Botë

Pasuesi i mundshëm i Merkelit nën llupë rreth hetimeve për shpëlarje parash

Ministri i Financave, Olaf Scholz, kandidat i SPD-së për kancelar të Gjermanisë, do t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve gjatë një takimi të veçantë në Komitetin për Financa të Dhomës së Ulët të Parlamentit më 20 shtator lidhur me dështimet e dyshuara përbrenda agjencisë qeveritare për shpëlarjen e parave

Ligjvënësit gjermanë do ta marrin në pyetje të hënën e ardhshme ministrin e Financave, Olaf Scholz, lidhur me dështimet e dyshuara përbrenda agjencisë qeveritare për shpëlarjen e parave, vetëm pak ditë para zgjedhjeve federale që partia e tij projektohet t’i fitojë.

Scholz do t’u përgjigjet pyetjeve gjatë një takimi të veçantë në Komitetin për Financa të Dhomës së Ulët të Parlamentit më 20 shtator, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ai do të paraqitet me prani fizike apo nëpërmjet një videolidhjeje, kanë bërë të ditur ligjvënësit duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sondazhet e kryera deri më tani kanë treguar se Scholz ka gjasa të mëdha që të bëhet kancelar i Gjermanisë pas votimeve të 26 shtatorit, duke e pasuar në këtë post Angela Merkelin, e cila do t’i japë fund detyrës pas 16 vjetësh në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Armin Laschet, kandidati kryesor i bllokut të së djathtës së qendrës CDU-CSU, deri më tani ka dështuar që ta përkthejë në favor të tijin mbështetjen e fuqishme për Merkelin, pasi që sondazhet e kanë renditur Scholzin e SPD-në në epërsi të dukshme.

Reuters ka raportuar se prokurorët gjermanë kanë bastisur të enjten e shkuar zyrën e Ministrisë së Financave në Berlin, si pjesë e një hetimi për zbardhjen e arsyes se përse agjencia kundër shpëlarjes së parasë me seli në Këln, FIU, nuk ka ndjekur procedura të caktuara, duke e vënë kësisoj theksin tek dështimet e Gjermanisë në gjurmimin e krimit financiar.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se hetimet janë përqendruar në të dyshuar ende të paidentifikuar përbrenda FIU-së në Këln dhe jo te vetë pjesëtarët e ministrisë, ndërkaq ka shtuar se synim i bastisjes ishte mbledhja e informatave lidhur me vendimet e caktuara të zyrtarëve të FIU-së.

Koha e ndërmarrjes së bastisjes, më pak se tri javë para zgjedhjeve, ka ushqyer spekulimet lidhur me motivet politike të veprimit.

Ministria e Financave e mbikëqyr FIU-në, ndonëse agjencia është e pavarur nga ndikimi politik në vendimmarrjet ditore.

“Vetë Scholzi është përpjekur që ta minimizojë bastisjen, duke pretenduar se prokurorët mund po ashtu të kërkonin informacione në formë të shkruar dhe se çdokush mund të nxjerrë konstatime të veta lidhur me arsyen pse është marrë vendimi për bastisje në Ministrinë e Financave”, ka raportuar Reuters.

Kjo gjë, sipas agjencisë, ka shtrënguar Laschetin që të kërkojë kërkimfalje nga Scholzi lidhur me kritikat rreth vendimit të prokurorëve. Lascheti ka akuzuar gjithashtu rivalin e tij politik për minimin e sundimit të ligjit dhe për ndihmë populistëve.