Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut ka lënë pas shumë rrënoja në Liban. Sipas një raporti paraprak të dëmeve nga Këshilli Kombëtar për Kërkime Shkencore në Liban, vlerësimet fillestare treguan se sulmet izraelite që kishin cak ndërtesat, shtëpitë, fabrikat, rrugët dhe infrastrukturën tjetër në të gjithë vendin kishin krijuar rreth 350 milionë metra kub rrënoja. Disa ekspertë kanë frikë se një pjesë e madhe e tyre do të hidhet në mjedis pa kontrollin e duhur.
Qe tre muaj, Ahmad Mehdi ka jetuar në një gjysmë shtëpi. Në tetor, si pasojë e një sulmi ajror izraelit në ndërtesën ngjitur me të në një lagje në jug të Bejrutit, pjesa më e madhe e kuzhinës dhe dhomës së ndejës në apartamentin e tij në katin e pestë u shkatërrua.
Ai shtanget sa herë që shikon se çfarë ka mbetur nga ndërtesa ngjitur. “Njëmbëdhjetë kate janë shembur dhe shndërruar në dy”, ka thënë ai. “Gjithçka që shihni janë gurë, mbetje çeliku dhe copa hekuri”.
Ashtu si shumë libanezë të tjerë, shtëpitë dhe bizneset e të cilëve u dëmtuan gjatë më shumë se një viti luftë midis Izraelit dhe Hezbollahut, edhe Mehdi, 20 vjeç dhe familja e tij janë të etur për të filluar rinovimin, por ata nuk mund ta bëjnë këtë derisa të hiqen rrënojat. “Ky është problemi ynë më i madh: Ku t’i lëmë mbetjet?”, ka deklaruar ai.
Ndonëse Libani ka filluar procesin e ngadaltë të rindërtimit pas armëpushimit me Hezbollahun, grupin militant libanez të mbështetur nga Irani dhe Izraelit, ai ende nuk e di se si ta pastrojë vendin nga sasitë e mëdha të rrënojave të mbetura, të shpërndara rreth kryeqytetit, Bejrut. Sipas një vlerësimi paraprak të dëmeve nga Këshilli Kombëtar për Kërkime Shkencore në Liban, rreth 3 mijë ndërtesa në zonën e Dahiyas në jug të qytetit janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë.
Më shumë se 3.700 njerëz në Liban u vranë gjatë luftës, e cila filloi kur Hezbollahu, milici me bazë në Liban, filloi të qëllonte mbi pozicionet izraelite pas sulmeve, të udhëhequra nga Hamasi, ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Konflikti detyroi rreth 1.3 milionë njerëz në Liban që të shpërnguleshin, dhe shkatërroi pjesë të mëdha të Libanit jugor pranë kufirit me Izraelin, si dhe zonat me popullsi të dendur në jug të Bejrutit, ku Hezbollahu ka ndikim.
Tamara Elzein, njëra prej autorëve të raportit, ka theksuar se vlerësimet fillestare treguan se sulmet izraelite që kishin cak ndërtesat, shtëpitë, fabrikat, rrugët dhe infrastrukturën tjetër në të gjithë vendin kishin krijuar rreth 350 milionë metra kub rrënoja. E rindërtimi i vendit nuk mund të fillojë derisa këto mbetje të hiqen. Në Gaza, ku Izraeli ka luftuar për të çrrënjosur militantët e Hamasit, gati 60 për qind e ndërtesave janë dëmtuar ose shkatërruar. Sulmet me raketa të Hezbollahut në Izrael kanë shkatërruar ose dëmtuar gjithashtu shtëpitë në komunitetet kufitare dhe kanë shkaktuar zjarre në tokat bujqësore.
“Pjesa më e madhe e mbetjeve është hedhur në mjedis”
Issam Srour, profesor i inxhinierisë strukturore dhe mjedisore në Universitetin Amerikan të Bejrutit, ka deklaruar se deponitë në Liban veçse po përballen me trajtimin e mbetjeve të rrënojave, shpesh të rrezikshme. Pjesa më e madhe e mbetjeve, sipas tij, është hedhur në mjedis.
Në vitin 2006, pas luftës së fundit midis Hezbollahut dhe Izraelit, mbetjet nga zonat e bombarduara rëndë në jug të Bejrutit, të cilat përfshinin mjete të pashpërthyera, azbest, orendi sintetike, pajisje elektronike të copëtuara dhe mbetje organike, u hodhën përgjatë vijës bregdetare pranë aeroportit, bënë të ditur ekspertët e mjedisit.
Kjo gjë evoluoi në një deponi të përhershme, hapësirë e pa përshtatshme e cila dëmton mjedisin detar si shkak i rrjedhjes së kimikateve toksike nga ato mbetje, thonë ata. Zona, e njohur si Costa Brava, është bërë sinonim i katastrofës mjedisore në Liban.
Efekti i konfliktit të fundit, paralajmëroi Srour, mund të jetë shumë më i madh dhe më i dëmshëm.
Gjatë dekadës së fundit, Libani është përballur me një rritje enorme të përdorimit të paneleve diellore dhe ruajtjen e baterive për të kompensuar rrjetin elektrik jostabil të vendit. Hedhja në vende të gabuara e paneleve dhe baterive mund të shpërndajë plumb, merkur dhe elementë të tjerë të rrezikshëm në mjedis.
“Niveli i rrezikut me të cilin përballemi tani është shumë më i keq se ai që pamë në 2006-ën”, ka thënë Srour. “Ne nuk mund të neglizhojmë ndikimin mjedisor të mbeturinave ashtu siç bëmë herën e kaluar. Arsyeja është e thjeshtë: Ne nuk do t’i vërejmë pasojat e menaxhimit të dobët tani, por sigurisht që do t’i shohim më vonë”.
Këshilli Kombëtar për Kërkime Shkencore vlerëson se vetëm në një zonë, Dahiya, rreth 4 mijë panele diellore u dëmtuan rëndë gjatë konfliktit. Të mbuluara me pluhur toksik dhe kimikate të rrezikshme që rrjedhin, ato mund të përbëjnë një rrezik serioz nëse nuk trajtohen siç duhet përpara asgjësimit.
Kur Mehdi, student i inxhinierisë në Universitetin Amerikan të Bejrutit, shikon rrënojat e lagjes së tij, ai kupton rreziqet që fshihen poshtë armaturës dhe betonit të copëtuar. Por ai gjithashtu sheh edhe potencialin.
Në mënyrën e duhur, ai thotë se rrënojat mund të riciklohen dhe përdoren në blloqet e infrastrukturës së re, shumë të nevojshme, në vend që të fillonin nga e para duke prodhuar beton.
Ka shumë mundësi në gjithë këto rrënoja
“Po shoh anën pozitive të gjithë kësaj”, ka deklaruar ai. “Lufta ishte një tragjedi për Libanin. Por ka shumë mundësi në gjithë këto rrënoja”.
Megjithatë, duke pasur parasysh nevojën urgjente për të rindërtuar vendin dhe kohën që do të duhej për të gjetur materiale të ripërdorshme në këto rrënoja, ai ka frikë se ato do të hidhen në mjedis. Zyrtarët qeveritarë thonë se po shqyrtojnë zgjerimin e deponive, si Costa Brava, për t’i hedhur mbeturinat.
“Ne mund ta bëjmë atë në një mënyrë që është më e mirë për Libanin dhe mjedisin”, ka theksuar Mehdi. “Por do të zgjasë më shumë dhe ndoshta do të kushtojë më shumë. Kam frikë se qeveria do të zgjedhë rrugën më të lehtë”.
Terre Liban, grup që avokon për mbrojtjen e mjedisit, po bën fushatë për të nxitur qeverinë që të gjejë opsione më të qëndrueshme.
Krijimi i deponisë së Costa Bravas pas luftës së mëparshme ishte një fatkeqësi për peshkatarët vendas, ka deklaruar Idris Atriss, kreu i një shoqate peshkatarësh që operon përgjatë bregdetit në jug të Bejrutit. “Jeta detare u shkatërrua dhe filloi të rikuperohej vetëm në vitet e fundit”, ka shtuar ai.
Në dhjetor, qeveria e përkohshme e Libanit ndau 25 milionë dollarë për vlerësimin e dëmeve, dhe heqjen e mbeturinave. Qeveria ishte e paqartë dhe nuk dha detaje, edhe pse ofroi garanci se do të merrnin në konsideratë shqetësimet lidhur me mjedisin.
Ministri i Mjedisit, Nasser Yassin, ka deklaruar se trajtimi i rrënojave përreth Bejrutit ishte më i vështirë për shkak të vëllimit të tyre të madh, potencialit për materie të rrezikshme dhe mungesës së hapësirës.
“Nuk janë mbetje. Janë një burim”
Ali Hamieh, ministër i shërbimeve publike dhe transportit, ka theksuar se zgjidhja e vetme është hedhja e mbeturinave nga zona e Bejrutit pranë Costa Bravas.
Kjo do të kërcënonte edhe më tej jetën e egër, tashmë të rrezikuar, të zonës, ka deklaruar Atriss. “Është vendi ku breshkat shumohen. Ne nuk do ta pranojmë këtë”.
Presidenti i Terre Liban, Paul Abi Rached, pajtohet, duke thënë se metalet e rënda dhe kimikatet që rrjedhin nga mbeturinat do të shkojnë drejt e në Mesdhe, duke helmuar jo vetëm ujërat libaneze, por edhe ato të Evropës, pasur parasysh rrugën e rrymave oqeanike. “Nuk është logjike të përdoret Mesdheu si një vendgrumbullim mbeturinash”, ka deklaruar ai.
Abi Rached ka shtuar se as hedhja e mbetjeve të patrajtuara në tokë nuk është zgjidhje. Shiu mund të çojë materiet drejt lumenjve dhe liqeneve të Libanit, e përfundimisht në Mesdhe.
Riciklimi mund të ndihmojë në reduktimin e emetimeve të karbonit në Liban. Sipas llogaritjeve nga Charlie Lawrie, specialist i energjisë dhe mjedisit në institutin libanez të politikave Badil, rindërtimi i asaj që u shkatërrua gjatë luftës mund të gjenerojë afërsisht 14.8 milionë ton emetime të gazrave serrë, kryesisht nga prodhimi i betonit.
Nëse rrënojat riciklohen në zhavorr dhe blloqe ndërtimi, kjo do të ndihmojë në reduktimin e atyre emetimeve duke kursyer në koston e prodhimit të betonit”, ka thënë Najat Aoun Saliba, anëtare e Parlamentit të Libanit. “Ne duhet të mendojmë ndryshe për rrënojat”, është shprehur ajo. “Nuk janë mbetje. Janë një burim”.