Botë

Pas Polonisë edhe Hungaria vendos të ndalojë importet e drithërave dhe ushqimeve nga Ukraina

Pas Polonisë, edhe Hungaria ka vendosur të ndalojë importet e drithërave dhe ushqimeve të tjera nga Ukraina, për të mbrojtur sektorin vendas bujqësor, kanë njoftuar të shtunën të dy qeveritë, raportoi të dielën Reuters.

Pasi pushtimi rus i Ukrainës bllokoi disa porte të Detit të Zi, sasi të mëdha gruri ukrainas, i cili është më i lirë se ai i prodhuar në Bashkimin Evropian, përfundoi duke qëndruar në shtetet e Evropës Qendrore për shkak të pengesave logjistike, duke goditur çmimet dhe shitjet për fermerët vendas.

Ministria e politikës agrare dhe ushqimit të Ukrainës ka reaguar për këtë ndalim, duke thënë se vendimi polak binte ndesh me marrëveshjet ekzistuese dypalëshe mbi eksportet dhe bëri thirrje për bisedime për të zgjidhur çështjen.

“Ne e kuptojmë se fermerët polakë janë në një situatë të vështirë, por theksojmë se fermerët ukrainas janë në situatë edhe më të vështirë për momentin”, thuhet në një deklaratë.

Të shtunën vonë, qeveria nacionaliste e kryeministrit hungarez Viktor Orban iu bashkua vendimit për ndalim, duke thënë se status quo-ja do të shkaktonte dëme të rënda për fermerët vendas.

Hungaria nuk dha detaje se kur do të hyjë në fuqi ndalimi i saj për importet e drithërave dhe ushqimeve të tjera, por tha se do të përfundojë në fund të qershorit.

Qeveria e Hungarisë tha se shpresonte për ndryshime në rregulloren në nivel të BE-së, duke përfshirë një rimendim të eliminimit të detyrimeve të importit për produktet ukrainase.