Botë

Për herë të parë ndalen mikrofonat në një debat zëvendëspresidencial

Vance & Walz

Vance & Walz

Kandidati për zëvendëspresident nga demokratët, Tim Walz dhe ai nga republikanët, JD Vance, dolën në skenë të martën mbrëma për debatin zëvendëspresidencial që dhuroi më pak dramë se debati presidencial i shtatorit. Në debat u diskutua për abortin, të shtënat në shkolla, emigracionin e Lindjen e Mesme.

Tri javë më parë, Kamala Harrisi dhe Donald Trumpi patën një orë e gjysmë debat, me republikanin Trump që lavdërohej me numrin e njerëzve që marrin pjesë në mitingjet e tij, ndërsa e akuzoi zëvendëspresidenten aktuale si “marksiste”, përpara se të kërcënonte se do ta padiste një nga moderatorët e debatit. Harrisi gëzoi rritje në popullaritet pas performancës në debat.

Por të martën, Walzi dhe Vance shmangën kryesisht sulmet ndaj njëri-tjetrit, dhe në vend të kësaj e përqendruan debatin te konkurrentët e njëri-tjetrit. Ishte një diskutim më i drejtuar nga politika sesa ai i kandidatëve për president.

Përplasja interesante ishte mbi abortin. Walzi kritikoi qëndrimin Trump-Vance që shtetet duhet të vendosin nëse gratë duhet të kenë qasje në abort.

“Nuk funksionon kështu. Këto janë të drejtat themelore të njeriut. Ne kemi parë rritje të vdekshmërisë amtare në Teksas, duke tejkaluar shumë vende të tjera në botë”, ka thënë ai.

“CBS News” u detyrua për herë të parë të ndalë mikrofonat në një debat zëvendëspresidencial, pasi Walzi dhe Vance u përplasën për emigrantët që vijnë nga Haiti në Ohio e që përfshiu kontroll faktesh nga moderatorët.

Sa i përket luftërave, dyshja diskutuan vetëm për Lindjen e Mesme dhe jo për Ukrainën. Të dy kandidatët dhanë mbështetjen për Izraelin, por me pikëpamje të ndryshme.