Botë

Përdhunimi i afganëve të komunitetit LGBTQ në burgjet talebane

Afganistan

Kanë kaluar tre vjet që kur talebanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit. Ata vazhdojnë t’i arrestojnë afganët e komunitetit LGBTQ dhe t’i dënojnë në publik para njerëzve dhe autoriteteve lokale talebane. Nuk ka asnjë lajm për fatin e tyre. Dhe ashpërsia e represionit dhe dhunës kundër tyre, për fat të keq, ka qenë larg vëmendjes ndërkombëtare dhe situata e tyre është injoruar nga OKB-ja. Disa ish-të burgosur të komunitetit LGBTQ rrëfejnë për tmerret e përjetuara në burgjet talebane

Ishin orët e hershme të mëngjesit kur një rojë ishe futur në qelinë e Sohrabit – një dhomë e vogël e errët me dritare me hekura dhe një batanije në dysheme – në burgun “Pul-e-Charkhi” të Kabulit, gushtin e kaluar.

19-vjeçari ishte zhvendosur në një dhomë tjetër të kompleksit, ku kishte dëgjuar një taleban duke i urdhëruar rojat të largoheshin dhe të mos e linin askënd të futej. Duke e ditur kuptimin e këtyre fjalëve, Sohrabin e kishte kapur paniku. Ai veç kishte përjetuar dhunë fizike nga duart e talebanëve më herët.

“Ai më kapi nga mbrapa, më zhveshi dhe më përdhunoi”, ka thënë Sohrabi – emri i të cilit është ndërruar për arsye sigurie. “Për disa ditë pas asaj, kisha dhimbje të tmerrshme dhe gjakrrjedhje”.

Sohrabi po mbahej në “Pul-e-Charkhi” nën akuzat për sodomi (marrëdhënie seksuale anale ose orale), pasi, sipas tij, anëtarët e familjes kishin mësuar për romancën klandestine mes tij dhe të dashurit të tij vitin e kaluar. Lajmi për lidhjen e tyre ishte përhapur në komunitetin e tyre të ngushtë, duke çuar në arrestimin e tij dhe rrëfimin e detyruar.

Sohrabi ka folur në kushte anonimiteti, pas lirimit të tij nga burgu dy muaj më vonë. Në ditën e lirimit, Sohrabi ka thënë se talebani e ka paralajmëruar se nëse arrestohej përsëri, ai do të përballej me ekzekutim.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se që nga 2021-a, kur talebanët kanë rimarrë pushtetin në Afganistan, banorët e komunitetit LGBTQ janë përballur me dhunë seksuale dhe fizike të përhapur në qendrat e paraburgimit në mes të një shtypjeje sistematike ndaj grupeve minoritare.

Një luftëtar taleban bën rojë teksa gratë presin të marrin racione ushqimore Foto: AP

CNN-i ka intervistuar pesë afganë të komunitetit LGBTQ, të cilët thonë se kanë përjetuar abuzim fizik gjatë kohës sa kanë qenë në paraburgim, duke përfshirë disa që kanë thënë se kanë përjetuar përdhunim të përsëritur, goditje me elektricitet, ngufatje dhe fshikullim me zinxhirë metalikë. Personat transgjinorë po shënjestrohen “vazhdimisht” në pikat e kontrollit të talebanëve për shkak të zgjedhjes së tyre të veshjeve, kanë thënë grupet e të drejtave të njeriut.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme i talebanëve ka thënë se “aktet e tilla, siç është sodomia, marrëdhëniet seksuale me kafshët ose perversione të tjera që shkelin ligjin islamik janë ilegale dhe shkelësit trajtohen në bazë të kornizës ligjore”.

“Këto pretendime janë fabrikime, siç janë pretendimet e supozuara të torturës, përdhunimit, persekutimit dhe keqtrajtimi, janë vetë shkelje eksplicite të kornizës ligjore”, ka shtuar ai.

Ish të burgosurit janë gjetur përmes dy shoqatave të të drejtave të njeriut “Roshaniya”, organizatë jofitimprurpëse që punon për t’i rizhvendosur afganët e persekutuar të komunitetit  LGBTQ në vende të sigurta, dhe Organizata afgane e LGBT-së, grup i advokimit me bazë në Republikën Çeke, i themeluar në vitin 2021 për t’i monitoruar abuzimet e të drejtave të njeriut në Afganistan.

Një javë pas dhunimeve të para, kur plagët e tij akoma ishin të freskëta, Sohrabi ka thënë se është përdhunuar përsëri – dhe pastaj edhe katër herë të tjera nga i njëjti taleban.

“I tërë trupi im lutej për vdekjen time”, ka thënë Sohrabi. “Çdo herë ai më kërcënonte se nëse i tregoja dikujt për përdhunimin, do të më vriste me duart e tij”. Sohrabi ka arritur të largohej nga Afganistani, por jeton në frikë konstante nga persekutimet e mëtejshme, pasi vendi ku ai është zhvendosur gjithashtu kriminalizon homoseksualitetin.

Që nga viti 2021, “Roshaniya” ka qenë në kontakt me rreth 2000 afganë të komunitetit LGBTQ në vend. Ka thënë se ka dokumentuar 825 raste të dhunës kundër personave të këtij komuniteti në Afganistan gjatë kësaj kohe, duke përfshirë rrahje, arrestime dhe burgime, por ka shtuar se me siguri ka gjasa “të mos jenë numëruar të gjitha”.

Sipas organizatës, ata që mbahen në burg janë pothuajse gjithmonë subjekt i torturës. Gjithashtu ka shtuar se ka rizhvendosur 252 afganë të komunitetit LGBTQ në vende të sigurta që nga viti 2021.

Neela Ghoshal, drejtoreshë e lartë ligjore dhe e politikës në organizatë bamirëse me bazë në SHBA, “Outright International”, ka thënë se mund të ketë “disa arsye” se pse talebanët po përdorin dhunë seksuale si mjet i represionit kundër komunitetit LGBTQ.

“Ne e dimë se i ashtuquajturi ‘përdhunim korrigjues’ – që mendoj se nuk është aspak korrigjues, por si përdhunim i motivuar nga paragjykimet që shpesh bëhet për t’i ndëshkuar njerëzit – ndodh në të gjithë botën”, ka thënë ajo dhe ka shtuar se kjo ka të bëjë më shumë me fuqinë sesa me seksualitetin.

Në kontekstin e Afganistanit, ka thënë ajo, disa nga talebanët e njëjtë që po bëjnë thirrje për ndëshkim të personave LGBTQ për marrëdhënie brenda gjinisë së njëjtë, gjithashtu po kryejnë dhunë seksuale dhe të dhunshme ndaj burrave dhe djemve pa pëlqimin e tyre.

Kur talebanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në vitin 2021 – pas tërheqjes së rrëmujshme të trupave amerikane pas dy dekadave konflikt – nuk ishte e qartë se sa ashpër do ta zbatonin interpretimin e tyre të rreptë të ligjeve fetare kundër komunitetit LGBTQ të Afganistanit.

Nën qeverinë e kaluar të mbështetur nga Perëndimi, marrëdhëniet seksuale të gjinisë së njëjtë veç se kanë qenë të dënueshme me gati dy vjet burgim, ku personat e komunitetit LGBTQ gjithashtu janë përballur me dhunë dhe ngacmime nga shoqëria dhe policia, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.

Gjatë ringjalljes së talebanëve, një gjykatës taleban ka thënë se kishte vetëm dy dënime për homoseksualitetin – hedhjen me gurë ose shtypjen nën mur, sipas gazetës gjermane “Bild”; të tjerë kanë thënë se grupi islamik i kishte zbutur qëndrimet e tij më radikale.

“Mbaj mend shumë njerëz, shumë politikanë, që pretendonin se talebanët kanë ndryshuar, se nuk do t’i kryenin ndëshkimet brutale siç kanë bërë dikur”, ka thënë Artemis Akbary, drejtor i Organizatës afgane për LGBT. “Por tani, pas tre vjetësh, mund ta shoh se, për shembull, talebanët e përdorin dhunën seksuale si armë për ta shtypur komunitetin LGBTQI”.

Organizata afgane LGBT ka verifikuar më shumë se 50 raste të arrestimeve të personave të komunitetit LGBTQ, që nga gushti i vitit 2021, duke përdorur dokumente të lëshuara nga talebanët, siç janë letrat dhe urdhërarrestet dhe po punon për t’i verifikuar rreth 150 raste të raportuara nga individët.

 

“Vetë Afganistani është burg për ne”

 

Në mungesë të kanaleve raportuese dhe frikës nga hakmarrja nëse flasin, Ghoshali ka thëne se është e vështirë të vlerësohet se sa persona të komunitetit LGBTQ janë arrestuar në Afganistan që nga viti 2021.

Por talebanët me siguri duket se janë bërë më sistematikë në persekutimin e personave të komunitetit LGBTQ që nga rimarrja e pushtetit, ka thënë Ghoshali. Disa njerëz kanë raportuar se zyrtarët në mënyrë aktive “kanë dalë në gjah për t’i gjetur, u kanë shkuar në shtëpi, me urdhërarreste të lëshuara”, ka thënë ajo.

“Nuk do ta harroj kurrë ditën kur talebanët erdhën në shtëpinë tonë”, ka thënë Samiar Nazari, burrë transgjinor 22-vjeçar. “Disa fshatra kanë informuar talebanët se ekziston një vajzë që vesh rroba burrash”.

Nazari, i cili është larguar para se të arrestohej dhe të rrihej nga talebanët, tani është në një vend të sigurt, por ka thënë se jetesa nën sundimin e talebanëve është “përgjithmonë në mendjen time, përmes kujtimeve të frikës, pafuqisë dhe humbjes së shpresës”.

Të tjerët janë arrestuar për shkak të përmbajtjes së gjetur nëpër telefona ose postimeve në mediat sociale, duke sugjeruar se talebanët mund të jenë duke përdorur internetin për t’i gjurmuar anëtarët e komunitetit LGBTQ, ka thënë Akbary.

“Një natë isha në një taksi duke u kthyer në shtëpi dhe talebanët na ndaluan për të na kontrolluar”, ka thënë Abduli, burrë homoseksual 22-vjeçar. “Ata panë Instagramin, Facebookun, Twitterin. Të gjitha fotot dhe përmbajtjet ishin për LGBTQ”, ka thënë ai.

Abduli ka arritur të largohet për në Iran pas rimarrjes së pushtetit nga talebanët në vitin 2021, dhe pastaj në Turqi, por është dëbuar përsëri për në Afganistan në këtë vit.

22-vjeçari ka treguar se si është dërguar në një “dhomë të errët”, ku ka vuajtur nga “tortura dhe rrahjet”, disa herë gjatë ditës. “Çdo natë vinte një burrë i madh për të më rrahur. Disa herë edhe më ka ngufatur”, ka thënë Abduli. “Shumë herë mendoja se do të vdisja”.

Pas dy javësh në këtë dhomë, Abduli është transferuar në një burg në Herat, Afganistanin veriperëndimor, për gjashtë muaj të tjerë. Është liruar kur një mik ka paguar talebanët rreth 1140 euro për ta nxjerrë nga aty, ka thënë ai.

Familja e tij ka refuzuar ta lirojë për shkak se i është ekspozuar seksualitetit, ka thënë ai, dhe tani Abduli jeton duke u fshehur përsëri, pa mbështetje nga miqtë ose të afërmit. “Akoma jam në burgun taleban, por dallimi është se nuk jam brenda një qelie”.

 

“Kishte shumë persona LGBT nëpër dhoma”

 

Ndjekja e abuzimit të supozuar të të burgosurve të komunitetit LGBTQ është detyrë e vështirë në një vend të përndjekur nga frika prej talebanëve dhe kufizimet e rënda në lirinë e medias.

Shumica e abuzimeve, sipas raportimeve, ndodhin në vendet me dyer të mbyllura në objekte formale dhe informale të dënimit, ka thënë David Osborn, drejtor i “Afghan Witness”, projekt për monitorimin e të drejtave të njeriut.

Në këto objekte, i vetmi burim i pamjeve janë ato që janë filmuar nga vetë autorët, ka thënë Osborni, por në Afganistan rrallë shihet kjo. “Kjo ka krijuar një boshllëk për të drejtat e njeriut, ku mungesa e pamjeve do të thotë se individët e komunitetit LGBTQ janë në rrezik më të madh”, ka thënë ai.

Megjithatë, ekipi i “Afghan Witness” ka qenë në gjendje ta përdorë faqen zyrtare të talebanëve dhe llogarinë në platformën X, të cilat shpesh publikojnë detaje të dënimeve për t’i dokumentuar 43 rrahje publike që nga nëntori 2022, ku “sodomia” ishte renditur në fletën e akuzës. CNN-i nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra.

Këto ngjarje të rrahjes kanë përfshirë 360 persona: 192 burra, 40 gra dhe 128 persona të seksit ose gjinisë së panjohur, sipas të dhënave të “Afghan Witness”.

Por numri i saktë i të dënuarve për sodomi është i panjohur, siç është edhe ai për veprat e tjera, si tradhtia bashkëshortore e “marrëdhëniet e paligjshme”.

Është gjithashtu e vështirë të dihet se sa nga këto akuza janë ngritur posaçërisht kundër anëtarëve të komunitetit LGBTQ.

Grupet e tjera të të drejtave të njeriut kanë dokumentuar raste të dënimeve jashtëgjyqësore, të kryera jashtë syrit të publikut. Në disa nga provincat e Afganistanit kjo sinjalizohet nga mungesa e dokumenteve zyrtare që zakonisht lëshohen në lidhje me arrestimin ose çështjen gjyqësore të dikujt, ka thënë Akbary.

Rosemary DiCarlos, nënsekretare e përgjithshme e OKB-së Foto: AP

Sano – emër jo i vërtetë – ka thënë se është mbajtur për 15 ditë në një shtëpi të madhe të përdorur nga talebanët në periferi të Jalalabadit, një qytet në Afganistanin lindor. Babai i tij është detyruar t’ia dorëzonte grupit për marrje në pyetje rreth seksualitetit të tij, pas së cilës talebanët kanë thënë se do të lirohej.

Në vend të kësaj, ka thënë Sano, karta e memories së telefonit të tij është marrë dhe ai është mbyllur brenda një dhome pa dritare për dy javë. “Jam torturuar nga talebanët. Më kanë dhënë shuplaka, më kanë rrahur”, ka thënë 24-vjeçari në shtator. “Dhoma ishte e errët. Nuk kishte diell”.

Sano pretendon se shtëpia po përdorej për t’i mbajtur afganët e tjerë të komunitetit LGBTQ gjithashtu. “Kishte shumë afganë LGBTQ që ishin sjellë para meje”, ka thënë ai. “Disa prej tyre ishin vrarë. Një nga partnerët e mi ishte vrarë prej tyre. Kishte shumë persona LGBTQ nëpër dhoma”.

Ai ishte liruar nga dënimi kur talebanëve iu ishte paguar një tarifë, ka thënë ai, duke u ndihmuar nga një i njohur i babait të tij. Ai tani është fshehur pasi ka zbuluar se talebanët po përpiqen ta gjurmojnë përsëri.

 

“Duhet të fshihem nga të gjithë, nga familja, miqtë, qeveria dhe nga jeta”

 

Në shkurt, Organizata afgane LGBT dhe “Outright International” i kanë shkruar një letër të përbashkët Rosemary DiCarlos, nënsekretares së përgjithshme të OKB-së për çështje politike dhe të ndërtimit të paqes, duke theksuar “mungesë të përfshirjes së perspektivave për komunitetin LGBTQ në angazhimin e OKB-së për Afganistanin”.

Zyrtarët e lartë të OKB-së janë takuar me përfaqësues të talebanëve në Katar në qershor, për t’i diskutuar shqetësimet rreth të drejtave të njeriut. Por bisedimet kanë shkaktuar reagim nga organizatat e të drejtave të njeriut për përjashtimin e grave afgane dhe grupeve të tjera të shoqërisë civile.

Pas takimit, DiCarlo, në konferencë për media, ka theksuar se “shqetësimet dhe pikëpamjet e grave afgane dhe të shoqërisë civile janë kryesoret, duke shtuar se të pranishmit “e kanë diskutuar gjithashtu nevojën për qeverisje më gjithëpërfshirëse dhe respektin për të drejtat e pakicave”.

Shembujt e shkeljes së të drejtave të njeriut nga talebanët në vend janë dokumentuar në një raport të shtatorit nga Misioni i Asistencës së OKB-së në Afganistan (UNAMA). Por në raport nuk janë përmendur personat e komunitetit LGBTQ, duke përfshirë burra dhe gra biseksuale, lezbike dhe transgjinore, ka thënë Akbary. “Në përgjithësi, OKB-ja po e injoron situatën e personave të komunitetit LGBTQ në Afganistan”, ka shtuar ai.

UNAMA ka thënë se është “jashtëzakonisht e vështirë” për të mbledhur informacione substanciale për trajtimin e personave të komunitetit LGBTQ në Afganistan, për shkak të stigmës ekstreme sociale dhe organizatave të limituara të shoqërisë civile që përfaqësojnë personat LGBTQ në vend.

Me pak shenja se talebanët do t’i përmirësojnë të dhënat e tyre për të drejtat e njeriut, shumë njerëz në vend ndihen të braktisur nga komuniteti ndërkombëtar.

Gratë afgane dhe personat LGBTQ janë të bashkuar nga vuajtjet e tyre, ka thënë Abduli.

“Jam i burgosur i një vendi të quajtur Afganistan”, ka thënë ai. “Duhet të fshihem nga të gjithë, nga familja, miqtë, qeveria dhe jeta”.