Themeluesi i aplikacionit të mesazheve, Telegram, Pavel Durov, i cili është nën hetim në Francë, ka thënë se autoritetet franceze do të duhej t'i drejtoheshin kompanisë së tij në vend që ta ndalonin atë.
Durov e ka quajtur arrestimin e tij "të gabuar", raporton The Guardian.
Ai ka shkruar në kanalin e tij “Telegram” herët të premten, duke bërë komentet e para publike që kur është ndaluar në Paris, pasi kishte ateruar atje me një avion privat.
Ai ka mohuar çdo pretendim se aplikacioni është një "parajsë anarkie".
Multimiliarderi me origjinë ruse është shprehur se hetimi për aplikacionin ishte befasues pasi autoritetet franceze kishin qasje në një "linjë të nxehtë" për të cilën kishte ndihmuar që të ngrihej, dhe se ata mund të kishin kontaktuar përfaqësuesin e Telegramit për BE-në në çdo kohë.
“Nëse një vend është i pakënaqur me një shërbim interneti, praktika kërkon që të fillohet një veprim ligjor kundër vetë shërbimit. Përdorimi i ligjeve nga epoka e para-smartphone-it për të ngarkuar një shef ekzekutiv për krime të kryera nga palë të treta në platformën që ai menaxhon, është një qasje e gabuar”, ka shkruar Durov.
Sipas tij, “Telegrami” nuk është perfekt, por megjithatë, ka mohuar çdo abuzim të lidhur me aplikacionin.
“Por pretendimet në disa media se Telegrami është një lloj parajse anarkie janë absolutisht të pavërteta. Ne largojmë miliona postime dhe kanale të dëmshme çdo ditë”, ka shtuar ai në postimin e tij.
Durov është arrestuar në fund të muajit të kaluar në Francë për shkak të një hetimi mbi krime që lidhen me imazhet e abuzimit seksual të fëmijëve, trafikun e drogës dhe transaksionet mashtruese të lidhura me aplikacionin.
Ai po akuzohet nga drejtësia franceze për gjoja lejimin e veprimtarisë kriminale në aplikacionin e mesazheve, por ka arritur t’i shmanget ndalimit në burg përpara se çështja të shqyrtohet, me një garanci prej 5 milionë eurosh. Ai është liruar me kusht që të paraqitet në një komisariat dy herë në javë dhe të qëndrojë në Francë.
Akuzat kundër Durovit përfshijnë bashkëpunim në përhapjen e imazheve seksuale të fëmijëve dhe një sërë shkeljesh të tjera të supozuara në aplikacionin e mesazheve.