Botë

Pas SHBA-së, edhe Franca shpreh interesim për mineralet e rralla të Ukrainës

Sebastien Lecornu

Foto: Associated Press

Ministri i Forcave të Armatosura të Francës, Sébastien Lecornu, ka deklaruar të enjten se Parisi zyrtar është gjithashtu në bisedime me Kievin për furnizim të mundshëm me mineralet e rralla, që do të përdoren për industrinë e mbrojtjes, raporton LeMonde. 

“Ne po e diskutojmë këtë çështje për nevojat tona. Industria jonë e mbrojtjes do të ketë nevojë për një numër të caktuar mineralesh për tridhjetë apo katërdhjetë vjetët e ardhshëm", ka thënë Lecornu.

Ai ka shtuar se Franca nuk kërkon të “rimbursohet” në asnjë formë ose mënyrë, referencë kjo që lidhet me kërkesën e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili dëshiron qasje në mineralet e rralla të Ukrainës në këmbim të ndihmës ushtarake.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të udhëtojë të premten në Washington, për ta finalizuar kornizën e marrëveshjes mbi mineralet me presidentin Trump.