Ndërtesat në qytetin turistik kanadez të Jasperit po digjen ndërsa zjarret kanë detyruar të evakuohen 25 mijë persona nga zona, raporton “BBC”.
Zjarri është përhapur nëpër Parkun Kombëtar Jasper, duke shkaktuar “dëme të mëdha” brenda qytetit, siç është njoftuar në platformën “X” nga zyrtarët e parkut.
Qindra vatra zjarri janë nisur në provincat perëndimore të Albertas dhe British Columbias.
Mbi 58 mijë herë është goditur rajoni nga rrufetë gjatë javës së kaluar, duke iniciuar zjarre të reja pas një vale të të nxehtit trejavore.
Rreth 1900 zjarrfikës të Albertas janë caktuar në detyrë, ndërsa po asistohen edhe nga personel nga Alaska dhe Australia, dhe po punohet për t’u shpëtuar infrastruktura lokale.
Del jashtë kontrollit zjarri në qytetin kanadez
Zjarri në qytetin kanadez Jasper ka dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme të mëdha, ka raportuar BBC-ja të enjten.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i ka falënderuar zjarrfikësit për reagimin, duke thënë se pamjet e situatës janë tronditëse.
“Derisa shfaqen imazhe tronditëse nga Jasperi, dua t'i falënderoj reaguesit e parë të guximshëm që aktualisht janë në Alberta, duke luftuar për të shpëtuar çdo shtëpi dhe çdo komunitet që munden”, ka thënë ai.
Në ndihmë kanë dalë edhe zjarrfikësit e Meksikës, Australisë, Zelandës së Re dhe të Afrikës së Jugut.
Zjarri u tha se është shkaktuar nga një rrufe të mërkurën, duke u përshkallëzuar brenda një ore në rreth pesë kilometra hapësirë.