetë Afganistanit”, tha Potzel, i cili është gjithashtu zëvendëspërfaqësues special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin.

Për të shënuar përvjetorin e së dielës, 50 vajza dërguan një letër me titull "Një vit errësirë: Një letër nga vajzat afgane drejtuar krerëve të vendeve myslimane dhe liderëve të tjerë botërorë". Vajzat vijnë nga kryeqyteti Kabul, provinca lindore Nangarhar dhe provinca veriore Parvan.

“Vitin e kaluar, neve na janë mohuar të drejtat e njeriut, si e drejta për t’u arsimuar, privilegji për të punuar, liria për të jetuar me dinjitet, liri, lëvizshmëri dhe fjalë, si dhe e drejta për të vendosur vetë. Azadi, një nxënëse 18 vjeçare e klasës së 11-të nga Kabuli, tha në letër. Vajzat e përmendura në letër jepnin vetëm emrat e tyre.

OKB-ja tha se mohimi i arsimit shkel të drejtat më themelore të vajzave dhe grave. Organizata botërore tha se rrit rrezikun e margjinalizimit, dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit ndaj vajzave dhe është pjesë e një game më të gjerë politikash dhe praktikash diskriminuese që synojnë gratë dhe vajzat që kur autoritetet de fakto morën pushtetin në verën e vitit 2021.

OKB-ja u bëri thirrje përsëri talebanëve që t’i anulojnë masat për të kufizuar respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore të vajzave dhe grave afgane.

Që nga marrja e pushtetit, talebanët kanë luftuar për të qeverisur dhe mbeten të izoluar ndërkombëtarisht. Një rënie ekonomike ka zhytur miliona të tjerë afganë në varfëri dhe uri, pasi fluksi i ndihmës së huaj është ngadalësuar.

Përktheu: Forca Jashari