Për ta përshpejtuar kërkimin për personat e zhdukur në luftë, autoritetet ukrainase po përdorin teknologji të avancuara. Ukrainasit po përdorin softuer për njohjen e fytyrës të ofruar nga partnerët perëndimorë, duke kryer kërkime në bazat e të dhënave, mediat sociale dhe në internet. Një mjet i përdorur është aplikacioni Clearview AI, i cili lejon përdoruesit të njohin fytyrat nga fotot e postuara në rrjetet sociale dhe u ka mundësuar autoriteteve të identifikojnë ushtarët e zhdukur që mbahen robër nga rusët.
“Përshëndetje nënë! Gjithçka është në rregull, por me gjasë nuk do të kyçem në telefon për një kohë më të gjatë, ndoshta një javë a një muaj. Mos u bëj merak”. Ky ishte mesazhi i fundit që Nazar Ocheretnyi ia dërgoi së ëmës, më 30 mars, 2022. Pas afërsisht tre vjetësh, më nuk kanë kontaktuar.
Mjeku ushtarak ukrainas u zhduk në moshën 33-vjeçare në Mariupol, qyteti lindor i Ukrainës, që atëherë ishte nën rrethim në një nga betejat më të përgjakshme në luftën ruse kundër Ukrainës. Më 12 prill 2022, nëna e Ocheretnyit, Valentyna Ocheretnaya, u informua zyrtarisht se djali i saj ishte zhdukur në aksion, ose ndoshta ishte kapur nga pushtuesit. Me gjithë kërkimin e palodhur të nënës së tij 61-vjeçare, deri në marsin e vitit 2024, as nuk është konfirmuar se ka vdekur e as nëse është ende gjallë.
Ocheretnyi është një nga pothuajse 60 mijë personat në personelin ushtarak dhe civilë të njohur si të zhdukur në rrethana të veçanta në Regjistrin e Unifikuar të qeverisë. Megjithatë, numri real mund të jetë shumë më i lartë.
“Nëse personi është në regjistër - ka dy versione kryesore - personi ose është duke u mbajtur rob nga rusët, ose ka vdekur”, tha Artur Dobroserdov, komisioneri për Personat e Zhdukur në rrethana të veçanta.
Por sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më e vështirë është për qeverinë ukrainase të gjejë ata që u kapën ose u vranë.
Mënyra se si zhvillohet lufta ka ndryshuar gjithashtu që nga viti 2022. Të dyja ushtritë tani përdorin gjerësisht dronët, kështu që kthimi i trupave nga vijat e frontit është gjithnjë e më i vështirë – kjo është arsyeja pse Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë rregullisht trupat. Ukraina ka arritur të sjellë në shtëpi më shumë se 7 mijë trupa qëkur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
“Të gjitha njësitë ushtarake e dinë se duhet të marrin trupat e mbrojtësve tanë dhe të armikut. Nëse merret, trupi i armikut është një pasuri për “fondin e këmbimit”, që do të përdoret në procedurën e riatdhesimit”, tha Dobroserdov.
Testimi i detyrueshëm i ADN-së
Gjatë riatdhesimit të fundit të tillë, më 14 shkurt, Ukraina solli në atdhe trupat e 757 ushtarëve të rënë. Por për të afërmit e tyre, ai ende nuk ishte momenti kur ata më në fund mund të varrosnin të dashurin e tyre sipas traditave ukrainase.
“Unë do t’ju them të vërtetën e hidhur. Duhet të konsideroni veten me fat që të gjeni të dashurin tuaj dhe ta varrosni”, thuhet në një koment në rrjetet sociale, në një diskutim për ushtarët që janë të zhdukur në aksion.
Identifikimi i personave të zhdukur është një proces i gjatë dhe kompleks. Shpesh, ajo që kthehet është vetëm mbetje trupash, tha Dobroserdov - të gjymtuar, të copëtuar, të kalbur ose të djegur.
“Më e vështira për një ekspert është kur arrin një paketë dhe përmban një numër të madh fragmentesh trupi. Kur e hap, nuk e kupton nëse i përket një personi apo 10 deri në 20 prej tyre”, tha Ruslan Abbasov, zëvendësdrejtor i Qendrës Shtetërore të Kërkimeve Shkencore Mjekoligjore.

Ekspertët thonë se ndonjëherë, por jo shpesh, trupat kthehen me të dhëna për identitetin e tyre. Megjithatë, ky informacion duhet të kontrollohet. Ka pasur raste që një trupi i është vënë një emër, por pas testimit të ADN-së ka rezultuar se është i një personi krejtësisht tjetër.
Edhe nëse të afërmit e njohin një ushtar të rënë, testi i ADN-së është ende i detyrueshëm për identifikimin përfundimtar. Kjo është veçanërisht thelbësore në shkëmbimet e riatdhesimit, tha Dobroserdov, ku eshtrat e kthyer mund t’u përkasin shumë njerëzve.
“Ne marrim një mostër të ADN-së nga çdo pjesë e trupit dhe krijojmë një profil të ADN-së. Ne e lëshojmë trupin vetëm pasi të kemi ekzaminuar të gjitha pjesët nga ky riatdhesim. Sepse nuk mund të bësh një urdhër identifikimi, të varrosësh një person dhe pastaj të gjesh disa mbetje të tjera pas një kohe”, shpjegoi Dobroserdov, duke shtuar se ka pasur raste kur eshtrat e një trupi janë dorëzuar gjatë riatdhesimeve të ndryshme në periudha të ndryshme.
Në rastet kur personi i zhdukur nuk ka të afërm, ekspertët analizojnë edhe gjërat që ata kanë lënë pas – veçanërisht sendet që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me lëkurën e tyre – për të kërkuar për një përputhje të ADN-së.
Teknikat e “rikrijimit” të fytyrës
Për ta përshpejtuar kërkimin, autoritetet ukrainase po përdorin teknologji të avancuara. Më 20 shkurt, Policia Kombëtare e Ukrainës postoi imazhe të krijuara nga kompjuteri në mediat sociale të pesë burrave të paidentifikuar që u vranë në aksion.
“Nëse njihni ndonjë nga të afërmit ose miqtë tuaj që janë zhdukur për shkak të luftës ose njihni njerëz që janë në kërkim të tyre, ju lutemi na kontaktoni”, thuhet në mesazh.
Ishte hera e parë që ukrainasit kishin përdorur teknika të rikrijimit 3D për këtë qëllim.
“Ne po testojmë teknologjinë për rivendosjen e tipareve të fytyrës së trupave të paidentifikuar bazuar në formën e kafkës dhe informacionin gjenomik të disponueshëm”, tha për CNN-in Khrystyna Podyriako, udhëheqësja e departamentit të hetimit të krimeve të luftës të Policisë Kombëtare.
Kjo lejon rikthimin e veçorive dalluese, si ngjyra e flokëve dhe lëkurës, forma e fytyrës dhe mosha e përafërt.
Ukrainasit përdorin gjithashtu softuer për njohjen e fytyrës të ofruar nga partnerët perëndimorë dhe kryejnë kërkime në bazat e të dhënave, mediat sociale dhe në internet. Një mjet i përdorur është aplikacioni Clearview AI, i cili lejon përdoruesit të njohin fytyrat nga fotot e postuara në rrjetet sociale dhe u ka mundësuar autoriteteve të identifikojnë ushtarët e zhdukur që mbahen robër.
Sipas Dobroserdovit, Rusia nuk mban gjithmonë lista të sakta të robërve të luftës, që do të thotë se ukrainasit duhet të gjejnë dhe konfirmojnë identitetin e shumë prej atyre që mbahen robër.
CNN-it iu dha një qasje e rrallë në një nga objektet e identifikimit të fytyrës në Kiev, ku një ekip prej katër personash janë në kërkim për imazhet e çdo ushtari të kapur që shfaqet në kanalet ose mediat ruse të Telegramit dhe përpiqet t’i identifikojë. Një punë e tillë kërkon vëmendje të veçantë në detaje; dhjetëra fotografi të ushtarëve janë në ekranet e kompjuterit. Nëse skuadra gjen një përputhje, do ta njoftojë familjen e ushtarit se i dashuri i tyre ka të ngjarë të jetë zënë rob.
“Ma ktheni të birin”
Në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë, ukrainasit bashkohen në të ashtuquajturat “ushtri të familjeve”, duke kërkuar nëpër kanalet televizive ruse, mediat sociale dhe videot e lajmeve për shenja të të zhdukurve.
Familjet shpesh kryejnë edhe hetimet e tyre. Ocheretnaya mori informacion nga të paktën tre persona të ndryshëm se djali i saj, mjeku luftarak, ishte parë si rob në Rusi.
“Gjithçka përputhet me atë që po thonë dëshmitarët okularë. Ata e njohën atë nga fotografia e tij dhe më treguan se ku dhe çfarë lloj tatuazhi kishte. Një djalë tha se Nazar për dy javë pati fasha në krahun e tij, pasi rusët dogjën një tatuazh të një embleme ukrainase në trupin e tij”, tha Ocheretnaya.
Ajo mësoi për tri vende ku Ocheretnyi ka të ngjarë të ishte parë: në rajonet e Volgogradit dhe Sakhasë të Rusisë, dhe në burgun Olenivka në rajonin e Donetskut të pushtuar nga Rusia. Ajo i dha të gjitha informacionet që kishte mbledhur tek autoritetet ukrainase dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Por djali i saj nuk është në asnjë listë zyrtare ruse.
Ocheretnaya dha gjithashtu ADN-në e saj, por baza e të dhënave nuk gjeti asnjë përputhje. “Kjo do të thotë se ai është gjallë; unë e di këtë. Ndoshta ai është në një burg ku nuk i kanë publikuar ende emrat e të burgosurve, kështu që emri i tij nuk gjendet askund”, tha ajo.

Gjatë tre vjetëve të fundit, Ocheretnaya ka marrë pjesë në shumë takime të mbajtura nga të afërmit e të zhdukurve në aksion dhe i është bashkuar pothuajse çdo grupi në Telegram ku ata flasin. Ajo ka kontaktuar të gjithë nga brigada e Ocheretnyit dhe është ende në kërkim të tij kudo.
“Kam një video të vjetër me të, në të cilën ai është duke vozitur, duke bërë shaka dhe duke qeshur me djem të tjerë. Unë e shikoj këtë video disa herë në ditë. Unë e di çdo sekondë, çdo lëvizje të syrit, çdo lëvizje të dorës”, tha Ocheretnaya.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë vazhdimisht se Ukraina është gati për një shkëmbim “të gjithë për të gjithë”. Lirimi i të gjithë robërve ukrainas që mbahen nga Rusia do të ishte një hap i mirë drejt paqes.
Kjo është pikërisht ajo që Ocheretnaya, si mijëra familje të tjera ukrainase, pret.
“Unë me të vërtetë po i kërkoj Zotit që ta kthejë djalin tim tek unë. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Vetëm për ta kthyer atë”, tha ajo.