Ka përfunduar të martën kërkimi i trupave në sallën e koncerteve ruse, ku u vranë më shumë se 130 persona disa ditë më parë.
Kreu i ekipeve të kërkim-shpëtimit, Sergei Poletykin, ka thënë se nuk ka më viktima nën rrënoja, raportoi AP.
Rusia është ende e tronditur nga sulmi i së premtes, në të cilin persona të armatosur vranë të paktën 139 njerëz në Sallën e Qytetit Crocus, një vend koncerti në periferi të Moskës.
Zyrtarët shëndetësorë thanë se rreth 90 persona mbeten të shtruar në spital, me 22 prej tyre, përfshirë dy fëmijë, në gjendje të rëndë.
Zyrtarët rusë këmbëngulën të martën duke thënë se Ukraina dhe Perëndimi kishin një rol në sulm.
Ata i bënë pretendimet e tyre pavarësisht mohimeve të ashpra të përfshirjes nga Kievi dhe pretendimit të përgjegjësisë nga një degë e grupit të Shtetit Islamik.
Rusia i ka akuzuar katër persona lidhur sulmin.
Tre prej tyre janë dërguar të përkulur në një gjykatë në Moskë të dielën, ndërsa i katërti ishte në një karrige me rrota.
Të gjithë u akuzuan për kryerjen e aktit terrorist.
Të arrestuarit janë Dalerdzhon Mirzoyev, Saidakrami Murodali Rachabalizoda, Shamsidin Fariduni dhe Muhammadsobir Fayzov.