Botë

Pasagjerët e një avioni përjetojnë “makth” nga turbulencat gjatë fluturimit transatlantik

Një fluturim transatlantik "makthi" pati turbulenca aq të mëdha sa të paktën 12 persona mbetën të lënduar, derisa pasagjerët rrëfenin se si u përplasën në tavanin e avionit dhe u hodhën në dysheme.

Fluturimi i Aerolíneas Argentinas R1133, një avion Airbus A330-200 me dy motorë, i cili u ngrit rreth orës 20:00 më 18 tetor nga Madridi, u fut në telashe në mes të fluturimit gjatë rrugës për në aeroportin Ezeiza të Buenos Aires, shkruan CNN-i.

Sipas postimeve të bëra në Twitter, pasagjerët u kapën në befasi teksa avioni u përplas lart e poshtë, duke i bërë njerëzit që të përplaseshin në pjesën e brendshme të tij.

"Epo, pati disa turbulenca gjatë të cilave nuk na thanë të vendosnim rripin e sigurisë dhe të gjithë thjesht fluturuan," shkroi një pasagjer në Twitter.

Ai i përshkroi kokat e njerëzve duke u përplasur në sipërfaqet e avionit.

"Shtatë orët e fundit të fluturimit ishin një makth" shtoi ai.

Një imazh i postuar në Twitter tregon pasagjerët duke shtrënguar kokat e tyre nga shqetësimi si pasojë e turbulencës, derisa mbeturinat e shpërndara duken rreth dyshemesë së kabinës.

Në një foto mund të shihet një grua me fasha për shkak të një lëndimi në hundë.

Në një deklaratë, Aerolineas Argentinas tha se tre persona duhej të vendoseshin nën "vëzhgim të kujdesshëm" pasi avioni u ul në Buenos Aires, ndërsa nëntë të tjerë u trajtuan për "lëndime të lehta".

Linja ajrore tha se "ngjarja" ndodhi mbi Oqeanin Atlantik ndërsa A330 me 271 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit po i afrohej Amerikës së Jugut.