Botë

Përfshihet nga zjarri një ndërtesë historike në Kopenhagë

Danimarkë - Borsen

Ministri i Kulturës i Danimarkës ka thënë se 400 vjet trashëgimi kulturore daneze janë përfshirë nga zjarri

Ndërtesa e vjetër historike e njohur si “Borsen”, në Danimarkë në qendër të Kopenhagës është përfshirë nga zjarri, raporton BBC.

“Borsen”, që do të thotë “shkëmbim”, e shekullit të 17-të është një nga ndërtesat më të vjetra të qytetit dhe nga zjarri spiralja e saj ikonë është shembur. 

Të gjithë njerëzit brenda ndërtesës kanë arritur të largohen ndërkohë që u munduan të shpëtonin edhe disa nga pikturat historike të saj.

Ministri i Kulturës i Danimarkës, Jakob Engel-Schmidt ka thënë se “400 vjet trashëgimi kulturore daneze janë përfshirë nga zjarri”.

Ndërtesa, që daton që nga viti 1625, është shumë afër parlamentit të Danimarkës dhe pallatit mbretëror, Christiansborg. 

Mediat daneze kanë raportuar se edhe sheshi aty pranë është duke u evakuuar.
Ndërtesa e vjetër po rinovohej dhe ishte e mbuluar me skela dhe mbulesa plastike mbrojtëse. Ajo aktualisht përfshin edhe dhomën daneze të tregtisë.

Zejtari vendas, Henrik Grage ka thënë se kjo është ditë tragjike. 
“Kjo është Notre-Dame e jonë”, është shprehur ai, duke e krahasuar atë me zjarrin që përfshiu çatinë dhe majën e katedrales në qendër të Parisit në vitin 2019.

Kalimtarët u janë bashkuar shërbimeve të urgjencës, si dhe drejtorit të dhomës së tregtisë, Brian Mikkelsen, për të shpëtuar thesaret e artit nga “Borsen”.

Ndërtesa e stilit holandez të Rilindjes në Slotsholmen të qytetit, ose ishulli i pallatit, u porosit nga mbreti i Danimarkës, Christian IV, me qëllimin për ta kthyer Kopenhagën në një qendër të madhe tregtare.

Spiralja e saj përmbante katër dragonj, bishtat e të cilëve ishin të përdredhur në një shtizë dhe tre kurora, duke simbolizuar lidhjet e ngushta me fqinjët Norvegjinë dhe Suedinë.
 

VIDEO: